Fan Noli: Plak, topall dhe ashik

Fan Noli

Dale, moj, se kam një fjalë
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.

Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.

E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.

Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u përlot.

Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.

ObserverKult


Fan Noli

Lexo edhe:

FAN NOLI PËR POLITIKANËT: JANË DISA QË NUK MUND T’I ÇNGJITËSH NGA KOLLTUKU EDHE PO T’UA PRESH DUAR E KOKË

Ja çfarë thoshte Fan Noli për Kolltukofagët

Kulltokofagët janë krimba të verdhë me kokë të zezë, që riten me plagët e infliktuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që munt t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një Athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjer sa i a prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; i a prenë dhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoj gjer sa i a prenë kokën.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult