Frederik Rreshpja: Vjollcë e vogël, o shpirt!

ishim frederik rreshpja poezi per nenen

Çeli vjollcë e vogël mbi gurishte
Si një ylber mbi planete të panjohur.

Kështu kam ëndërruar edhe unë dikur
Të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër,
Por tërë ato që thashë
U tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.

Më me fat janë perënditë
Që kthehen te toka të skalitur.

Ti s’ke për t’u skalitur kurrë,
E veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit.

Ky qe fati yt prej ylberi
Me një kryq shiu te koka
Por fati sundon tërë popujt e zotave
Të shumtë si rëra,
Vjollcë e vogël, o shpirt!

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR MÁRQUEZ FLISTE PËR ROMANIN “NJËQIND VJET VETMI”: TËRË FRIKË PYETA SE ÇFARË DREQIN DO TË VINTE MË PAS…

Aroma e Guajabës: (Fragment nga biseda e Plinio Mendozas  me Gabriel Garcia Márquez, për romanin Njëqind vjet vetmi.)

– Cili ishte momenti më i vështirë i romanit për ju?

– Fillimi. E kujtoj shumë mirë ditën kur, me shumë vështirësi, mbarova fjalinë e parë dhe, tërë frikë, pyeta se çfarë dreqin do të vinte më pas. Në fakt, derisa anija u gjet në mes të xhunglës, me të vërtetë nuk besoja se ky libër mund të mbërrinte diku. Por që nga ajo kohë, gjithçka ishte një lloj vrulli, por edhe shumë argëtim.

– A ju kujtohet dita kur e mbaruat? Sa ishte ora? Cila ishte gjendja juaj shpirtërore?

– Shkrova për tetëmbëdhjetë muaj, çdo ditë, nga nëntë e mëngjesit deri në tre pasdite. Sigurisht, e kuptova se ajo do të ishte dita e fundit e punës. Gjithsesi, libri arriti në fundin e tij natyrshëm, në mënyrë të paparashikuar, rreth orës njëmbëdhjetë të mëngjesit. Mercedesi nuk ishte në shtëpi dhe nuk gjeta askënd në telefon për t’i treguar. Më kujtohet çorientimi im sikur të kishte qenë dje: Nuk dija çfarë të bëja me kohën time të lirë dhe po përpiqesha të shpikja diçka që të mund të jetoja deri në tre të pasdites…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU