Gjama e Lekë Dukagjinit pranë Skënderbeut që kishte ndërruar jetë

Foto ilustrim

Jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh edhe me kthesa të papritura të fatit. Pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitur do t’u ishin nënshtruar herët osmanëve. Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit.

Sfidës së padëgjuar të ish-oficerit të tyre dezertor sulltanët i ishin përgjigjur me një ashpërsi të panjohur më parë.

Kështu jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpopullua nga osmanët. Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i t’et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i Krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh i vetëm mbi rrënojat e veprës së tij. Përreth tij ishte ulur në varr një botë e tërë, papët dhe sundimtarët, të cilët i kishin premtuar dhe dërguar ndihmë, fqinjët e tij të krishterë në Ballkanin sllav dhe grek, fisnikë të tjerë të Arbërisë, por sidomos shpura e tij e vogël e besnike e pasuesve. Vetëm se bota pas tij nuk deshi të dinte për këtë fat tragjik. ajo dëshiroi një hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë osmane. Kështu vazhdoi të jetojë Kastrioti i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, ndërkohë që u harrua se ai në të vertetë ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshoheshin kohët./Oliver Jens Schmitt

Gjama e Lekë Dukagjinit pranë Skënderbeut të vdekur

Edhe pas kaq kohësh lajmi për vdekjen e Skënderbeut ngjan si një gjëmë e vetme që jehon nga malet e Arbërisë. I gjithë vendi ishte i trazuar e në dëshpërim, njoftonin nga Durrësi në Venedik.

Paria e Arbërisë u mblodh së bashku për të vajtuar heroin e vet. Gjamtari ishte Lekë Dukagjini që përkulej mbi kufomën e rivalit të vet të vjetër, me të cilin së fundi kishin hequr rrethimin e Krujës.

Sipas Frankut, që pa dyshim do të ketë qenë dëshmitar, Leka bërtiste: «O Skanderbe, mbreti ynë, ti ngushëllim i mirë e i shenjtë yni, vllau e mburoja jonë, si na le kështu si jetimë, si delet pa bari?

Si të shpëtojmë tash nga duert e turqve të pabesë, armiqve tanë kaq të fuqishëm?

O mjerë popujt tanë! Mjerë i madh e i vogël! Mjerë Arbnia». Kudo në Ballkan, prej Korfuzit deri në Dalmaci, të krishterët e pritën lajmin me dëshpërim. Në Arbëri heroit iu ngritën këngë e legjenda. Dëgjoheshin ngado vajet e ligjet, të cilat i dinte edhe i ati i Cabellicos. Thanë se kali besnik i Skënderbeut, që nuk duronte mbi shpinë askënd tjetër veç të zot, kishte derdhur lot të vërtetë, ditë e natë kishte rrahur dheun me thundër e pastaj ishte këputur përtokë pa u ngritur më.

«Një burrë gati hyjnor»

Pas vdekjes së Skënderbeut veteranët tregonin se ai kishte vrarë i vetëm në luftë 3000 osmanë. Tregojnë si veçori që Skënderbeu nganjëherë kafshonte buzën deri sa fillonte t’i dilte gjak.

Barleti, prifti, shkon aq larg saqë e lëvdon si «një burrë gati hyjnor». Sesi shihej e pranohej Skënderbeu edhe në ato qarqe fisnike, të cilat i rrinin me mosbesim, këtë e dëftejnë shënimet e Joan Muzakit, i cili flet për «virtù e valore» të Skënderbeut, për dinakërinë e tij në marrjen e Krujës befasisht, kur e quan kapedan me rëndësi.

Për Musachin zotëria i vërtetë dallohet ngaqë është «huomo de core e che ualeva». Ai e lëvdon Skënderbeun si «të urtë, të virtytshëm e shpirtmirë»; por sidomos që: «ishte më i madhi zotëri nga të gjithë paraardhësit e tij».

Heroi nuk është vetëm një luftëtar i madh, por dhe një gjuetar i shkëlqyer: kur del për gjah ai kalëron në ultësirat e gjera arbre anë detit dhe shtrin përdhe më një të goditur arinj, kaproj, ujq.

Franko tregon si anekdotën më të famshme të gjahut, një ngjarje gjatë fushatës së Skënderbeut në Pulje (1461); në sytë e mbretit Ferrante dhe oborrtarëve të tij ai, me një të rënë të shpatës, shtrin përtokë një harkoç.

Në Arbëri njerëzit ishin shtangur edhe nga një ndodhi tjetër gjahu: në pyllin e motrës së tij, Mamicës, ishte një derr i egër që u kishte bërë njerëzve dëme të mëdha, aq sa edhe bujarët merrnin vrapin kur e shikonin; mirëpo heroi më shkathtësi të jashtëzakonshme ia hoqi kokën shtazës me «një të rënë të bukur të shpatës».

Me habi e admirim shihen kali dhe armët e heroit: osmanët thuhet se kishin një frikë fetare ndaj shpatës së Skënderbeut; kjo shpatë mbahej se çante koraca, përkrenare, armatime të çdo lloji, transmeton ‘konica.al’.

Heroi zotëronte tri shpata të tilla, bujarisht ia pat dërguar njërën prej tyre kundërshtarit të vet, sulltanit, kur u mësua se ky fort e dëshironte – mirëpo as ai as të mëdhenjtë e tjerë osmanë nuk e përdornin dot këtë shpatë.

Nga: «Skënderbeu»,  Oliver Jens Schmitt

————–

LEXO EDHE:

Vdekja e Skënderbeut, sipas legjendave të popullit

ObserverKult