
I shoh këto dy fytyra t’vogla
që m’janë dy dashunitë, dy Poezitë e mia ma t’mira,
n’përkujdesjen e Prozës sime t’vetme poetike
(që po e shkruej e po m’shkruen pa fjalë,
po me dritë, e ditë për ditë).
Dëshiroj t’jem n’atë mbrapavijë,
aty diku, aty mbrapa,
por jo me këtë pamje që kam,
po me pamjen e atij kali t’larmë n’atë sfond,
atij kali që asht me nji bukuri, përtej gjithë dritësive.
Kjo fotografi m’ban me kuptue,
se gjithnji paskam dëshirue me qenë nji kalë i larmë,
por pa qenë n’hama, pa qenë i mbyllun,
pa qenë i gardhuet,
dhe tuj qenë i lirë, i egër,
e me nji liri vrapimi, ma t’madhe, ma t’madhe,
shumë ma t’madhe se vithet e Bjeshkëve t’Nemuna…
atje diku… n’Rugovë…
ku kreja e burrit mbështillet
me qefinin e vdekjes…
ObserverKult
Lexo edhe: