Pyetësori i Prustit: Orjela Stafasani

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet përkthyesja Orjela Stafasani.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer… Të them të drejtën, deri tani, nuk jam preokupuar kurrë për këtë, pasi siç thotë Camus-ja: “nuk do të jesh kurrë i lumtur nëse vazhdon të kërkosh kuptimin e lumturisë”.

Cila është frika juaj më e madhe?
Ajo që do të vijë, e ardhmja, “sepse në të ardhmen, mes të tjerash është edhe vdekja”, thotë Sabato.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Lista është e gjatë. Ernesto Sabato, Jorge Luis Borges, Thomas Mann, Mario Vargas Llosa, Umberto Eco, Italo Calvino, e shumë e shumë të tjerë. Veç njëri nga këta që përmenda është gjallë fizikisht, por as të tjerët nuk kanë vdekur, pasi arti i tyre i ka bërë të përjetshëm.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Buddha.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Jam në paqe me veten, i kam pranuar defektet e mia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?
Puno për shpëtimin tënd, mos u var nga të tjerët, thotë Buddha. Pra, të tjerët nuk kanë rëndësi.

Në cilat gjëra e teproni?
Nuk e di. Mundohem ta ruaj masën.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Përpiqem të mos gënjej.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Deri tani kam udhëtuar nëpër vendet ku u lind dhe ku vijoi kultura perëndimore (Greqia, Italia, Gjermania, etj), do të më pëlqente të njihja edhe kulturat e tjera, dhe të tilla ka shumë. Shpresoj të më mjaftojë koha që t’i vizitoj të gjitha.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Në rregull.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Latinët thonë: “errare humanum est”.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Jeta për mua është, ashtu siç thotë Goethe, dëgjimi i një muzike të mirë, leximi i një poezie të mirë (apo çdolloj zhanri të letërsisë), shikimi i një pikture të bukur dhe, unë do të shtoja, edhe prania e një personi me të cilin të flasësh për këto gjëra. Mendoj se të gjitha këto japin përgjigjen e dashurisë së jetës sime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Duke pasur parasysh mjerimin në të cilin po jetojmë, ajo (mendja) po qëndron stoikisht.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
E kam pranuar veten kështu siç jam.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Punën time si përkthyese. Kjo nuk është arritje në kuptimin fillestar të fjalës, por plotësim i gjendjes sime njerëzore, pasi më duket se në të kam gjetur kuptimin e qenies sime mbi tokë. Është gjëja që më së shumti më apasionon.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk e di.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Send, kurrsesi. Do të doja të kthehesha kështu siç jam, që të mund të plotësoj gjërat që deri në fund të kësaj jete nuk do të arrij t’i përmbush.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Librat.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën, mosdijen, se këto prodhojnë edhe korrupsionin dhe sjellin gjendjen e mjerueshme në të cilën është Kosova sot (në arsim kryesisht, meqë është edhe fusha ku ndihem më kompetente).

Ku do të dëshironit të jetonit?
Ky është problemi kryesor në jetën time, në ditën e fundit të çdo udhëtimi që bëj jashtë Shqipërisë dhe Kosovës më kap një trishtim i papërshkrueshëm, pasi dua të qëndroj në ato vende. Por, nëse nisem prej formimit tim, vendi ku kam ëndërruar gjithmonë të jetoj, është Parisi (ende nuk e kam parë). Parisi dhe frëngjishtja më janë dukur gjithmonë si diçka par excellence dhe si personazhi i filmit të Woody Allen-it në “Midnight in Paris”, do të doja të shëtisja nëpër rrugët e këtij qyteti dhe të “takoja” Hemingway-in, Fitzgerald-in, Dali-në, Picasso-n, Stein-in, Sartre-n, e shumë të tjerë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
E vlerësoj shumë mashkullin me të cilin ndajmë interesat e përbashkëta.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Kur di të jetë shoqe e mirë, përtej çdo interesi, përtej çdo distance në hapësirë, ajo është gjithmonë aty, sa herë që të kesh nevojë për të.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Asnjë njeri që e ka studiuar letërsinë nuk mund ta dojë veç një shkrimtar. Por nëse duhet të jap disa emra, atëherë ata janë: Homeri, Dante, Shakespeare, Goethe, Gogoli, Tolstoj, Dostojevski, Mann, Hesse, Camus, Joyce, T. S. Eliot,  Sabato, Borges, Pavese, Calvino, Eco, Llosa, Cercas dhe nja pesëqind të tjerë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Nuk kam heronj. Thjesht mundohem ta gjej kuptimin e ardhjes sime në tokë dhe ta justifikoj këtë ardhje përpara se të largohem.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Ka shumë, po unë po e zhvilloj talentin që kam.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në fakt, unë e dua shumë jetën dhe nuk do të doja të vdisja…

Cila është motoja juaj?
Veni, vidi, vici tha Jul Çezari. Unë dy të parat i kam kryer, ndërsa të tretën, do ta konsideroj të plotësuar nëse do të arrij të lë shenjë edhe pas qëndrimit tim të përkohshëm në tokë./Gazeta Observer