Gjergj Mihallari: Tingujt e heshtjes

Gjergj Mihallari

1.
ti ëndërron paaritshmërinë
kupolë gjithësie
idealen dëshiron pranë
përzjerë
me shfryrje ndjenjash,
oreks i pangopur erotik
ndaj heshtim të dy
shndërohemi në satelitë
për të mos u takuar kurrë
në gjithësi…
2.
…do të doja të mendoja
me mëndjen tënde
dhe të grisja heshtjen e mbetur
por më kot,
se ti
flet me gjuhën time
dhe përcjell heshtjen tënde
tek unë…
3.
unë jam pranë teje
dhe për një çast hesht
për të menduar një fjalë,
një varg
me gishta mbështetur
mbi tastat e makinës së shkrimit
pret dhe thua:
-Hë vazhdo,përse hesht?

4.
Errësira
ka gjuhën e saj
me fjalë yjesh dhe nanurisje gjumi
Deti
ka gjuhën e tij të heshtjes
me rrafshimin e valëve gënjeshtare
me fërshëllima guackash e sirenash
por unë
jo
nuk mundem dot të hesht!

5.
Qiriri copëton errësirën e dhomës
ka veshur petkat e heshtjes
fjolla e kujtimeve të tua
shëndrohen në erën e marrë të ndjenjës
dhe shprish gjithcka.