“Hapësirë midis dy notave” (Tempovarkë) nga Flurans Ilia e gjeni te “Botimet Jozef”

flurans ilia

Sapo ka nisur edicioni i 25-të i Panairit të Librit Tirana 2022 që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Panairi mbahet në Pallatin e Kongreseve deri më 20 nëntor 2022. Organizatorët kanë bërë të ditur se këtë edicion do të marrin pjesë 100 botues duke përfshirë edhe botuesit nga Kosova, Mali i zi e Maqedonia e Veriut.

Në këtë event merr pjesë edhe Flurans Ilia, një bashkëpunëtor i nderuar i ObserverKult-it.

I larguar nga Shqipëria në fillimet e viteve ’90, Ilia jeton prej 25 vitesh në Montreal dhe vjen mes lexuesit shqiptar me një përmbledhje në vargje 18 vite pas botimit të librit të tij të fundit me poezi.

“Në peisazhin e letërsisë shqipe të pas viteve ‘90, konturohet edhe një emër me një personalitet letrar krejt të veçantë, lirik deri në qelizë, këmbëngulës deri në sakrifikim. Ky është Flurans Ilia, ose ndryshe Flurka, siç e quajmë rëndom midis nesh në rrethe letrare, me pseudonimin e tij të fëmijërisë, fillimeve poetike dhe … të mërgimit. Duke qenë se është i larguar që nga fillimvitet ‘90 në mërgimin e tij, për Fluransin mund të them se ndoshta ky është shkaku i vetëm i “mospranisë” së tij fizike dhe deri diku edhe letrare për lexuesin shqiptar. Ecejakeve të këtij krijuesi nëpër hapësirën ndërkontinentale në kërkim të atdheut i shkon për shtat ajo thënia e Saint John Perse për Danten; “Nga marshimet e mërgimit, ai qeveris një vetmi më të populluar se çdo tokë perandorie.” – Shkruan poeti Petrit Nika në shkrimin «Atdheu dhe poeti në poezinë e Flurans Ilias».

Librin e ri të Fluransit, “Hapësirë midis dy notave” (Tempovarkë) do e gjeni në stendën e shtëpisë botuese “Botimet Jozef” përgjatë ditëve të Panairit të Librit Tirana 2022, si edhe më tej në libraritë Albion dhe Albania në Tiranë.

ObserverKult i uron suksese autorit!

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA FLURANS ILIA: TEMPOVARKË
TREGIM NGA FLURANS ILIA: TELEFONI I PRISHUR
PYETËSORI I PRUSTIT: FLURANS ILIA