Pyetësorit të Prustit i përgjigjet artisti Ilir Shaqiri.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia është e lidhur ngushtë me të bukurën si kategori themelore e estetikës. Lumturohemi kur sodisim, shohim, dëgjojmë dhe ndjejmë të bukurën në natyrë, të bukurën në art, të bukurën në shkencë, duke i fisnikëruar shqisat tona, duke i zgjuar instinktet tona të pastra njerëzore, duke e njohur vetën plotësisht dhe duke qenë të gatshëm që këto ndjesi t’i absorbojmë plotësisht dhe t’i ndajmë me të tjerët, ani pse lumturia e përkryer mbetet një përgjithësim i tipareve thelbësore, një e paarritshme dëshirore.
Cila është frika juaj më e madhe?
Gëzohem kur shoh rritjen e hovshme të teknologjisë, por frikohem kur ajo do të arrijë majat dhe papritmas mund të bie në duart e të papërgjegjshmëve, në duart e shpirtkazmave.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Admiroj njeriun, njerëzit, që punën e tyre në profesionet e bëjnë me ndershmëri, me përkushtim, me profesionalizëm dhe pa kompromise.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Historia jonë kombëtare dhe ajo ndërkombëtare ka njohur shumë personalitete të shquara që i kanë dhënë pamatshëm njerëzimit në të gjitha fushat e jetës dhe të ardhmes, ndaj do dëshiroja që asnjëherë të mos dal nga hija e tyre, që gjithmonë të më përshkoi fryma e tyre – ushtar i përkushtimeve të larta të tyre!
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
I pakthyeshëm. Moskthimi prapa nga vendimet që marr, ashtu siç është e dëshmuar për njerëzit që merren me art, të cilët janë: të fundit që të braktisin dhe të parët që prapa nuk kthehen.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Injoranca, që shpërfaqin gjithologët.
Në cilat gjëra e teproni?
E teproj me këmbëngulje, deri në gjetjen dhe arsyetimin e një të vërtete të pakontestueshme.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nëse duhet ta shpëtoja një njeri të ditur. Nëse duhet ta shpëtoja një të arritur, apo një çështje që u shërben të gjithëve.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Shtigjeve malore, deri atje ku bjeshkët puthen me qiellin!
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Faleminderit, sepse nga çdo anë njerëzit vazhdojnë të më urojnë për ato që kam bërë, posaçërisht në fushën e artit muzikor.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më ka rastisur të punoj me njerëz injorantë të kamufluar nën petkun e mirësjelljes e që pas një kohe të shkurtër tjetërsoheshin papritshëm.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja – atdheu.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Përkushtimi mendor dhe shpirtëror për të realizuar një baladë domethënëse për mikun tim, poetin dhe kantautorin e papërsëritshëm arbëresh Zef Kakoca, i cili iku në amshim me 20 shkurt të këtij viti.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
T’i jap vetës pak më shumë pushim mendor dhe të merrem rregullisht me sport.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Qëndrimin e paluhatshëm kundrejt të keqes, kundrejt të shëmtuarës dhe mospërzierja në punët që nuk i njoh dhe nuk më takojnë.
Nëse do të mund të ktheni kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të ulesha kurrë me ata që nuk e meritojnë prezencën time.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi ose sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ky që jam, pa i ndërruar asnjë pikë e asnjë presje jetës sime, krijimtarisë sime.
Cila është gjëja ma e shtrenjtë që e posedoni?
Të vërtetën, virtytin për të cilën jetoj dhe vdes për të në çdo hap!
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën e shkapërderdhur gjithandej mediave elektronike dhe shesheve në rrjetet sociale, duke kontaminuar të tashmen dhe duke mjegulluar të ardhmen për brezin që po rritet.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Këtu në Prishtinë, në qytetin që t’pushton me t’parin përqafim!
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Ndershmëria dhe puna e pareshtur.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Përmbajtjen, veprat.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Bukurinë shpirtërore dhe kthjelltësinë mendore.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Jean-Paul Sartre, shkrimtari, filozofi dhe mendimtari francez, ndër më të mëdhenjtë intelektualë të shekullit 20, i cili pati ndikim mjaft të madh tek artistët tjerë me filozofinë e tij ekzistencialiste, themeltar e së cilës ishte ai vet.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që nuk kanë kohë për të humbur kohë.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Gojëtarinë e Demostenit.
Si do të dëshironit të vdisni?
Duke mësuar!
Cila është motoja juaj?
Të mos mbetëm vetëm kalimtar i kohës në të cilën jetoj, por gjurmëtar i saj!
ObserverKult
Lexo edhe:
NJË LIBËR ME 200 KËNGËT E ILIR SHAQIRIT
Kliko edhe:
ILIR SHAQIRI: KU ËSHTË LAPIDARI I INDRIT CARËS? (TEKSTI DHE KËNGA)
ILIR SHAQIRI: PYETE ZEMRËN (TEKSTI DHE KËNGA)
POEZIA “POÇARI” E AGOLLIT KËNDUAR NGA ILIR SHAQIRI
ILIR SHAQIRI: HAPI SYTË SE NUK ËSHTË ËNDËRR…(TEKSTI DHE KËNGA)
ILIR SHAQIRI: KËNGË PËR LUAN HARADINAJN (TEKSTI DHE KËNGA)
ILIR SHAQIRI: SËRISH VJEN MARSI (TEKSTI DHE KËNGA)
Kliko edhe: