
Koha e fletëve, 3
Nga Ismail Syla
Fleta 21
Fleta që mbyllet vetë në ditar, si për t’i ruajtur fjalët e saj.
Shkruan, mendon, pastaj e lë hapur. Duket si fund i zakonshëm. Por më pas, ndërsa kthehesh për t’u larguar, fleta mbyllet vetë. Pa zhurmë. Pa frymë. Kështu ndodh një lloj respekti misterioz mes letrës dhe përmbajtjes, sikur ajo të donte ta mbronte atë që sapo ke shkruar. Dhe ti s’e prek më. Sepse ajo tashmë ka zgjedhur ta ruajë heshtjen vetë.
Fleta 22
Gishtat lodhen nga telefoni, por nuk ndalojnë.
Ka lodhje që nuk është fizike – por lodhje e padukshme e vëmendjes, e nevojës për të qenë gjithmonë në kontakt, në prani, në rrjedhë. Gishtat vazhdojnë të rrëshqasin mbi ekran, edhe kur trupi kërkon pushim. Një ritual i paarsyeshëm, si një pastrim i përsëritur i xhamit të pastër.
Ti nuk kërkon më informacion, por thjesht një ndjesi të afërt me qenien. Si dikur kur luanim me ujin, jo për të larë me të, por për ta ndjerë.
Fleta 23
Tastiera shtyp germat më fort se ç’ duhej.
Fjalët, kur nuk janë të sigurta, dalin me më shumë forcë. Tastiera kërcet, jo sepse do të dëgjohet, por është mendimi ai që kërkon një mënyrë për ta ndjerë ekzistencën e vet. Kur shkruan me zhurmë, je më shumë trup sesa mendim – më shumë ngulm sesa përmbajtje. Dhe prapë, në atë trokitje ritmike ka një lloj lutjeje të fshehtë: “Dëgjoje fjalën time, edhe nëse nuk e kuptove ende.”
Fleta 24
Ora troket një herë më shumë seç prisje. Një sekondë më shumë. Një trokitje shtesë. Duket si gabim i vogël mekanik, por ti e ndjen si ndërprerje të një marrëveshjeje të padukshme. Ora duhet të jetë e saktë. Por çfarë ndodh kur ajo bëhet njerëzore, dhe gabon pak?
A është koha që e theu rregullin, apo je ti që e kishe matësin shumë të ngushtë? Ndërkohë, ora hesht sërish. Sikur të kishte kërkuar falje, ose të kishte paralajmëruar diçka.
Fleta 25
Pika e parë e kafesë bie në filxhan
Zëri i saj nuk është zhurmë. Është shenjë që dita ka filluar. Pika e parë nuk përmban shijen, por potencialin. Si çdo fillim, ajo s’është e plotë, por premton gjithçka. Aty brenda është hije e lodhjes, aroma e zgjuarjes, qetësia e parë që nuk kërkon mendim.
Filxhani ende i pa mbushur, tashmë është në pikën më të lartë i të qenit i rëndësishëm.
Fleta 26
Një send bie nga tavolina dhe nuk e merr menjëherë
Ai çast i ndërmjetëm, kur diçka bie, por ti nuk lëviz, është më i pasur se zhurma e rënies. Aty banon një mosreagim i vetëdijshëm, një zgjedhje për të mos qenë refleks. E di që sendi do të jetë aty. Dhe për herë të parë, më shumë se sendin, dëgjon jehonën e plogështisë së vetvetes, që nuk ndërhyn.
Fleta 27
Një dritë e butë bie vetëm mbi gishtin tënd të madh
Drita që ndalon pa arsye mbi një pjesë të vogël të trupit është si prekja e padukshme e një kujtese. Ti s’je duke bërë asgjë të rëndësishme, dhe pikërisht për këtë, drita zgjodhi të ulet aty. Është kjo njohje e heshtur mes trupit dhe dritës – në vendin ku nuk ke kërkuar kuptim, por ai të gjeti vetë.
Fleta 28
Shalli ngatërron frymëmarrjen për pak çaste
Ka ngrohtësi që përfshin gjithçka, poende edhe ajrin që ti kërkon. Shalli të jep prehje e të rrëmben hapësirën e frymës. Për një sekondë ndihesh i ndalur, jo nga ndonjë forcë e jashtme, por nga kujdesi që u bë pak më shumë se duhet.
Ngrohtësia s’mund të jetë gjithmonë e lirë. Ndonjëherë, ajo shtrëngon, edhe pa dashje.
Fleta 29
Avulli mbulon pasqyrën dhe fytyra zhduket për pak
Në fillim e sheh, pastaj ajo zbehet. Nuk ka tronditje – vetëm një zhdukje e ngadaltë, një lloj zhbërjeje që nuk tremb. Fytyra jote humbet, dhe për disa sekonda, je ende aty, por pa dëshmi.
Pastaj, kur pasqyra fillon të kthjellohet, kthimi i fytyrës është si një rilindje e qetë – sikur vetja vendosi të shfaqet sërish.
Fleta 30
Kur gjithçka hesht, dhe ti kupton se edhe kjo është pjesë e ditës
S’ka tinguj. As zhurma, as mendime që nxitohen, as trupa që kërkojnë shumë. Vetëm një pushim i plotë, pa shpjegim. Një dritë që vjen nga dritarja pa lajmëruar. Një frymë që nuk do asgjë.
Kjo s’është as fund, as fillim. Është hapësira që mungonte mes dy gjërave që mendove se ishin të rëndësishme. Por kjo, kjo është vetë jeta që më në fund nuk po flet, që më në fund është su e tillë.
ObserverKult
Lexo edhe:






