Gjergj Jozef Kola: Gegnishtja, e vetmja kolonë e natyrshme vertebrale e kombit tonë

gjergj jozef kola

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Gjergj Jozef Kola.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Dashunija e madhe e pa kompromis, ajo që të ndjek deri në fund të botës e na e mbush krahnorin me frymë, asht lumtunija e përkryeme. Unë i du njerzit që udhëtojnë mbarë botën me ndeshë dashuninë e tyne.

Cila është frika juaj më e madhe?

Me humbë njerzit që du me gjithë zemër… Me humbë gjanat që du me gjithë zemër. Frika me dashtë shumë, sepse ke frikë që e humb. Unë edhe Gegnishten e du shumë. E para, se asht shkrue 5 shekuj nën pushtimin osman dhe e dyta, sepse asht e vetmja kolonë e natyrshme vertebrale e kombit tonë, që kapërcen te tanë kufijtë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Poetin Visar Zhiti, që i kallxon kombit tonë drejtimin shpirtnor e intelektual. Patëm shumë shpresë se do të zgjidhej president i vendit, si njeri intergrues e mbi të gjitha poet në shpirt e pendë. Porse, politika shqiptare tashma asht ma shumë nji pazar interesash, se sa nji piedestal për bijtë ma të mirë të kombit.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Në kombin tonë, Ai, të cilit i kam marrë edhe emnin: Identiteti ynë: Gjergj Kastrioti. Në botë, me Moisiun që libroi popullin nga prangat e skllavnisë. Uroj që shekulli XXI ta lindi nji shqiptar të tillë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Përpjekja për perfeksionizëm, i cili në kët botë kaq të papërsosun nuk mund të egzistojnë. Ndoshta këtu ka ndikue sadopak edhe përshtatja jeme në jetën austriake, ku gjithçka duhet të jetë e përkryeme. Bota asht e shtrueme në asfalt, ndërsa Austria në kulturë, thotë nji fjalë e vjetër.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Dyftyrësija, kjo asht skicofrenija e shpirtit njerzor. Njeriu në jetë ndjek vetëm nji rrugë deri në fund, sepse nuk i kena dy jetë. Kështu që ti nuk mundesh me pasë dy fytyra. Na kena nji politikan në Shqipni, që nadje thot jam ateist, në mjesditë jam besimtar, e në darkë jam agnostik, triftyrësi pra…

Në cilat gjëra e teproni?

Me plazhin. Unë jam gati të rri nga nadja herët deri në darkë vonë në dete… Italia në kët verë ishte edhe prova. Duket asht thirrja e lashtë e njeriut kur braktisi malet e ra në bregtete e ndërtoi qytet e para, që më shkund në verë… Në Duino ndodhet edhe “RRUGA E RILKES” e më duket se marr frymëzim aty.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Rrenacaku, ai qe më rren, atë kisha pasë dëshirë mjaft me e rrejtë për me i dhanë mësimin: çka ja ban tjetrit e pëson vetë. Në fakt vetë egzistenca jonë asht e ndërtueme për njeriun kështu: Kush asht i ndershëm, ashtu e kalon jetën deri në fund, i drejtë si nji lis. Kush rren, ai shtremnohet deri në fund, derisa të mbylli sytë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Në Vjenë ka nji promenatë poetësh, ku unë kaloj shpesh kur kam kohë të lirë e aty përpiqem me gjetë vedin, të cilin shpesh nga travajet e jetës e la mbas doret. Vedin=poetin pra. Porse edhe në Media apo Netflix kërkoj filmin poetik, asnjherë dhunën e krimin.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Gott sei Dank! I Falem nderes Zotit.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Keq më ka ardhë se jam largu prej qytetlindjes, Shkodrës, atëhere kur demokracija kishte kaq shumë nevojë, porse jam përpjekë me i ndej afër me letërsinë teme. Me 10 romanet e 60 dramat e dhjetra tregime të cilat flasin për te. Prej aty kam edhe bashkorten e jetës. Sikur të vendoset ligji në Shqipni, unë nesër kthehem në Shkodërloce.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Fëmija e mi dhe ajo pak poezi e mirë që afron bota sot.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Jam me pushimet dymujore të shkollës, kështuqë jam krejt i qetë e numëroj anijet, si mirazhe. Projektet që kam me marrë në dorë në kët vjeshtë… Mbi të gjitha spikat Premierën e Dramës “Requiem për Musine Kokalarin” në Vjenë, për mbarë Diasporën shqiptare në botën gjermanofolëse e ngritun në skenë nga Regjisori i talentuem Genti Cajani dhe Murat Zherka (Filmi), në drejtim të poeteshës intelektuale shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Dijana Toska dhe me aktoren e jashtzakonshme, ikonën e skenës shqiptare, Valdeta Ismaili.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Me mujtë me pasë, e me marrë sytë e nanës, të cilën e kam humbë tash 10 vjet e kam mallë për to.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Diplomën EUROPA dhanë nga Qeveria austriake për dramën: Nanë Tereza. Si dhe vetë ketë dramë që asht arritja ma e madhe edhe si dramaturg, për vetë vështirësinë e temës. Agetina e motra e Nanë Terezës thotë në dramë: UNË NUK KISHA ME DASHTË KURRË QË MOTRËN TEME AGNES ME E PERSHKRUE DIKUSH ME STILIN REALSOCIALIST APO ME KIÇIN E KONSUMIT…

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Shumë pak gjana, porse do ishin përpjekje për perfeksionizmin e nuk do të kishin çue peshë fort… 30 vjet ma parë kam nisë studimet pedagogjike në Graz, ndoshta të kisha shtu edhe ndonji studim tjetër, bjen fjala dramaturgji, do kishte qenë mirë, megjithse arti asht me konkurs në Austri, ndërsa mësuesija me ATEST AFTËSIJE… Porse sot jam i lumtun se kam 25 vjet që jap mesim …

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Kisha me dashtë me kenë me këto mend që kam sot, porse në moshën e rinisë, e jo nën diktaturën komuniste, shenjat e të cilës i kam ende mbi lëkurë… porse në nji vend demokratik kudo në botë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Dashunia, dashunia me e dhanë, e dashunia me e marrë, dashunia që jap e dashunia që marr.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Që në shekullin 21 ka ende njerëz që vuejnë nga URIJA SHPIRTNORE! Nji miliard njerëz nuk dijnë me shkrue e lexue, nji miliard që nuk kanë me e shkru kurrë nji poezi…

Ku do të dëshironit të jetonit?

Në Shkodër, në qytetin ku kam njoftë për herë të parë, dashuninë e parë e të madhe… Në qytetin që ka katapultu kombin tonë nga mesjeta në shekullin XX me dy kolegjet ma të mira të kohës në botë: Saverian e Franceskan. Aty ku u formue, Faik Konica e Gjergj Fishta, Ndre Mjeda e Arshi Pipa, Martin Camaj e Prenk Jakova… E qindra të tjerë poetë e artistë të kombit tonë.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Mirësija dhe virtytet arbnore që trashegoj nga shekujt!

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Burrninë! Besën, Fjalën e dhanë!

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Instiktin e saj të pagabueshëm.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

R I L K E NË BOTE – FISHTA NË ATDHE

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ibrahim Rugova asht nji hero i jashtzakonshëm, sepse pati aftësinë në momentin e duhun me kapë fatin e kombit dhe me e kalu matanë lumit pa u mbytë… Unë e kam taku në Vjenë e ruej kujtimet ma të bukura e madje i kam kushtue edhe nji dramë, e cila mjerisht nuk gjeti asnji skenë në Kosovë…

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Talentin e Jezu Krishtit: me dashtë tanë botën, e me ia dëshmu me mrekullitë e jetës…

Si do të dëshironit të vdisnit?

Tue ndi “Nessun Dorma”, të këndueme nga Pavaroti.

Cila është motoja juaj?

Ajo që njihet në mbarë popujt e botës: JETO VETE E LENI TË JETOJNË EDHE TË TJERËT!

ObserverKult

Lexo edhe:

GJERGJ JOZEF KOLA: DASHUNIA JONË NUK KA TË NGJASHME…