Herman Çuka: Ti mund t’i duash gratë

herman çuka: puthmë

Poezi nga Herman Çuka


Ti mund t’i duash gratë:
t’i duash mirë
t’i duash bukur
t’i duash shumë
t’i bësh të lumtura
t’i duash pak
t’i trajtosh keq
t’i bësh të vuajnë
t’i bësh skllave
t’i bësh (…)
e mund t’i vrasësh
justifikuar
për çështje banale
por kurrë s’ke për ti kuptuar,
aq më pak për t’i pushtuar

se gratë janë enigmë e komplikuar
janë të thella si detet
fshehin në fundet
e qeta,
gjëra të pashkelura,
edhe nga vetë
perënditë …

gratë
dinë të duan dhe të urrejnë,
mirë dhe shumë
se gratë si uji dinë
të përshtaten në formën e enës…
por jo të rrinë në grushtin e mbyllur,
as në pëllëmbë të dorës
“të duash vërtet gratë,
duaj atë që të kushton më shumë:
lirinë e tyre në tënden,
dhe tënden në të tyren”
këtu nuk flas për gratë të vogla,
që duan t’i kenë burrat
eunukë* të dëshirave
(…)
a e kupton që bëhet fjalë për Gratë!
pa ato bota do ishte:
pa tinguj pa ngjyrë
pa shije
pa aromë
pa dritë
(…)
po të ishin shuar të gjitha,
as ti s’do kishe lindur nga një grua

ObserverKult

Lexo edhe:

HERMAN ÇUKA: I DASHURI IM…

I dashuri im

“përballë dritares time,
është një bar,
ku mbrëmjeve këndohet
e kërcehet
herë xhaz e herë blus
dhe herë rock
një bar
me emrin Cassiopea”

netëve mbyll sytë, ndjej
tingujt,
vij tek ti ëndërrimtari
im i bukur si zjarri,
në atë vjeshtë të purpurt
kur numëronim yjet,
dhe ti më tregoje legjendat e tyre

“më ke çmëndur vetminë,
të dalë në dritare”
të rrëshqiti,duke më puthur
nuk e di seç ishte, ajo natë e dehur,
apo ti që në ndarje,
më dhe emrin Cassiopea!

kur zgjohem nga ëndrra,
në dritare nuk shihet as bar
as muzikë nuk ndihet,
vetëm;
një grua e një burrë të vjetër
që tymojnë në të njëjtën llullë
marihuanë,
i buzëqeshin njëri-tjetrit të lumtur,
e puthen në buzë, çuditur me mua
që i kam humbur… !

ObserverKult