Jasques Prèvert: Njeriu që doja vdiq…

Ku shkoj e nga vij,
Pse jam qullur.
Hajt, s’është e vështirë ta kuptosh.
Po bie shi.
Shiu është shi.
Unë eci nën të – dhe pastaj,
Dhe pastaj asgjë tjetër
Shkoni në rrugën tuaj,
Si unë në timen.
Përse llokoçitem në llucë?
Sepse më pëlqen.
Po shiu, shiu më bën të qesh.
Qesh për gjithçka, gjithçka, gjithçka.
Po i patët lotët në xhep,
Është më mirë të ktheheni në shtëpi,
Është mirë të qani mbi veten tuaj,
Por më lini
Më lini, më lini, më lini,
Kumbimin e zërit tuaj nuk dua ta dëgjoj.
Shkoni në rrugën tuaj,
Si unë në timen.
I vetmi njeri që doja
Ishit ju ata që e vratë
Që e rrahët me shkop, që ecët mbi të…
Që i dhatë goditjen e fundit.
Pashë gjakun e tij të rridhte,
Të rridhte në prrockë,
Në prrockë,
Shkoni në rrugën tuaj,
Si dhe unë në timen.
Njeriu që doja vdiq.
Koka në llucë
Ah, sa mund t’ju urrej.
T’ju urrej…është marrëzi…është e pabesueshme.
Dhe ju mallëngjeheni,
Ju jeni të mirë, shumë të mirë me mua,
Eh, po, besomëni, tepër, tepër te mirë.

Të mirë…të mirë si vrasës minjsh, me minjtë,
Por një ditë…një ditë të bukur,
Miushi do t’ju brejë…
Shkoni, shkoni në rrugën tuaj
Njerëz të mirë, njerëz për të qenë.

Përktheu: Faslli Haliti

*Titulli i origjinalit: “Ku shkoj, nga vij”

ObserverKult


Lexo edhe:

JASQUES PRÈVERT: TI DO TË VISH…