
1.
Gota
iu bë
tokë
trëndafilit,
trëndafili
iu bë
kokë
gotës,
që dheu i saj
të prekte
qiellin
e ajo
të mos harronte
nga vinte.
Kokë më kokë
e trup më trup,
mes tyre
uji
si frymë,
si dritë.
2.
Ajo pinte ujë
pa e ditur,
rrënjët e saj flisnin
me tokën
në heshtje.
Ajo rritej
drejt diçkaje
që nuk e kishte parë kurrë.
3.
Duart e mbajtën
si të ishte ujë,
por ajo ishte dritë,
dhe drita nuk mbahet,
ajo kalon nëpër trup
si frymë.
4.
Ajo pothuajse harroi emrin e tokës,
por jo aromën.
Sa herë që çelej,
diçka e thërriste poshtë,
edhe kur ngjitej lart.
5.
Ajo piu ujë
dhe u bë aromë,
uji mori formë
dhe u bë lule,
lulja çeli
dhe u bë trëndafil.
6.
Trupi i saj mbante dhé
nën lëkurë,
diçka rritej
si këngë.
7.
Afroheshin pa lëvizur
mes tyre,
uji,
drita,
dhe ky shikim
i imi
përpirës.
8.
Drita u përbirua në të
si kujtim,
si një emër
ta kishte vath në vesh.
9.
Të gjithë u bashkuan
në një lëvizje të vetme:
ujë dhe dritë,
trup dhe tokë,
frymëmarrje dhe kujtesë.
Asgjë nuk ikën,
sepse gjithçka kthehet
në një formë tjetër:
në tjetër ujë,
në tjetër dritë,
në tjetër aromë,
ose vjen e reformuar,
sikur kjo këngë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Ismail Syla: Shkruaj me bindjen se fuqia e fjalës është kryevepra e evolucionit miliona vjetësh






