Të them lamtumirë e ndoshta ende të dua,
Ndoshta s’duhet të të harroj, por të them lamtumirë.
S’e di nëse më ke dashur… S’e di nëse të kam dashur…
Apo ndoshta u deshëm për së tepërmi.
Këtë dashuri të trishtë, pasionante dhe të çmendur,
E mbolla në shpirt veç për ty.
S’e di nëse të desha shumë… S’e di nëse të desha pak,
Por e di që kështu s’do të dashuroj më kurrë.
Më mbetet buzëqeshja jote fjetur në kujtimin tim,
E zemra më thotë që s’do të të harroj.
Kur sapo vetëm mbetem dhe e di se po të humbas,
Ndoshta nis e të dua sikur s’të kam dashur kurrë.
Të them lamtumirë dhe ndoshta me këtë përshëndetje
Më e bukura ëndërr brenda meje vdes.
Por të them lamtumirë për gjithë jetën,
Edhe pse gjithë jetën do të vazhdoj të mendoj për ty.
Në shqip: Fatbardha Statovci
ObserverKult
Lexo edhe:
POEMA E DASHURISË SË PAMUNDUR
José Ángel Buesa
Sonte kalove kah rruga ime
dhe më sëmboi në shpirt s’e di se ç’etje
por i vetëdijshëm jam për timin fat
që mund të të shikoj vetëm nga larg.
Jo, ti kurrë nuk the që ka pranverë
në trëndafilat e fshehtë të buqetës tënde.
As unë ndryshe s’duhet të të shikoj
pos nga larg dhe vetëm kaq.
E kështu ndonjëherë e qetë dhe e bukur kalon,
ashtu sikur të pashë këtë natë që shkon.
Si një yll të të shikoj duhet unë
që nga larg vështrohet dhe hiç më shumë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU: