Homazhi poetik në kujtim të Adem Gashit hap Festivalin Poetik të Prishtinës

homazh per adem gashin festivali poetik i prishtines

Më 6 shkurt, Festivali Poetik i Prishtinës do të hapet me një Homazh poetik kushtuar shkrimtarit Adem Gashi.

Drejtoresha e Festivalit, njëkohësisht edhe kryeredaktore e Portalit për Kulturë, ObserverKult, Donika Dabishevci, tregon se ishte menduar krejt ndryshe kjo mbrëmje kushtuar maestro Adem Gashit.
“Kur po punonim në ideimin e përmbajtjes së Edicionit të dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës me stafin e ObserverKult, dëshironim që ta kishim në një Mbrëmje autoriale shkrimtarin Adem Gashi, një prej penave më të fuqishme e maestrale të letërsisë shqipe.

Ia prezantuam idenë dhe në një mesditë funddhjetori u ulëm bashkë me të dashtunin Adem dhe detajuam gjithçka. Cilat poezi do t’i lexonte vet ai, cilat do t’i lexonte aktori, kush do të mund të fliste për krijimtarinë e tij, ku do të fokusoheshim në debatin që do ta zhvillonim me autorin etj.

Ademi, dashamirësi, motivuesi, përkrahësi i çdo pene krijuese, na la fizikisht, në një ditë të ftohtë janari, duke bërë që ata që e kishin njohur shumë a pak, e edhe ata që nuk e kishin njohur fare të shkrinin kujtime e vargje elegjiake për të! Por, i bëri të gjithë që të kthenin kokën kah krijimtaria e tij! Miqtë, dashamirësit e letërsisë, lexuesit…siç ndodh rëndom pas ikjes nga kjo jetë!

Ne natyrisht që do ta mbajmë fjalën. Festivalin Poetik të Prishtinës do ta hapim, jo siç e kishim menduar me Mbrëmjen Autoriale por, fatkeqësisht me një Homazh Poetik kushtuar Adem Gashit”, thekson Dabishevci.

Pra më 6 shkurt nga ora: 18:00, në Termokis, do të mbahet Homazhi poetik kushtuar Adem Gashit, ku poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tij do të lexohen nga aktori Nimon Muçaj,në përcjellje instrumentale nga Astrit Stafaj, për krijimtarinë e Gashit do të flas miku dhe shkrimtari Emin Z. Emini. Do të shfaqet edhe një kolazh me video-poezi xhiruar e përgatitur kohë më parë nga ObserverKult, ku vet Gashi lexon poezi të tij etj.

festivali poetik i prishtines

Nga 6 deri më 8 shkurt mbahet Festivali Poetik i Prishtinës, organizuar nga Portali për Kulturë Letërsi dhe Art, ObserverKult. Për tri ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate tematike, diskutime, dokumentar, video-poezi, video-ese homazhe, requiem dhe orë poetike me autorë të zgjedhur.
Festivali mbahet në Termokiss.
Më 6 shkurt, fillon nga ora 18:00
Më 7 shkurt fillon nga ora 17:00 dhe
Më 8 shkurt fillon nga ora 18:00.
Festivali mbështetet Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës.
Ju mirëpresim!

ObserverKult

Kliko edhe:

(VIDEO) FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS/MBRËMJA E MADHE POETIKE
PROMOVIMI I LIBRIT “FJALË TË BUKËTA” TË EMIN Z. EMINIT (FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS)…
HOMAZH PËR ESAD MEKULIN NË FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS (VIDEO)
VIDEO: MBRËMJE POETIKE ME AGIM VINCËN NË FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS

HOMAZH PËR XHEVDET BAJRAJN NË FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS (VIDEO)