
Të enjten, më 1 dhjetor 1955, 42-vjeçarja Rosa Parks po kthehej në shtëpi me autobus, nga një ditë e gjatë pune në dyqanin Montgomery Fair. Banorët me ngjyrë të Montgomery shmangnin autobusët publik për aq sa mundnin, sepse e konsideronin poshtëruese politikën e asaj kohe ndaj tyre.

Por një rrobaqepëse afrikano-amerikane me syze, e cila ishte lodhur nga shtypja racore në të cilën ishte zhytur gjatë gjithë jetës së saj, i tha një shoferi autobusi në Montgomery: “Jo”.
Ai e kishte urdhëruar atë të linte vendin që udhëtarët e bardhë të mund të uleshin.
Më këmbëngulje, ajo refuzoi të lëvizte në pjesën e pasme të autobusit dhe t’i jepte vendin e saj një burri të bardhë. Ajo refuzoi të dorëzonte vendin e saj, për shkak të racës,gjë që kërkohej me ligj në Montgomery atë kohë.
Ky ishte momenti. Këtu filloi lëvizja moderne për të drejtat civile.

Rosa Parks u burgos dhe me arrestimin e saj nisi bojkoti i autobusëve të Montgomery nga 17,000 qytetarë me ngjyrë. E quajtur si “nëna e lëvizjes për të drejtat civile”, Rosa Parks, një grua afrikano-amerikane, fuqizoi luftën për barazi racore.

Ajo kishte mbaruar shkollën e mesme në vitin 1933, në kohë kur, më pak se 7% e afrikano-amerikanëve kishin një diplomë të shkollës së mesme.
Më pas ajo u përfshi në Lëvizjen për të Drejtat Civile dhe, lëvizja që ajo kishte nxitur, njihet si “fushata më e fortë për drejtësi të barabartë që është parë në një dekadë”.
Në një nga fjalimet e saja më pas, ajo thekson: “Unë besoj se ne jemi këtu në planetin Tokë për të jetuar, rritur dhe për të bërë atë që mundemi për ta bërë këtë botë një vend më të mirë për të gjithë njerëzit që të gëzojnë lirinë.”

Ndërsa më poshtë po veçojmë edhe disa thënie motivuese të Rosa Parks, gruas, së cilës Kongresi i Shteteve të Bashkuara i drejtohej si “gruaja e parë e të drejtave civile”:
“Nuk duhet të kesh kurrë frikë për atë që po bën kur është e drejtë.”
“Çdo person duhet ta jetojë jetën e tij si model për të tjerët.”
“Unë do të doja të kujtohesha si një person që donte të ishte i lirë, kështu që edhe njerëzit e tjerë do të ishin të lirë.”
“E dija se dikush duhej të bënte hapin e parë dhe vendosa të mos lëvizja.”

Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: