Pianistja dhe aktivistja Elida Dakoli, tregoi kohë më parë vuajtjet e familjes së saj në komunizëm që i ka kthyer në kauzën për të cilën po lufton në Shtetet e Bashkuara, duke mbajtur sytë vazhdimisht nga Shqipëria
Pianistja nga Shqipëria, Elida Dakoli prej vitesh është një emër ndërkombëtar në fushën e muzikës. Pas recitalit të parë në moshën 12-vjeçare, performoi në disa skena të rëndësishme evropiane dhe më pas la Evropën për të studiuar në Shtetet e Bashkuara, ku ka fituar një doktoraturë në muzikë dhe tani jeton me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj, interpreton dhe jep mësime pianoje, është autore dhe sipërmarrëse… Megjithatë kjo artiste ka vendosur që t’i flasë botës jo vetëm përmes tingujve të pianos, por edhe zërit të saj. Ka një histori për të treguar dhe një çështje për të mbrojtur. Gjyshi i saj nga i ati, Sadik Dakoli, ka qenë një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë, që u burgos dhe u helmua nga regjimi komunist. Të njëjtin fund tragjik pati edhe stërgjyshi nga e ëma, avokat Hysen Myshketa. Për këtë arsye, prindërit e saj, edhe pse vinin nga familje me prestigj, u detyruan të rriten në kushte nga më të vështirat, por megjithatë ruajtën, në rrethin e izolimit të tyre, vlerat njerëzore që ua përcollën edhe fëmijve, si e vetmja pasuri që u kishte mbetur. Ndaj sot, Elida Dakoli, ndjen detyrën morale që ta bëjë të njohur historinë e tyre dhe ta përdorë zërin e saj për të mbrojtur çështjen e viktimave të komunizmit. Ajo është anëtare e bordit këshillues të organizatës së Viktimave të Komunizmit në Amerikë dhe një aktiviste e të drejtave të njeriut; është duke shkruar një libër ku përshkruan historinë e familjes dhe një dokumentar po përgatitet për jetën dhe suksesin e saj, të cilin e ka frymëzuar gjithmonë kjo familje. Dhe aktivizmi i saj, duket se ka shumë për t’i mësuar një vendi si Shqipëria, ku eshtrat e mijëra të zhdukurve, si të gjyshit të Elidës, nuk janë gjetur dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet e panumërueshme të diktaturës.
Qasja ndaj së kaluarës ndër personat e përndjekur nga regjimi komunist, ndonjëherë është skajshmërisht e ndryshme: disa refuzojnë të flasin, të tjerë i kushtohen aktivisht asaj së kaluare, siç është rasti juaj që, megjithë largësinë nga Shqipëria, më shumë sesa një herë e keni ngritur çështjen e së kaluarës komuniste. Nga ju vjen ky ngacmim?
Të falënderoj për këtë pyetje tepër të spikatur. Në një emision në televizionin “Top Channel” më pyetën: Ç’të duhet ty të merresh me Shqipërinë? Ti jeton në Amerikë, në tokën e lirisë. U befasova pa masë nga kjo pyetje dhe e kam menduar shpesh. Si është e mundur të bëhet një pyetje e tillë? Në një vend si Shqipëria ku më shumë se kurrë duhen njerëz, të cilët kanë një lloj influence në botë që të flasin, ta suportojnë dhe të përpiqen në mënyra nga më të ndryshmet dhe modernet për ta ndihmuar në këtë rrugëtim tepër të gjatë në kërkim të “Të Drejtave të Njeriut”; në një vend ku njerëz aq të mrekullueshëm, të zgjuar dhe zemërgjerë janë harruar nga qeveria e tyre, mua më bëhet një pyetje e tillë? Arsyeja që Amerika është një vend i lirë, ku i afti dhe drejtësia fiton dhe ka arritur këtë nivel është që të gjithë luftojnë për këtë qëllim: LIRINË E FJALËS! Prindërit e mi vuajtën pa masë dhe unë e shikoj atë vuajtje në sytë e tyre edhe sot. Megjithatë zemergjerësia dhe dashuria që ata dhurojnë është e pashtershme. Këtë zemërgjerësi ata ma ushqyen edhe mua së bashku me dëshirën që një ditë unë t’u them fëmijëve të mi që Shqipëria, ai vend që gjyshërit e stërgjyshërit dhanë jetën ta shikonin të lirë, sot ekziston e tillë.
Nëse ju do të kishit mundësinë për të lëvizur diçka në gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria në raport me të kaluarën komuniste, nga do ia nisnit? Cilat janë çështjet që sipas jush janë më emergjentet?
Shqipëria është një ndër të vetmet vende në botë e cila nuk i ka vënë përpara përgjegjësisë/gjykatës për “Krime Ndaj Njerëzimit” ata persona, pushtetarë që vranë dhe e shkatërruan atë vend me sjelljen e komunizmit. Ata persona qe edhe sot vazhdojne të kenë fuqinë në pushtet. Ky do të ishte hapi i parë dhe më madhor që do të doja të merrej! Mjaft studiues thonë se është tepër vonë. Janë shqiptarët ata që duhet ta vendosin këtë.
Flasim për fillesat e përndjekjes së familjes suaj…Kush ishte gjyshi juaj Sadik Dakoli dhe pse u arrestua?
Gjyshi Sadik Dakoli ka qenë një biznesmen tepër i suksesshëm në Shqipëri. Ai kishte krijuar lidhje internacionale në fushën e bujqësisë, ku së bashku me vëllezërit e tij punonin dhe investonin mjaft në qytetin e Durrësit. Një traditë që filloi me stërgjyshërit e mi ishte dhurimi mujor në të ardhura për Shkollën e Parë Shqipe, të ngritur në Elbasan. Gazeta shkruante rregullisht për këtë. Arsyeja e arrestimit të tij ishte thjesht Patriotizmi. Ai ishte i fuqishëm në fushën e tij dhe komunistët (si dhe sot) nuk duan dikë më të zgjuar, me atdhetar, e më të sukseshem se ta. Ata i morën pasurinë e tundshme dhe të patundshme. Gjyshja më tregonte që i morën dhe unazat nga duart, e varësen nga qafa. E tmerrshme! I nxorën nga shtëpia e tyre dhe i hodhën në rrugë, pa i lejuar të veshin as këpucët. Pasi e torturuan gjyshin dhe i morën çfarë patën për t’i marrë, atëherë e vranë duke e helmuar. Nuk e dimë, askush nuk tha kurrë asgjë. Nuk e dimë se ku është varri i tij.
Kush mund t’i bëjë krime të tilla popullit të vet? Dhe pastaj më bëhet pyetja se ç’të duhet ty?? Ata lanë babain tim jetim. Gjyshen në moshën 30-vjeçare të vetme me 4 fëmijë, moshat 1-13 vjeç!
Cilat janë përpjekjet e familjes suaj për gjetjen e eshtrave të gjyshit dhe ku ka ngecur procesi?
Kemi bërë mjaft kërkime, por pa rezultat! Pas një interviste timen me Zërin e Amerikës, një lloj lëvizje filloi dhe në 2018-ën zv.kryetarja e Parlamentit Shqiptar (nuk e mbaj mend emrin…) bëri një takim me mua në zyrën e saj ku me mjaft optimizëm shprehu ardhjen e fondeve nga Komuniteti Europian për këtë çështje dhe se ata kishin mjetet dhe fondet e duhura për t’i dhënë të drejtën popullit shqiptar të qajë të dashurit e tyre dhe t’i përcjellë me nderin e merituar në banesën e tyre të fundit. Do të doja shumë ta përcillja e ta nderoja gjyshin tim në banesën e tij të fundit. Ai u përpoq të na jepte aq shumë dhe humbi gjithçka sepse punoi me ndershmëri. Mora vesh që u mbajt një ceremoni për të lajmëruar mediat se ky proces nisi, por ishte thjesht një flluskë në ujë, siç është çdo gjë që ka ardhur nga ai sistem dhe trashëguesit e tij. Do të doja të dija se ÇFARË ËSHTË BËRË ME ATO FONDE??
Ku e vuajti dënimin Sadik Dakoli?
Gjyshi Sadik e vuajti dënimin në dy burgje të Durrësit dhe në burgun a Bedenit. Do t’ju tregoj një histori tepër të dhimbshme të cilën prindërit shpesh e permendin: Xhaxhai im i vogël, Selami ishte 1 vjeç kur gjyshi u arrestua dhe ai u rrit duke shkuar të takonte babin në burg. Gjyshin e lëviznin nga njëri burg i Durrësit ne tjetrin. Selamiu i vogël mendonte se kishte dy baballarë në dy burgje të ndryshme ku shkonte t’i takonte. Ai nuk bënte dot lidhjen që babin e tij e shfrytëzonin si skllav pune për hapje rrugësh nëpër kodra. Ne burgun e Bedenit, gjyshja dhe fëmijët nuk kishin mundësinë financiare për të shkuar ta takonin.
Kur gjyshi ishte në Durrës, gjyshja gjithmonë përgatiste ushqim dhe ia çonte. Babai më thotë se ata kurrë nuk e morën vesh nëse gjyshi e merrte atë ushqim apo jo.
Çfarë dini për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta?
Nuk dimë shumë. Familja mori vesh se Gjysh Sadiku ishte sëmurë dhe nuk dilte dot t’i takonte. Gjyshja shkonte përsëri në burg me një nga fëmijët dhe i çonte kos. Më në fund një rojë e mori veçantë dhe i tha të mos vijë më pasi Sadiku ka ndërruar jetë.
Cilat janë disa nga kujtimet më të mprehta të babait tuaj për periudhën kur i arrestuan të atin deri kur mësoi për ndarjen e tij nga jeta?
Më është dashur kohë të mbledh këtë informacion pasi babait nuk i pëlqen të flasë. Ai shpesh më thotë: “Jam përpjekur tërë jetës t’i harroj ato kujtime çnjerëzore dhe e kam të vështirë t’i shpreh”.
Në librin që po përgatis, kam shkruar një kapitull të tërë në lidhje me këtë ngjarje. Vëllai i madh i babit, xhaxhi Meti, siç i thërras unë, me ka lënë një dorëshkrim për këtë ngjarje çnjerëzore të familjes sonë. Gjyshin e arrestuan në rrugë, e futën në një kamion dhe e larguan prej njerëzve të tij të dashur, familjes e miqve.
Ai mban mend ku një grup ushtarakësh/policësh shkon në tmerrin e natës dhe shpërthen derën e shtëpisë me dhunë. Nxjerrin me forcë nga shtëpia gjyshen me fëmijët në mes të rrugës, me rrobat e trupit dhe i rrethojnë me policë sikur ata të ishin kriminelë. Ndërkohë që gjyshja dhe fëmijët shikojnë mobilje, tapete, bizhuteri, edhe rrobat e tyre të merren nga shtëpia e të futen në kamion. Në një pikë vjen vëllai dhe mama e gjyshes. Ajo thyen rrethimin duke u thënë policëve: “A jeni fëmijë nënash? Nuk e shikoni që ajo është me fëmijë në krah që qan pa pushim? Ia morët të gjitha, fëmijën tim do ta marr unë në shtëpinë time!”. Dhe ashtu ndodhi. Vëllai i gjyshes, Shyqyri Tafaj, liroi një dhomë për motrën e tij dhe katër fëmijët e saj. Ky ishte vetëm fillimi i tmerrit që ka kaluar gjyshja ime, e cila më rriti mua.
Si vazhdoi jeta e saj dhe e fëmijëve?
Vuajtje pa fund. Gjyshja bënte punë sezonale nga më të rëndat. Vajza e saj, halla ime e ndihmonte gjyshen. Fëmijët të gjithë punonin çfarë mundeshin. Xhaxhai i madh, Meti në moshën 13-vjeçare punonte natën në port, ku, jashtë në stuhi, shi, në të ftohtë apo në vapë, numëronte thasët që zbrisnin nga anijet. Pasi mbaronte punën, shkonte në shkollë. Mesa kuptoj sot, komunizmi nuk njihte respekt për “Child Labor” ose “Skllavërim fëmijësh”, por vetëm shfrytëzim e masakrim – e kundërta e asaj ideologjie që paraqisnin.
Në arkivën online të viktimave të komunizmit, kujto.al ndodhen disa të përndjekur me mbiemrin Dakoli, të ekzekutuar, të burgosur, apo të internuar: Muhamed Dakoli, Mehdi Dakoli, Luljeta Dakoli, veç Sadik Dakolit. Janë edhe ata pjesë e familjes suaj? Mund të na thoni diçka me shumë për historinë e persekutimit të tyre?
Muhamed Dakoli ishte vëllai i gjyshit, i cili pati po të njëjtin fat si gjyshi im. Ata punonin bashkë në kompaninë e formuar nga babi i tyre. Mehdi Dakoli ishte djali i Muhamedit. Luljeta Dakolin nuk e njoh.
Stërgjyshi juaj nga mamaja, avokati dhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Hysen Myshketa është vrarë në vitin 1943. Çfarë dini për atë ngjarje?
Avokat Myshekta ishte një ndër themeluesit e Parlamentit të Parë Shqiptar të vitit 1921! Një patriot që luftoi për vendin e tij deri në ditën që dha jetën. Më 4 tetor të vitit 1943, ishte caktuar data e hapjes së Parlamentit Shqiptar, por e shtyu datën e çeljes së punimeve për më vonë. Në këtë parlament ishte deputet edhe av. Hysen Myshketa, i cili ishte caktuar të mbante edhe fjalën e hapjes së Parlamentit, si deputeti më i vjetër pjesëmarrës, nga Parlamenti i Parë Pluralist i vitit 1921. Fjalën e hapjes, në Parlament, e mbajti, në emër të tij, i kushëriri, Asim Myshketa. Av. Hysen Myshketa ishte vrarë.
Gjyshi im, Isa Myshketa na tregoi historinë e tij me ardhjen e demokracisë. Gjyshi është shprehur: “Dola menjëherë nga zyra dhe shoh të shtrirë babën, që kishte marrë dy plumba,një prapa koke dhe i kishte nxjerrë syrin dhe tjetrën në nofull, kur ishte kthyer me pa se kush i kishte qëlluar pas shpine”.
Me tej gjyshi Isa vazhdon të tregojë: “Kapa babën në krah dhe fillove të eci rrugës për në spital. Atentatorët komunistë vazhdonin të qëllonin se donin të siguroheshin që e kishin kryer punën deri në fund. Plumbat më kalonin para syve dhe sot, nuk e di si jam gjallë nën breshërinë e plumbave, por babën nuk e lëshova. Në atë moment, kalon një triçikël me ushtarë gjermanë, të cilët ndaluan dhe qëlluan në ajër, atëherë guerrilasit ndaluan gjuajtjet dhe ia mbathën. Fillimisht e shtruan në Spitalin e Durrësit dhe pastaj e dërguan në Spitalin e Tiranës. Çdo ditë vinin në spital me revolver të fshehur atentatorët dhe pyesnin si u bë avokati. Nuk mund t’i bënin gjë se ruhej si nga roje ashtu edhe nga ne, pjesëtarë të familjes. Ishte në përmirësim e sipër kur një ditë në mëngjes më 10 tetor, pasi piu një gotë me qumësht nderroi jetë. Gota me qumësht e dhënë nga një infermiere kishte qenë me helm. Infermierja kishte qenë e blerë apo e terrorizuar nga atentatorët”.
Çfarë ndodhi me familjen e tij pas pushkatimit? A e kanë vuajtur ata përndjekjen?
Ata kanë vuajtur pa fund. Historitë janë të shumta dhe tepër të dhimbshme. Edhe pse i dëgjoj nga prindërit e familjarët, është shumë e vështirë të bëj lidhjen sesi jetojnë në këtë botë njerëz të tillë dhe vazhdojnë të kenë fuqi mbi popullin shqiptar.
Po e shkruaj çdo gjë në këtë libër. E ndiej si detyrë morale ndaj prindërve dhe familjes time ta shkruaj historinë e dy familjeve ndër më prominente në Shqipëri. E vërteta e këtij sistemi del në pah mjaft mirë. Fillova ta shkruaj këtë libër kur isha shtatzënë me fëmijën e tretë, por sapo filloja të lexoja shënimet e prindërve, qaja pa pushim. Vendosa ta ndërpres, pasi nuk ishte energji e mirë për bebin. Tani ia kemi treguar historinë e familjes dhe dy djemve të mi.
Ka qenë e privuar për sa i përket shkollimit apo llojit të punës nëna juaj?
Nëna ime ka qenë me fat. Ajo u pranua në universitet, por në vit te dytë deshën ta hiqnin. Shumë vite më pas, familja mori vesh që një “zonjë e mrekullueshme”, pasi kishte parë humanitetin dhe dashurinë që ime më kishte për mjekësinë kërkoi që ajo të mos të hiqej nga shkolla. Familja e mamasë nuk e njihte këtë zonjë. Ajo ishte pacientja e mamit deri ditën që ndërroi jetë. Ndërsa dajën e hoqën nga shkolla dhe fëmijëve të tjerë nuk u lejuan shkollim.
Mami punoi si mjeke jashtë Durrësit. Mundësia për të punuar në Durrës iu dha me ardhjen e Demokracisë. Tezja ime mbaroi dy-vjeçaren për matematikë dhe punoi në fshatrat me të humbura të Mirditës. Nga fshati ku ndalonte autobusi për të shkuar në fshatin e saj i duhet të ecte në pyll mbi 90 minuta. “Shpesh degjonim ulërimat e ujqërve” – është shprehur tezja. Shkolla nuk kishte një godinë, por në ajër të pastër (nuk kish rëndësi dimër a verë) dhe dy vitet e para nuk kishte energji elektrike.
Martesa e prindërve tuaj u favorizua edhe prej faktit që të dy vinin nga familje me “biografi të keqe”?
Sigurisht! Por diçka është shumë e sigurt: asnjë nga prindërit e mi nuk do të lidhte jetën me dikë që mbronte “idealet” e atyre që iu vranë dhe torturuan prindërit e tyre. Prindërit e ruajtën traditën dhe kulturën e familjeve të tyre dhe sot ua përcjellin nipave a mbesave.
Ju personalisht e kuptuat gjatë kohës që ai regjim ishte në fuqi, cili ishte statusi juaj politik dhe çfarë do të thoshte kjo?
Sigurisht, edhe pse e vogël! Shpesh dëgjoja prindërit e mi të bisedonin me miqtë e tyre për dëshirën për të më larguar mua nga shkolla e muzikës së Durrësit. Ata mendonin se nëse unë qëndroja në ate shkollë, nuk do të kisha të ardhme për faktin se vetëm 4 bursa jepeshin për universitet në degën e pianos nga e gjithë Shqipëria. Une kisha në klasë vajzën e kryetarit të Degës së Brendshme. Ajo studionte piano. Mbaj mend kur im atë thoshte: “Nëse Elida ka një mundësi tepër të vogël të vazhdojë edukim të lartë, nuk do të ishte në muzikë ose piano”. Sigurisht, unë pyesja veten: Pse jo? Çfarë kam bërë? Nuk jam e mirë sa duhet për këtë profesion?
Kujtoni një farë atmosfere të veçantë në familje gjatë diktaturës? Ju jepnin porosi prindërit apo të afërmit, juve si fëmijë, për sjelljen jashtë shtëpisë? Po në klasë kishte ndonjë diferencim nga ana e mësuesve apo drejtuesve të shkollës?
Gjatë kësaj kohe që shkruaj librin, mendoj dhe përpiqem të kuptoj se si prindërit tanë kanë arritur me aq klas të na rrisin ne të ndihemi të veçantë, sikur e gjithë bota është e jona, ndërkohë që me mjaft dashuri na thoshin të mos shpreheshim me shoqërinë, por t’i ndanim kujtimet me njëri-tjetrin. Ata, me çdo kusht, donin të na mbronin, por dhe të na rrisnin dhe edukonin për një botë më të mirë.
Kur isha në klasë të tretë unë me vëllain dhe babin po luanim “Ku Ka Fshehurazi”. Më në fund, im atë thotë: Do t’ju tregoj një histori: “Kur ishim të vegjël, xhaxhi Meti po luante “Ku Ka Fshehurazi” në oborr me mua dhe hallën. Ai u fsheh dhe ne nuk po e gjenim. E gjithë familja u alarmua. Më në fund e gjen pastruesja duke luajtur në magazinë. Nana dhe gjyshi ishin tepër mirënjohës dhe i bënë një dhuratë pastrueses”. Unë ndërhyra dhe thashë: “Sigurisht, pasi ata ishin të pasur”. Mami dhe babi më panë me mjaft seriozitet dhe më pyetën se nga e dija unë këtë informacion. Unë iu përgjigja: “Nga gjyshja”. Im atë më shikon në sy dhe thotë se nëse unë doja të rritesha me prindërit dhe të afërmit e mi pranë, nuk duhej të flisja me askënd për këtë gjë. Unë nuk duhej të bëja asnjë bisedë në lidhje me historinë e familjes sonë me shoqet ose mësuesit, edhe nëse më bëheshin pyetje. Përndryshe dikush mund të përfundonte në burg. Unë dhe vëllai i premtuam që nuk do të flisnim.
Cilat janë pjesët muzikore që do të interpretonit duke menduar për vuajtjet e padrejta të paraardhësve tuaj në komunizëm, por edhe të mijëra njerëzve në Shqipëri dhe shumë më tepër në mbarë botën? Po pjesët apo pjesa që do ia kushtonit si homazh gjithë viktimave?
Pyetje tepër interesante. Piano Sonata No.1 e kompozitorit polak, Robert Muczynski, më sjell ato kujtimet e zymta të komunizmit, por gjithashtu dhe bukurinë e jetës këtu dhe bukurinë e botës, të gjitha të ndërthurura mjaft bukur në një vepër muzikore. Para disa vitesh e luajta “Premierë” këtë vepër në Shqipëri. Kjo vepër është luajtur dhe në dokumentarin që po përgatitet në Los Angeles mbi mua, karrirerën dhe sukeset e mia këtu dhe nga vjen i gjithë ky frymëzim e motivim: historia e familjes sime. Pritet të dalë së shpejti. Babai im dhe pjesëtarë të familjes janë pjesë e këtij dokumentari.
Nga Blerina Gjoka/kujto.al
—————————–
Lexo edhe:
Ky është këngëtari që nuk pa ditë të mira në komunizëm, e larguan nga skena dhe e burgosën