“Gjuhët e Rozafës”, tregim nga Ndue Dedaj

Ndue Dedaj

Nga Ndue Dedaj

Rozafa nuk kishte fjetur qysh se qe murosur në kështjellë. Por as zgjuar nuk kishte qenë. E kredhur në një gjendje përgjumjeje, ajo kurrë nuk shihte ëndrra. Nuk i kishte nxjerrë sytë asnjëherë nga zgavra e gurtë. Atë ditë që iu dha të ngrihej në këmbë, ndjeu se kyçet nuk e mbanin. Pak nga pak u drejtua sa për të qëndruar ndenjur. Atëbotë, nga frengjia përballë, sytë i shkuan drejt e mbi liqen. Ishte si i lëbardhë. Thua të jetë bërë i tillë nga qumështi im i gjirit? S’ka si të jetë ndryshe, mendoi. Atje, skaj tij, në një lendinë të blertë, po kulloste një kalë i pangjyrë. Ishte kali me të cilin ajo pati ardhur nuse…

I hoqi sytë prej vitheve të atij kali. Vuri re se para saj ishin dyndur plot njerëz. Asnjëherë nuk qe bërë kurreshtare se çfarë thoshin ata, por kësaj here, për çudi, po. Donte të dinte se si e rrëfenin historinë e saj të mugët. Mirëpo sakaq u kujtua se ajo nuk kishte gjuhë, nuk i rridhnin fjalë për gojë që t’i pyeste ata gjind. Kishte harruar qysh kur e kishte humbur gjuhën, të folurit, të qeshurit, të qarit. Në kokë i vlonin plot gjëra, por kur vinte puna t’i shqiptonte, i dukej se gojën ia kishin zënë me shtupë. Kështu kishin bërë njëherë ustallarët e kështjellës, i kishin vënë një tapë të madhe pusit, sa të mbaronin disa punime në pjesën e jashtme dhe kur ia kishin hequr pastaj tapën, ujët nuk ishte ngjitur më mbi tokë…

Rozafa tashmë kishte harruar se si pati ndodhur atë muzg të vranët murosja e saj aty, i kujtohej vetëm ajo mjegulla e dendur, e përhime, që ende rrinte pezull brigjeve. Kishin ndërruar jetë me kohë e me vakt tre vllaznit ndërtues të asaj kështjelle, ku vëllai vogël ndër ta kishte qenë i shoqi, dy kunatat e saj fatlume, gruaja e vëllait të parë dhe ajo e vëllait të dytë, që nganjëherë i bëhej se kishin qenë motrat e saj trinjake. Kishte ndërruar jetë dhe i biri dhe varrin e tij i dukej se e mbante në gjoks. Kurse ajo vetë, po ndihej e gjallë mbas aq shekujsh! Nuk dinte nëse kishte pasë vdekur e pastaj ishte ringjallur, apo kishte qenë gjithmonë ashtu, në një gjendje të ndërmjetme, as e krejt e gjallë e as krejt e vdekur. Po të kishte qenë e vdekur, si do ta ushqente të birin vogëlish me gji? Po të ishte e gjallë, si do të qendronte pafundësisht në atë ngujim të hatashëm pa u zanue me e shemb atë mur kështjelle që e mbante mbërthyer shtatin e saj si brenda nofullave të dragoit? Po pse duhej ta vriste tani mendjen për këto. Fati i saj ishte i pandryshueshëm. Ajo do të qëndronte ashtu sa t’i binte dielli tokës, duke soditur atë liqen ujëbardhë, me kroje të bardha sipër kreshtave. Të kishte rënë dëborë, ajo do të ishte shkrirë e ai liqen nuk do të ishte i bardhë, por tambli i gjirit nuk shkrinte e as nuk ngrinte kurrë. Aty ajo kishte përballuar shkreptimat e motit, në të vranët e në të kthjellët, vetëtimat e bubullimat që çanin retë, rrufetë që lëvorëzonin trungjet e lisave. “Në të mirë e në të keq”, i vetoi në krye kjo frazë qiellore që nuk i thoshte më asgjë. Kur e kishte dëgjuar prej të shoqit atëherë i ishte dukur se do të ishte më e fortë se kjo kështjellë, por befas ato fjalë ishin shuar si gëlqerja në ujë…

Ndihej e gjallë, por jo e ringjallur. A ishte kjo një lumturi për të? Prit! Çfarë thonë këta njerëz? Shihej qartë që ata flisnin gjuhë të ndryshme, të pakuptueshme prej saj. Ishin të gjithë kalimtarë, përpos rojtarit të kështjellës dhe ciceronit me frak, që mbante një shafetë mbi krye e një shkop gjithë dhanj në dorë. Ata gjind ia ngulnin një çast sytë Rozafës dhe pastaj largoheshin me njëfarë fodullëku, kurse vetullat prej lëmyshku të saj nisnin e shkrinin si stalaktite. Filmonin papushim me disa kamera qafëgjata që lëshonin një zhurmë zhuzhitëse si të gjinkallave në zheg, sikur çfarë po bënin. Ata njerëz nuk e kuptonin gjuhën e saj dhe ajo nuk kuptonte gjuhët e tyre, që duhet të ishin gjuhë të vdekura. Nëse ajo do të kishte vazhduar të qendronte e vdekur, me siguri që do t’i kuptonte ato gjuhë, por ajo tashmë kishte ikur nga kumbanorja e të shumtëve dhe pse nuk kishte hyrë në odën e të gjallëve, ku piheshin pafund kafe zije.

Për një çast i vetiu në krye një mendim i habitshëm, çfarë kishte fituar bota nga soditësit? Asgjë. Po ta vinin trurin në punë ata do ta kuptonin se ai liqeni ishte bërë i bardhë jo nga ujërat gëlqerore – të ishte nga ato, uji do të ishte i kaltër! – por nga tambi i gjirit tim të murosur.

“As që dua t’ju dëgjoj më, t’iu thuash këtyre njerëzve se si ngjau që unë përfundova këtu! Ke kaq shekuj që shqipton të njëjtën gjë! A thua se po tregon një përrallë?” – iu drejtua ajo ciceronit plak.

“Çfarë tjetër mund t’iu them!?” – shqeu ai sytë nga e papritura.

“Njerëzit duhet të dinë se çfarë ndodhi më mbrapa, me tim bir, a rroi e trashëgoi, çfarë ngjau me këtë kështjellë të fantaksur, me qytetin prej të cilit buron Buena, teksa kockat e mia këtu në mur nuk gjenin kurrë prehje?”

“Balada nuk thotë asgjë për këto!” – deshi të mbrohej ai.

““E di, është shkruar në përgamenë, me majën e daltës, me gjakun tim, germë për germë…”

“Atëherë, ç’faj kam unë, kur rapsodia jote nuk thotë më shumë?”

“Të gjithë keni faj, të gjithë, edhe ai plaku që i këshilloi tre vllaznit për besën kobzezë të flijimit…  Pa më thuaj, a pati një proces për tim shoq, a u dënua ai nga gjykata, nga princi, nga senati, nga republika, pasi kishte kryer një krim!? Besa që ai i dha vllazënve të tij qe fatale për mua. Më vrau besa e tij, në bukën e tyne. Si mund të vrasë besa?!”

“O, pse m’i thoni këto, unë jam veçse një ciceron!…”

“Ti je kryesori, pasi je ngarkuar të shpallësh të vërtetën! Ajo është përtej asaj që thuhet e që shihet!…”

“Atë kam bërë, nuk e sheh si më është ngjirur zëri?”

“Jo, nuk e kë bërë dhe nuk mund ta bëje! Pse s’u thua vizitorëve, çfarë do të ndodhte me këtë kështjellë, nëse dhe im shoq do të bënte si dy të tjerët, vllaznit e tij më të mëdhenj, pra nëse do ta thyente dhe ai besën treshe, duke më thënë mua, gruas së tij, se ajo ngrehinë madhështore nuk mund të qendronte pa u flijuar njëra nga ne të tre gratë e vllaznisë?”

“O Zot, çfarë gjyqi, ç’pate që u zgjove, Rozafë? Ishe mirë aty, e pagojë!” – briti ciceroni.

“Kjo po, kjo do të kishte kuptim, – vijoi ajo në të veten, – mirëpo këta soditës, ardhur nga ana e anës, që përtej deteve e oqeaneve, thuaj në dash përtej botës e kohës, vetëm sa rrinë e përtypin mitin tim pa ndërprerë, njëlloj si dhitë gjethin në kërrabën e vathit…”

Ciceroni ishte dorëzuar, vetëm dëgjonte kumtin e saj që binte si breshër i ftohtë mbi muret e kështjellës pa çati. Ajo, qenia e sh’murosur, kishte dalë nga vetja e vdekur dhe sokëllinte me një zë përherë e më kumbues:

“Nuk e sheh! Tash sa shekuj që gjindja vjen vërdallë cicës sime të qitur jashtë murit, pa bërë “eh” as “oh”, ndoshta dhe duke u tunduar prej saj burrat e dheut, por sytë e tyre asnjëherë nuk e panë atë kalin në skaj të liqenit! Si është e mundur që nuk e panë? Ai kalë ishte gjithnjë aty jo më kot. Priste që njerëzit, në vend që të më këqyrnin mua me habi, të më çlironin nga nofullat e dragoit të gurtë e unë t’i kërceja sërish atij mbi shalë, si atëherë kur erdha nuse në shpinë e tre vllazënve! Ja, për këtë ai kalë nuk mplaket…!”

Vizitorët prisnin që ciceronit t’i vinte gjuha e t’iu thoshte gjëmën historike të murimit, por ishte e pamundur. Ndërkohë që e murosura vazhdonte ligjërimin e saj të pazakontë:

“Nëse do të ndodhte mrekullia e unë të hipja sërish në atë kalë dhe jo në këtë ku jam, se dhe ky kalë është – veçse kalë vdekjeje – unë do të kisha lindur shumë fëmijë, mbase aq sa gishtat e dy duarve. Por soditësit u mjaftuan duke parë se si rridhte gjiri im dhe mbushte atë liqenin tej e tej…, që pastaj vërshonte qetësisht nëpër lumin që derdhej në det…”

Ciceroni gjuhëlidhur heshtte si një mumje e travluar keqas, kurse Rozafa kah s’e bridhte fjalën atyre brigjeve, kishte hak, aq shekuj pa gjuhë:

“Gjithmonë kam menduar se si mund të ishte aq e qetë Buena, aq e patrazuar, aq e fjetur, thua se do të mbytej brenda vetes, por mbase ishte ngathur e paralizuar ngaqë kishte parë me sytë e saj vashërorë vdekjen time të pashembullt. Vdekje biblike, vdekje e një epoke, vdekje e pavdekshme, çfarë nuk patën thënë atëherë njerëzit, si të ishin mosbesues ndaj saj…”

Sakaq gjuhëkyçurit i zunë sytë një burrë të panjohur, që i kishte kaluar si vjedhurazi rojës së kështjellës dhe po e kundronte Rozafën si i pacipë, me sytë ngulur në cicën e saj që kullonte tambël. Iu duk tip i dyshimtë, por nuk ishte detyra e tij të survejonte të dyshimtit, le që e kishin rënë në kokë ato fjalë që kishin brufulluar përnjëherësh nga goja e gruas së murosur.

…Deri atë çast Rozafa pati humbur të gjitha shpresat se gjuha e saj mund të ç’kyçej, kur ndjeu brenda trurit të saj të lëvrinin fjalët si në një koshere bletësh. Por ndodhi mrekullia, ajo jo vetëm që po fliste gjuhën e saj arbre, si motmotesh, kur i këndonte ninulla guri (jo djepi) kërthinit të saj, por tashmë ajo kishte mundësi të jepte e merrte në të gjitha ato gjuhë që flisnin vizitorët e kështjellës, por dhe në disa gjuhë të stërlashta, a thua se aty po ngjalleshin gjuhët e vdekura të andej e këndej detit!? Nuk e dinte se ç’gjuhë ishin, si quheshin, cilëve popuj u përkisnin, a rronin apo jo ata popuj, ndonjëri prej tyre mund të kishte pasur fatin e saj, të murosej… Fat gruaje duhej të kishin dhe gjuhët e vdekura, dhe popujt e shuar të atyre gjuhëve! Se cili burrë do të kishte pranuar të murosej për së gjalli si ajo grua, që të gjithë njëzëri thoshin se vinte nga legjenda! Jooo, ajo ishte bijë e legjendës, aq sa mund të ishte dhe kështjella legjendare, por siç dihej, kështjella kishte qenë përherë e topave dhe luftës e jo e legjendave. Ajo femër kishte shkuar në altarin e vdekjes nga vetëdija që ajo kala të qëndronte, çka nuk do ta bënte asnjë burrë! Si nuk ju ka shkuar mendja, o ciceronë të mjerë, t’iu thoni këtyre vizitorëve të panumërt, se në këtë botë janë flijuar vetëm gratë? I vetmi burrë që u kryqëzua ka qenë Jezusi, por ai u bë Zot, kurse gratë kanë mbetur sërish ato që ishin, vdekëtaret e fatit të nëmur…

Kishte qenë një iluzion i Rozafës, askush nga ata nuk po thoshte historinë e saj, por secili po tregonte historinë e vet, se si ishin murosur në jetë për së gjalli, edhe pse nuk i kishte shtyrë ndokush të flijoheshin për ndonjë kështjellë, përkundrazi ata vazhdonin të ecnin, të lindnin fëmijë, të shkonin në dasma e koncerte dhe së fundi të rraseshin me ngut nëpër buste, kush e kush të ishte më i zoti për t’u vetëmurosur!… Teksa përbluante këso gjërash në kohë, iu dha t’i ftonte ata njerëz, që nga frengjia e saj ta shihnin liqenin, që tash paskësh çelur zambakë të bardhë! E dija, nuk mund të ndoshte ndryshe, dikur mund të ketë qenë me zambakë të kuq, kurse tashti ka veç të bardhë. I shkoi mendja se mund t’i kërcente dhe njëherë atij kalit të saj të nusërisë, kur befas një copë shkëmbi lëvizi si vetull njeriu dhe prej aty u shfaq një dorë me një trëndafil të bardhë, që u zgjat drejt saj dhe dy buzë të harruara u puthitën në buzët e saj të ftohta. Ajo ngurroi një çast, sa të shtronte me dorë flokët e akulluar; të vetmin problem që kur gjendej aty kishte pasur flokët, jo se nuk kishte krehër për t’i krehur, por ato rrinin gjithnjë ashtu të ngrirë dhe krëhëri nuk futej në to. Atëherë sytë e saj mvisheshin nga një vesë lotësh. Të ishte kjo një shajní për shkak se me murosjen kishte humbur bukurinë dhe nuk mund ta duronte shfytyrimin prej gruaje?…

Aq të hutuar ishin ata vizitorë që s’pushonin se foluri në gjuhët e tyre moderne, sa nuk i lëvizën kamerat nga supi për ta fiksuar atë çast ndoshta të papërsëritshëm që sapo iu kishin parë sytë. Një grua e murosur, që kishte ngjallë të gjitha gjuhët e vdekura, sa për një puthje të gjallë.

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë e zor se do të ndodhte më.

Çfarë dashurie mund kishte ëndërruar ajo në atë jerm planetar e çfarë i kishte sjellë fati…

Ai burrë i panjohur, pa e parë askush, ishte përkulur një çast mbi buzët e ftohta të gurta të Rozafës. Gjithë gjasët ishin të kishte qenë ndonjë vrasës i gruas së vet, që fshihej në ndonjë cep të kështjellës, ku sirenat e makinave të Policisë nuk dëgjoheshin asnjëherë.

ObserverKult


Lexo edhe:

“URA E KANIONIT”, TREGIM NGA NDUE DEDAJ