Halil Matoshi: E çarë për të qarë. Po ti mos e shih plagën!

E çarë për të qarë. Po ti mos e shih plagën.

I marr më vete të gjitha vurratat në shpirt e çaj në dysh lotin dhe shoh thelbin si ni Samuraj
udhëzimet suffi thojnë se drita përthyhet ne ni lot si diamanti…

Me ferk nisem në udhë, kështu hyn drita brenda meje.

Dhimta djeg. Digjet trupi e ndriçon mendjën. Bâhet i tejdokshëm. Fener.
Si lutje dervishësh që mprehin shqisat me e pranu dritën.
Shpirti lumtunohet. Vallëzon me ajrin.
I lirë.

Do të rikthehem në një fëmijë kristal.
E kam me u rritë në ni të shëruem.
Në një të përmbushun në jetë.
Në një të pasun e mondan. Moda nuk të bân ma të bukur por nëse përkon me stilin, mbahesh mend. Shkruej.
Shmang vdekjen.
Mos e vraj mendjën pse shkruen.
Zgjatim i kohës e cila nuk ekziston pas frymës. Mbaj frymën.
Mëso notin.
Vallëzimin me flakët.
Dhe përsosmëninë e ni shpate. Katana. Zhbiro errësinën të fshehtat e dyluftimit.
Mos kqyr plagën.
Ule shikimin në nivel zemre e mendjen mbaje te shtatë çakrat. Mbështetu tek rrâja. Rri n’kambë. Vështro dritën.
Ajo të përshkon luftëtar. Mbaj fjalën e dhânë. Fjala.
Ajo t’bân.