Eurovizion: Çfarë i mungoi Shqipërisë? Flet kompozitori i njohur…

ronela hajati
Ronela Hajati

 “Eurovizion” është festival i këngës, që duhet nënkuptuar e para është kënga dhe performanca është në ndihmë të saj dhe jo e kundërta, shprehet kompozitorit i njohur Sokol Marsi. Sipas tij, ky festival nuk është rasti ku performohet sipas shijes personale të artistit. Sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë, kompozitori thotë se performanca e këngës “Sekret” ishte jashtë kontrollit. Në intervistën për gazetën “SOT”,  kompozitori Sokol Marsi bën një analizë të situatës dhe se si mund të zgjidhen gjërat në të ardhmen. Kompozitori thotë se struktura e festivalit të RTSH duhet riparë. Sipas tij duhet gjetur një modul tjetër, që të ndahet konkurrimi i festivalit nga kënga përfaqësuese për në “Eurovision”.

Kompozitori thekson se, ne jemi vend i vogël dhe jo me buxhetin e “Sanremos”, por e sigurt është, se kemi krijues dhe interpretë të mrekullueshëm, që i ka zili edhe bota, dhe festivali duhet të mbështetet pikërisht aty, për të evidentuar talentet dhe krijimtarinë tonë.

-“Eurovision” është eveniment i rëndësishëm artistik, që i kushtohet shumë vëmendje në Europë dhe më gjerë. Këtë vit Shqipëria u prezantua me Ronela Hajatin me këngën “Sekret”. Ka qenë një performancë që ka ngjallur shumë diskutime. Ju si e patë këtë vit prezantimin e Shqipërisë?

– Në radhë të parë dua të falenderoj për pyetjen. Unë do doja ta analizoja në mënyrë profesionale duke ju shmangur diskutimeve të rrjeteve sociale apo gjyqeve publike. Pyetja juaj shtrohet në ligjëratë të drejtë: Si e patë këtë vit prezantimin e Shqipërisë, pra bëhet fjalë për një prezantim në nivel kombëtar dhe duke referuar këtij fakti, me të drejtë ngrihet pyetja… a ishte përfaqësuese, performanca jonë? Unë mendoj se këtë vit, ishte një performancë me probleme.

Nuk po flas për shijen time personale, pasi mendoj se ka edhe publik që e pëlqen këngën dhe duhet respektuar. Por kjo perfomancë, për mendimin tim, ishte jashtë kontrolli! Ndihej që nuk ishte kuruar me kujdes, ishte shumë naive për t’u dukur profesionale dhe çfarë është më e rëndësishmja. Për mua, kishte elementë që tejkalonin kufijtë e veprimit estetik dhe normal në skenë.

Kishte lëvizje, apo gjeste shumë provokative, që nuk janë normale për një skenë festivali. Ronela është një artiste e talentuar dhe shumë energjike. Dhe këtë e ka treguar prej kohësh në modelin e saj të të bërit performancë, por mendoj se kësaj here. Për nga niveli i përfaqësimit duhet patjetër, të ishte ndihmuar, apo këshilluar nga një grup njerëzish, për mos të kaluar në ekstremitete.

Nuk e di nëse ka pasur një bord artistik, që e ka parë dhe miratuar të gjithë këtë perfomancë?!!! Është i domosdoshëm ky grup që përbëhet nga producent muzikor, regjisor, kostumograf, etj. Pasi kështu funksionon gjithandej dhe po këta njerëz mbajnë përgjegjësi profesionale mbi mbarëvajtjen dhe gjithçka lidhet me perfomancën e këngës tonë në “Eurovision”. Në asnjë mënyrë nuk mund të lihet në dëshirën apo shijen personale të këngëtarit e gjithë kjo punë.

Artisti ka për detyrë të këndojë, të tjerët kanë për detyrë t’i shërbejnë profesionalisht. Këngëtarët për çdo vit ndryshojnë, kurse fatura i mbetet organizatorit. Këtë vit me çfarë kam parë mos gaboj nuk ka pasur një grup të tillë me artistë. “Eurovision” është festival i këngës që duhet nënkuptuar e para është kënga. Dhe performanca është në ndihmë të saj, jo e kundërta.

-Kritikat kanë qenë, por për ju një këngë nga Festivali i Këngës në RTSH, çfarë duhet të përcjellë në skenën e “Eurovision”?

– Të përcjellë krijimin më të mirë të vitit, në krijimtarinë muzikore të dalë nga një festival kënge! Kaq e thjeshtë është. “Eurovision” nuk ka limite në drejtim të krijimtarisë, në stile, apo në performanca. Rëndësi ka që krijimi të jetë i bazuar mbi një melodi të bukur, një fabul interesante, një interpretim dinjitoz dhe një aranzhim të mirë. Këto janë elemente që nëse ngjizen mirë brenda një krijimi. Sigurisht që ai krijim do të jetë i duhuri.

Dhe shembuj të tillë përfaqësimi kemi pasur plot edhe në “Eurovizion”. Pastaj nëse do flasim për shijet, apo pëlqimet ato janë pa fund. Kënga e këtij viti, më shumë përfaqësonte shije personale. Nuk është ky rasti, ku kënga, apo perfomanca bëhet për qejfin tënd.

-Ju keni qenë prej disa vitesh drejtor artistik në Festivalin e Këngës në RTSH. Të organizosh një festival të tillë, çfarë duhet synuar?

Festivali është një organizim gjigant, që duam apo s’duam, vetëm RTSH arrin ta përballojë. Do angazhim të madh, do staf të madh. Do buxhet, do njerëz shumë, do teknikë të specializuar sepse luhet i gjithi live, etj, ndaj edhe është unik në llojin e tij. Është shumë lehtë, kur e shikon nga jashtë ta gjykosh festivalin.Por është shumë e vështirë ta ndërtosh mirë nga brenda.

Në cilësinë edhe të njërit prej drejtuesve për disa vite mendoj se gjithmonë festivali ka pasur dhe do të ketë problematika të ndryshme. Por e rëndësishme është që vit pas viti ato të korrigjohen dhe mos të përsëriten më. Festival perfekt nuk ka, as Sanremo nga i cili është frymëzuar festivali ynë kur është krijuar, nuk është perfekt. Edhe atje ka probleme, debate, diskutime, pakënaqësi artistësh, etj, por në fund të fundit Sanremo është Sanremo thonë italianët.

Dhe me të drejtë pasi ata nuk mendojnë që të kthejnë politikat e Sanremos nga “Eurovisioni”, por të përfaqësohen me më të mirën e Sanremos në “Eurovizion”. Kemi parasysh këtu që në “Eurovizion” kanë kënduar nga “Sanremo”, nga Modugno e Cotugno deri te klasikët “Il Volo”, apo hip-hopisti Mahmood. 

Çfarë performance, apo baleti kishin “Il Volo”, që dolën të dytët, në “Eurovizion”? Po Ermal Meta, apo Mahmood, çfarë kishin të jashtëzakonshme në këtë drejtim? Kishin këngën! Kishin fabul, muzikë dhe interpretim dhe u vlerësuan maksimalisht. E mora “Sanremon” si shembull. Sepse në Evropë, vetëm dy festivale janë tradicionale dhe janë njëqind për qind live: Sanremo dhe Festivali i Këngës në Shqipëri.

Ne jemi vend i vogël dhe nuk kemi buxhetet e Sanremos, por e sigurt është se kemi krijues dhe interpretë të mrekullueshëm. Që i ka zili edhe bota, dhe festivali duhet të mbështetet pikërisht aty, për të evidentuar talentet. Por njëkohësisht edhe krijimtarinë tonë. Në festivalin e 58-të u pranuan këngë edhe nga kompozitorë të huaj, që për mendimin tim ishte gabim që u korrigjua.

Në fund të fundit festivali mbahet nga buxheti i shqiptarëve dhe duhet t’ju shërbejë atyre, duhet të inkurajojë talentet dhe artistët vendas. Sa për dijeni, Shqipëria edhe rezultatet më të mira në “Eurovision” i ka pasur kur ka kënduar shqip. Pra nuk ka nevojë të kalojmë kufijtë e normales për të bërë ekzibicion. Apo skupe që në fund të dukemi interesantë, apo avangardistë dhe të na vlerësojnë. Nuk duhet ta kthejmë festivalin në qëllim në vetvete të “Eurovizionit”. Por të eksportojmë në “Eurovizion” produktin artistik më të mirë!

Në natën finale, kishte këngë me melodi dhe mesazhe të forta emocionale. Kishte shumë këngëtarë të rinj, që vinin nga “The Voice” nëpër Evropë. Si asnjëherë më parë dhe ky model tregon shumë edhe për ne. Tregon për hapësirat dhe vlerësimin që ju japin shtetet e tjera, talenteve dhe zërave të mrekullueshëm, si për shembull Azerbajxhani, Anglia, Belgjika, Polonia, Greqia etj.

-Çfarë ndodh nga zhvillimi i festivalit të këngës në RTSH, deri te përfaqësimi në “Eurovizion”. A ka një grup pune, që merret me mbarëvajtjen e këngës për në “Eurovizion”?

Të jem i sinqertë, vitet e fundit kam menduar se “Eurovisioni” ia ka komplikuar shumë punët festivalit dhe këtë e them me bindje. Po e dëmton deri aty, sa po i humbet identitetin festivalit. Ka arritur në pikën që festivalit i afrohen artistë thjeshtë dhe vetëm se kanë synim “Eurovizionin”. Dhe më pas, as duan t’ia dinë se ekziston më një i tillë.

Sigurisht që këta artistë kanë marketing të fortë dhe shumë mirë që vendosin të jenë pjesëmarrës në festival. Se i japin një përmasë tjetër festivalit, që duhet të lëvizë me kohën, duhet të jetë në tregun muzikor. Duhet të jetë pjesë e diskutimeve të faqeve online, etj, por në anën tjetër, jo të humbasë qëllimin. Pa filluar festivali, fillojnë thashethemet dhe aludimet, se e fiton ky ose ajo, është i blerë, është i shitur, etj, legjenda urbane që nuk kanë asnjë lidhje organike me festivalin si produkt.

Ndaj, mendoj se struktura e festivalit duhet riparë, duhet gjetur një modul tjetër që të ndahet konkurrimi i festivalit nga kënga përfaqësuese për në “Eurovizion”. Festivali ka si objektiv krijimtarinë, quhet “Festivali i Këngës”. Që për fat, sivjet festoi 60-vjetorin, kurse “Eurovizion” ka dimensione të tjera në drejtim të perfomancave, shout etj. dhe duhet të jetë konkretizim i projektit të festivalit.

Ashtu siç bordi miraton festivalin si projekt, ashtu edhe duhet t’i paraqitet për diskutim e gjithë perfomanca që mendohet të realizohet në “Eurovizion”. Të jeni të sigurt, se nëse ndodh kështu, shumë gjëra do të rregullohen dhe përfaqësimi ynë. Nuk do mbetet në shijet personale të artistit, apo menaxherit të tij. Në të gjithë vendet që marrin pjesë në “Eurovizion”, artisti performues është kontraktual kurse producenti (RTSH) është ai që dikton gjithçka.

Nuk e di nëse në këtë vit ka pasur një grup pune për të mbikëqyrur procesin e mbarëvajtjes së këngës deri në fund. Për sa i përket përfaqësimit dinjitoz, kjo nuk ka ndonjë formulë të gatshme. Mjafton që të jetë përzgjedhur një artist i mirë, i cili përfaqësohet me një perfomancë të bukur në çdo komponent. Shqipëria edhe ka hyrë edhe nuk ka hyrë në finale dhe kjo nuk mund të quhet fitore, apo dështim në çdo rast, por perfomanca dinjitoze dhe emocionuese e çdo artisti, ka shumë rëndësi dhe vlerë.

-Sa kanë përgjegjësi komisionet përzgjedhëse të këngëve, që në skenë publiku të shohë këngë të bukura?

-Komisionet përzgjedhëse, gjithmonë filtrojnë prurjet e çdo viti në festival dhe sigurisht, kanë një peshë dhe përgjegjësi të madhe. Komisionet përzgjedhëse, grupi artistik, organizatorët sigurisht që duhet të jenë përgjegjës deri në fund të festivalit dhe përfaqësimit në “Eurovizion”. Në raste kur këngët kanë sukses, apo shfaqen me problematika të caktuara në “Eurovizion” nuk është dinjitoze, pikë së pari është edhe sukses ose jo, i drejtimit artistik. Gjithçka fillon aty.

-Një këngë e bukur, çfarë duhet të përmbajë?

Nëse do të kishte recetë, do ta bënte kushdo një këngë të bukur, por kjo punë nuk ka receta. Kënga është ndjesi, është proces emocional, është shpirtërore, ndaj mjafton të ketë këto, për të qenë një këngë e bukur.


Lexo edhe:

RONELA FLET PAS DËSHTIMIT NË EUROVIZION: KUR NUK FITON, DO SHAHESH…

ObserverKult