José Saramago: Përralla e ishullit të panjohur

Një burrë shkoi e trokiti në derën e mbretit dhe tha, Jepma një barkë. Shtëpia e mbretit kishte edhe shumë dyer të tjera, por kjo derë ishte për kërkesa. Meqë mbreti e harxhonte tërë kohën e tij duke ndenjur ulur para derës së favoreve (favoreve që i bëheshin mbretit, kuptohet kjo), sa herë që dëgjonte se dikush po trokiste në derën e kërkesave, do të shtirej sikur nuk kuptonte dhe vetëm kur trokëllima e vazhdueshme e çokut të bronztë të derës bëhej jo vetëm shurdhuese, por pozitivisht skandaloze, duke prishur paqen e fqinjësisë (njerëzit do të fillonin të pëshpëritnin, Çfarë mbreti është ai që nuk përgjigjet), ai do ta urdhëronte sekretarin e parë të shkonte e të merrte vesh se çfarë dëshironte lutësi, meqë nuk shihej ndonjë mënyrë tjetër për ta heshtur. Pastaj, sekretari i parë do ta thërriste sekretarin e dytë, i cili do ta thërriste sekretarin e tretë, i cili do t’ia jepte urdhrat ndihmësit të parë, i cili, me radhë, do të jepte urdhra për ndihmësin e dytë dhe kështu deri te pastruesja, e cila, duke mos pasur tjetërkënd për t’ia lëshuar urdhrat në dorë, duke hapur derën përgjysmë, përmes së çarës do të thoshte, Çka po don? Lutësi do ta shprehte çështjen për të cilën kishte shkuar të pyeste, pastaj do të priste te dera që kërkesa e tij të ndiqte shtegun prapa nga kishte ardhur, person pas personi, deri te mbreti. Mbretit, të zënë si zakonisht me favoret që i bëheshin, do t’i duhej shumë kohë për t’u përgjigjur dhe nuk ishte gjë e vogël në brengën e tij për lumturinë dhe mirëqenien e popullit të tij që ai, përfundimisht, të vendoste të pyeste sekretarin e parë për një opinion autoritar të shkruar, e sekretari i parë, nuk është nevoja të thuhet, do ta kalonte komandën te sekretari i dytë, i cili do ta kalonte te sekretari i tretë dhe kështu teposhtë deri te pastruesja, e cila do ta jepte një po ose jo, varësisht se në çfarë disponimi ishte.

Megjithatë, në rastin e burrit që kërkonte barkë, nuk ndodhi pikërisht kështu. Kur pastruesja e pyeti përmes së çarës së derës, Çka po don, burri, ndryshe nga të tjerët, nuk kërkoi titull, medalje apo thjesht para, ai tha, Dua të flas me mbretin. Ti e di shumë mirë se mbreti nuk mund të vijë, është i zënë te dera e favoreve, ia ktheu gruaja, Mirë, shko e thuaji atij se nuk largohem derisa të vijë, vetë ai, për të dëgjuar çfarë dua, tha burri dhe u shtri në prag, duke u mbuluar me batanije për t’u mbrojtur nga i ftohti. Çdonjëri që donte të hynte apo dilte duhej së pari të shkelte mbi të. Tashmë kjo paraqiste problem shumë të madh, meqë duhet pasur parasysh se, sipas protokollit që qeveriste dyert e ndryshme, vetëm një lutës mund të trajtohej njëherazi, që nënkuptonte se, derisa dikush ishte duke pritur për përgjigje, askush tjetër nuk mund të afrohej për t’i bërë të ditura nevojat e ambiciet. Në shikim të parë, do të dukej se personi që mund të nxirrte më së shumti fitime nga ky nen i rregulloreve ishte mbreti, duke pasur parasysh se sa më pak njerëz e bezdisnin me tregime të ndryshme për vuajtjet e tyre, ai do të mund të shpenzonte sa më shumë kohë, i papenguar, për të pranuar, parë e palosur favore. Një shikim i dytë, megjithatë, do të zbulonte se mbreti ishte humbësi i vërtetë, për shkak se kur njerëzit të kuptonin se sa kohë kalonte, paarsyeshëm, për të marrë një përgjigje, protestat e ardhshme do t’i rrisnin seriozisht trazirat sociale dhe kjo do të kishte efekt të menjëhershëm e negativ në rrjedhën e favoreve që i ofroheshin mbretit. Në këtë rast të veçantë, si rezultat i peshimit të fakteve pro e kontra, pas tri ditësh, mbreti vajti vet te dera e kërkesave për të parë se çka donte ai telashexhi që kishte refuzuar që kërkesa e tij të shkonte përmes kanaleve të duhura burokratike.

Hapeni derën, i tha mbreti pastrueses dhe ajo tha, Tërësisht apo vetëm pak. Mbreti ngurroi një çast, e vërteta ishte se ai nuk merakosej fort ta ekspozonte veten ndaj ajrit të rrugëve, por pastaj, reflektoi, do të dukej keq, e padenjë për veten e tij madhështore, të fliste me dikë nga nënshtetasit e tij përmes së çarës së derës, sikur të frikohej nga ai, posaçërisht në prani të dikujt që ishte duke e dëgjuar bisedën, pastrueses që menjëherë do të shkonte t’u tregonte të gjithëve dhe disave që i dinin gjërat. Me derë krahëhapur, urdhëroi ai. Në çastin kur dëgjoi se shulat po shtyheshin prapa, burri që dëshironte një barkë, u ngrit nga pragu, hoqi batanijen dhe priti.

Këto shenja që tregonin se, më në fund, dikush do të merrej me çështjen, që do të thoshte se hapësira te dera së shpejti do të ishte e lirë, mblodhën një numër të lutësve të tjerë aspirues të bujarisë së mbretit, të cilët po silleshin përreth duke pritur për ta zënë vendin posa të mbetej bosh.

Arritja e papritur e mbretit (një gjë e tillë nuk kishte ndodhur që nga koha kur ishte kurorëzuar), provokoi befasi të madhe, jo vetëm për kandidatët e sipërpërmendur, por edhe ndër njerëzit që jetonin në pjesën tjetër të rrugës, që, të tërhequr nga trazimi i vrullshëm, po shikonin nga dritaret e tyre. I vetmi person që nuk ishte posaçërisht i befasuar ishte burri që kishte shkuar për barkën. Ai kishte bërë llogaritë dhe parashikimi i tij u dëshmua i saktë, se mbreti, edhe nëse do t’i duheshin tri ditë, do të bëhej kureshtar për ta parë fytyrën e njeriut i cili, pa ndonjë arsye të dukshme dhe me vendosmëri të jashtëzakonshme, kërkonte të fliste me të. Kështu, i gjendur mes kureshtjes së parezistueshme dhe pakënaqësisë që po shihte aq shumë njerëz të mbledhur njëherazi, mbreti bëri në mënyrë të pakëndshme tri pyetje, njërën pas tjetrës, Çka doni, Pse nuk thatë menjëherë se çfarë donit, A e imagjinoni se kam gjëra më të mira për të bërë, por burri iu përgjigj vetëm pyetjes së parë, Jepma një barkë, tha ai.

Mbreti u kthye aq prapa, i tronditur, saqë pastruesja u ngut t’ia afronte një karrige me ulëse nga kashta, ku ulej vet kur kishte për të qepur ndonjë gjë, meqë, përveç pastrimit, ajo ishte gjithashtu përgjegjëse për të qepurat në pallat, për shembull mbylljen e ndonjë vrime në çorapët. Duke u ndier disi çuditshëm, meqë karrigia ishte shumë më e ulët se froni i tij, mbreti po përpiqej të gjente mënyrën më të mirë për të vendosur këmbët, në fillim duke i tërhequr, pastaj duke i lënë të anoheshin në secilën anë, teksa burri që po e kërkonte me durim barkën, po priste për pyetjen e radhës, Dhe, mund ta dimë pse ju duhet kjo barkë, ishte ajo çfarë në të vërtetë pyeti mbreti kur më në fund arriti ta vendoste veten me një shkallë të arsyeshme të rehatisë në karrigen e pastrueses, Për ta kërkuar ishullin e panjohur, ia ktheu burri, Çfarë ishulli i panjohur, pyeti mbreti, duke u përpjekur ta mbante të qeshurën, sikur të kishte para vetes një nga ata çmendurakët e obsesionuar me udhëtimet detare, Ishulli i panjohur, tha prapë burri, Gjepura, nuk ka më ishuj të panjohur, Kush ju tha, zotëri, se më nuk ka ishuj të panjohur, Të gjithë janë në harta, Vetëm ishujt e njohur janë në harta, Dhe, çka është puna e këtij ishulli të panjohur ku doni të shkoni, Po të mund të ta thosha, nuk do të ishte i panjohur. E keni dëgjuar dikë duke folur për të, pyeti mbreti, tash më serioz, Jo, asnjë, Meqë është kështu, pse këmbëngulni se ekziston, Sepse thjesht nuk është e mundshme të mos ketë një ishull të panjohur, Dhe, keni ardhur këtu të më lusni për një barkë, Po, kam ardhur t’ju lus për një barkë, Dhe, kush jeni ju që duhet t’jua jap një barkë, Dhe, kush jeni ju të mos ma jepni një, Unë jam mbreti i kësaj mbretërie dhe të gjitha barkat më takojnë mua, Ju u takoni atyre më shumë se ato juve, Çka doni të thoni, pyeti mbreti, i shqetësuar, Them se pa to, ju jeni asgjë, teksa, pa ty, ato ende mund të lundrojnë, Nën urdhrat e mi, me timonierët e mi dhe me marinarët e mi, Por, nuk po ju lus për marinarë e timonierin, krejt çfarë po kërkoj nga ju është një barkë, Dhe, çka lidhur me këtë ishull të panjohur, nëse e gjeni, do të jetë imi, Ju, zotëri, jeni i interesuar vetëm për ishujt që tashmë njihen, Dhe për të panjohurit, si të bëhen të njohur, Ndoshta ky nuk do të lejojë të bëhet i njohur, Pra, nuk do t’jua jap barkën, Po, do të ma jepni. Kur i dëgjuan këto fjalë, të shprehura me aq vetëbesim, lutësit e tjerë në derën e kërkesave, padurimi i të cilëve po rritej vazhdimisht që kur kishte nisur biseda, vendosën të ndërhyjnë në favor të burrit, më shumë nga dëshira për ta hequr qafe se nga ndjenja e solidaritetit, dhe filluan të bërtasin, Jepjani barkën, jepjani barkën.

Mbreti hapi gojën t’i thoshte pastrueses të thërriste gardën e pallatit që të vinte e ta vendoste rendin publik dhe të impononte disiplinën, por, në atë çast, njerëzit që po shikonin nga dritaret e shtëpive përballë u bashkuan me ngazëllim në kor, duke bërtitur me të tjerët, Jepjani barkën, jepjani barkën. I ballafaquar me një shprehje të tillë, të pamëdyshje, të vullnetit popullor dhe i brengosur se çfarë mund të ketë humbur ndërkohë në derën e favoreve, mbreti ngriti dorën e djathtë për të urdhëruar qetësi dhe tha, Do të ta jap barkën, por duhet që vetë ta gjeni ekuipazhin, mua më duhen të gjithë marinarët për ishujt e njohur. Bërtima gëzimi nga turma përmbytën fjalët falënderuese të burrit, por gjykuar nga lëvizja e buzëve, ai mund të ketë thënë, Faleminderit, zoti im, përcjellë nga, Mos u merakosni, do t’ia dal, por të gjithë dëgjuan qartë se çfarë tha pastaj mbreti, Shko poshtë te doku, kërkoje shefin e limanit, thuaji që të kam dërguar unë dhe ai do të ta japë barkën, merre kartën time me vete. Burri të cilit do t’i jepej barka lexoi vizitkartën, që mbante fjalën mbret nën emrin e mbretit dhe këto ishin fjalët që kishte shkruar mbreti teksa po e mbante kartën në supet e pastrueses, Jepjani bartësit të kësaj vizitkarte një barkë, nuk do të thotë të jetë barkë e madhe, por duhet të jetë e sigurt, barkë lundruese detesh, Nuk dua ta kem në ndërgjegje nëse gjërat shkojnë keq. Kur burri ngriti sytë kësaj here, mund të imagjinohet, që të falënderohet për dhuratën, mbreti tashmë ishte tërhequr dhe vetëm pastruesja ishte aty, duke e shikuar mendueshëm. Burri i largua nga dera, shenjë për lutësit e tjerë që më në fund të afroheshin, ka pak arsye të përshkruhet çoroditja që pasoi, ku secili përpiqej t’i afrohej derës i pari, por mjerisht, dera u mbyll prapë. Ata përplasën çokun e bronztë të derës për ta thirrur pastruesen, por ajo nuk ishte aty, ishte kthyer dhe kishte ikur, me kovën e fshesën, te një derë tjetër, dera e vendimeve, që përdorej rrallë, por kur përdorej, përdorej vendosmërisht. Tash dikush mund ta kuptojë shikimin e mendueshëm në fytyrën e pastrueses, meqë ky ishte çasti i saktë kur kishte vendosur të shkonte pas burrit që ishte nisur drejt limanit për ta marrë barkën. Ajo vendosi që kishte kaluar mjaft kohë duke pastruar e fshirë pallatet, se ishte koha për të ndërruar punën, se pastrimi e fshirja e barkave ishte zanati i saj i vërtetë, së paku nuk do t’i mungonte kurrë uji i detit. Burri nuk e kishte idenë që, ndonëse ende nuk kishte nisur t’i mblidhte pjesëtarët e ekuipazhit, atij tashmë po i shkonte pas një person që do të ishte përgjegjës për të larë kuvertat dhe detyra të ngjashme, vërtet, kjo është mënyra si na trajton zakonisht fati, është aty fill pas nesh, tashmë ka zgjatur një dorë për të na prekur në supe derisa ne ende pëshpëritim vet-më-vete. E tëra ka marrë fund, kjo është, kujt i bëhet vonë.

Pasi eci goxha një udhë, burri arriti te limani, shkoi poshtë te doku, pyeti për shefin e limanit dhe, teksa po priste për të, filloi të pyeste me vete se cila nga barkat e lidhura atje do të ishte e tij, e dinte se nuk do të ishte e madhe, vizitkarta e mbretit ishte shumë e qartë në këtë pikë, gjë që përjashtonte vaporet, anijet e ngarkesave dhe anijet luftarake, as nuk mund të ishte aq e vogël sa të mos u qëndronte erërave të forta apo ashpërsive të detit, mbreti kishte qenë i prerë edhe në atë pikë, Duhet të jetë e sigurt, barkë lundruese detesh, këto ishin fjalët e tij, kështu që kishte përjashtuar hapur varkat me rrema, lundrat dhe barkat e vogla, të cilat, ndonëse tërësisht të lundrueshme në dete dhe të sigurta, secila në mënyrën e vet, nuk ishin bërë për të çarë oqeanet, ku gjenden ishujt e panjohur. Pak më tutje, e fshehur pas disa fuçive, pastruesja hodhi sytë mbi barkat e lidhura, më pëlqen ajo, mendoi, jo që opinioni i saj merrej parasysh, ajo madje as që ishte marrë në punë, por, fillimisht, të dëgjojmë se çfarë ka për të thënë shefi i limanit. Shefi i limanit erdhi, lexoi kartën, shikoi burrin nga maja e kresë te këmbët dhe pyeti për çështjen të cilën mbreti e kishte shpërfillur, A dini të lundroni, e keni licencën e lundrimit, kurse burri u përgjigj, Do të mësoj në det. Shefi i limanit tha, Nuk do ta këshilloja këtë, unë jam vetë kapiten dhe sigurisht që nuk do të merrja detin në sy në një barkë thjesht të vjetër, Atëherë jepma një me të cilën mund të lundroj, jo, jo një të tillë, jepmani një barkë që do ta respektoj dhe që do të më respektojë, Këto janë fjalë detari, e ju ende nuk jeni detar, Nëse flas si detar, atëherë duhet të jem i tillë. Shefi i limanit e rilexoi vizitkartën e mbretit, pastaj pyeti, A mund të më thoni pse e doni barkën, Për ta kërkuar ishullin e panjohur, Nuk ka më ishuj të panjohur, Pikërisht kështu më tha mbreti, Ai ka mësuar gjithçka që di për ishujt nga unë, Është e çuditshme që ju, burrë i detit, po më thoni se nuk ka më ishuj të panjohur, unë jam burrë i tokës e prapë e di se madje edhe ishujt e njohur mbesin të panjohur derisa shkelim mbi ta, Por, nëse ju kuptova mirë, ju po shkoni për të kërkuar një ku ende askush nuk ka shkelur, Po, do ta di kur të mbërrij atje, Nëse mbërrini, Epo, barkat mbyten gjatë rrugës, por nëse kjo do të më ndodhë, duhet ta shkruash në librin e limanit se kam arritur në këtë apo atë pikë, Mendoni se gjithnjë do të arrini diku, Nuk do të ishit burri që jeni po të mos e dinit këtë. Shefi i limanit tha, Do të ta jap barkën që ju duhet, Cilën, Është barkë me shumë përvojë, që daton që nga ditët kur secili kishte dalë në kërkim të ishujve të panjohur, Cilën, Vërtet edhe mund të ketë gjetur disa, Cila është, Ajo. Posa pastruesja vërejti se nga po bënte me dorë shefi i limanit, ajo doli nga vendi pas fuçive, duke bërtitur, Ajo është barka ime, ajo është barka ime, por duhet ta falim deklarimin e saj të pazakonshëm dhe tërësisht të paarsyeshëm të pronësisë, barka thjesht qëlloi ajo që i kishte pëlqyer. Duket si anije me vela, tha burri, Është, pak a shumë, u pajtua shefi i limanit, ia kishte nisur jetës si anije me vela, pastaj kaloi nëpër riparime të ndryshme dhe modifikime që e ndryshuan paksa, Por, prapë është anije me vela, Po, e ka ruajtur goxha shumë karakterin origjinal, Dhe ka direkë e vela, Këto të duhen kur nisesh në kërkim të ishujve të panjohur. Pastruesja nuk mundi më të përmbahej, Sa më përket mua, ajo është barkë për mua, E kush je ti, pyeti burri, Nuk më mban mend, Jo, nuk të mbaj mend, Unë jam pastruesja, Çka pastron, Pallatin e mbretit, Gruaja që hapi derën për kërkesat, Pikërisht ajo, E pse nuk je te pallati i mbretit duke pastruar e hapur dyer, Për shkak se dyert që me të vërtetë doja t’i hapja kishin qenë tashmë të hapura dhe për shkak se nga sot e tutje, do të pastroj vetëm barka, Pra dëshiron të vish me mua në kërkim të ishullit të panjohur, E lashë pallatin te dera e vendimeve, Nëse është kështu, atëherë shko e shihe njëherë anijen me vela, pas gjithë kësaj kohe, sigurisht i duhet një fshirje e mirë, por kujdes nga pulëbardhat, nuk u zihet besë, Nuk doni të vini me mua të shihni si duket nga brenda barka jote, Ju thatë se ishte barka jote, Më fal për atë fjalë, thashë ashtu vetëm se më pëlqeu, Të pëlqesh diçka mbase është trajta më e mirë e pronësisë dhe pronësia trajta më e keqe e të pëlqyerit.

Shefi i limanit e ndërpreu bisedën e tyre, Duhet t’ia dorëzoj çelësat pronarit të anijes, cili nga ju do të jetë, varet nga ju, nuk më intereson, njëri a tjetra, A kanë barkat çelësa, pyeti burri, Jo për të hyrë brenda, jo, por ka dollapë të rrobave dhe dollapë të mbyllur dhe zyra e kapitenit me ditarin e udhëtimit, Të gjitha do t’ia lë asaj, po shkoj të gjej ekuipazhin, tha burri dhe shkoi.

Pastruesja shkoi te zyra e shefit të limanit për të marrë çelësat, pastaj hipi në barkë, ku dy gjëra i hynë në punë, fshesa e pallatit dhe paralajmërimi për pulëbardhat, ajo ishte në gjysmë të urës lëvizëse duke dalë anash anijes për te moli kur ato u hodhën mbi të, duke piskatur egërsisht, sqepat e hapur thuajse dëshironin ta gëlltisnin në vend. Nuk e dinin se me kë kishin të bënin. Pastruesja lëshoi kovën, rrëshqiti çelësat mes gjinjve, u ngul në urën lëvizëse dhe, duke e rrotulluar fshesën rreth vetes sikur të ishte shpatë e vjetër e gjerë, arriti ta shpërndante bandën vrastare. Vetëm kur hipi në anije ajo e kuptoi me të vërtetë zemërimin e pulëbardhave, kishte fole gjithkah, shumë nga to të braktisura, të tjera që ende kishin vezë dhe disa me zogtha duke pritur, gojëhapur, për ushqim, Mirë shumë, por duhet të shpërnguleni me shtëpitë, një anije që është gati për t’u nisur në kërkim të ishullit të panjohur nuk mund ta lërë limanin duke u dukur si kotec, tha ajo. Hodhi foletë boshe në ujë, por të tjerat, për momentin, i la ku ishin. Pastaj përvoli mëngët dhe filloi ta fshinte kuvertën. Kur e përfundoi këtë detyrë të lodhshme, ajo shkoi e hapi dollapët e velave dhe filloi me kujdes të ekzaminonte velat për të parë se në çfarë gjendje ishin tegelat pas një kohe aq të gjatë pa dalë në det dhe pa u tendosur nga erërat e fuqishme. Velat janë muskujt e barkës, vetëm duhet t’i shikoni teksa mbufaten e tendosën në erë për ta marrë vesh, por, sikur muskujt, nëse nuk përdoren rregullisht, ata dobësohen, lëshohen, mbeten pa pejza. Dhe, tegelat janë si pejzat e velave, mendonte pastruesja, e kënaqur që po e mësonte artin e lundrimit aq shpejt. Disa tegela dukeshin të tëholluar, e këta ajo i shenjëzoi me kujdes, meqë gjilpëra e peri që, hiq më larg se dje, i kishte përdorur për të mbyllur vrima çorapesh, nuk mjaftonin për këtë punë. Dollapët e tjerë, e zbuloi ajo shpejt, ishin boshë.

Fakti se nuk kishte barut në dollapin e barutit, vetëm një trohë pluhur të zi në fund të tij, për ç’gjë në fillim ajo mendoi se ishin kakërdhia miu, nuk e pengoi fare, vërtet, nuk ka ligj, së paku jo për aq sa dinte pastruesja, se kërkimi i një ishulli të panjohur duhet domosdo të jetë ndërmarrje luftarake. Çfarë e mërziti plotësisht ishte mungesa e tërësishme e ushqimit në dollapin e ushqimit, jo për veten, meqë ajo ishte e mësuar me copa të vogla në pallat, por për shkak të burrit të cilit i ishte dhënë kjo barkë, dielli shpejt do të perëndonte dhe ai do të kthehej duke kërkuar bukë, siç bëjnë të gjithë burrat kur mbërrijnë në shtëpi, sikur të ishin të vetmit që kishin stomak dhe nevojë për ta mbushur, Dhe, nëse sjell marinarë me vete për anijen, ata hanë si kuajt dhe pastaj, tha pastruesja, nuk e di si do t’ia bëj.

Nuk do të duhej të brengosej. Dielli posa ishte shuar në oqean kur burri me barkë u shfaq në fund të molit. Po mbante një paketë në duar, por ishte i vetëm dhe dukej i ligështuar. Pastruesja shkoi ta priste te ura lëvizëse, por para se të mund ta hapte gojën për të zbuluar se si kishte shkuar dita, ai tha, Mos u brengos, kam sjellë mjaft ushqim për ne të dy, E marinarët, pyeti ajo, Asnjë nuk erdhi, siç mund ta shohësh, Por, a të tha së paku ndonjë se do të vinte, pyeti ajo, Thanë se nuk ka më ishuj të panjohur dhe, edhe po të kishte, nuk ishin të përgatitur të lënë rehatinë e shtëpive të tyre dhe jetën e mirë në anijet e udhëtarëve vetëm që të përfshihen në një aventurë oqeanike, duke kërkuar të pamundurën, sikur ende të ishim duke jetuar në ditët kur deti ishte i errët, Dhe, çfarë u the ti, Se deti është gjithmonë i errët, Dhe nuk u tregove për ishullin e panjohur, Si mund t’u tregoja për ishullin e panjohur, kur as vet nuk e di se ku është, Por, ti je i sigurt se ekziston, Siç jam i sigurt se deti është i errët, Pikërisht tani, shikuar nga këtu, me ujin ngjyrë xhadeje dhe qiellin e ndezur, mua fare nuk po më duket i errët, Është vetëm iluzion, nganjëherë duket se ishujt pluskojnë mbi sipërfaqen e ujit, por nuk është e vërtetë, Si mendon se do t’ia dalësh nëse nuk ke ekuipazh, Ende nuk e di, Do të mund të jetonim këtu, kurse unë mund të gjej punë për pastrimin e barkave që vijnë në liman, e ti, E unë, Duhet të dish ndonjë mjeshtri, të kesh ndonjë zanat, profesion, siç e quajnë këtyre ditëve, E kam, e kam pasur, do ta kem nëse është e domosdoshme, por dua ta gjej ishullin e panjohur, dua ta gjej kush jam kur të jem në atë ishull, Nuk e di, Nëse nuk dilni jashtë vetvetes, kurrë nuk do ta dini kush jeni, Filozofi i mbretit, kur nuk kishte çfarë të bënte, do të vinte e të ulej pranë meje dhe do të më shikonte teksa mbyllja vrimat e çorapeve dhe nganjëherë do të fillonte të filozofonte, ai thoshte se secili njeri është një ishull, por meqë ai nuk kishte asgjë të bënte me mua, pasi jam grua, nuk e dëgjoja, çfarë mendon, Që duhet ta lësh ishullin në mënyrë që ta shohësh ishullin, që nuk mund ta shohim vetveten po të mos lirohemi nga vetvetja, Po të mos ikim nga vetvetja, po mendon, Jo, nuk është e njëjta gjë. Shkëlqimi në qiell po vdiste, ujërat u bënë papritur të purpurt, tash madje as pastruesja nuk do të mund të dyshonte se deti me të vërtetë është i errët, së paku në pjesë të caktuara të ditës.

Burri tha, Ta lëmë filozofimin për filozofin e mbretit, në fund të fundit për këtë e paguajnë dhe të hamë, por gruaja nuk u pajtua, Së pari, duhet ta inspektosh barkën tënde, e ke parë vetëm nga jashtë. Në çfarë gjendje kishte qenë, Epo, disa nga tegelat e velave duhet të përforcohen, Ke shkuar poshtë, ka depërtuar shumë ujë, Ka pak në fund, që preket me balastin, por duket normale, është mirë për barkën, Si i ke mësuar këto gjëra, Thjesht i kam mësuar, Por si, Në të njëjtën mënyrë siç i the shefit të limanit se do t’i mësoni gjatë lundrimit në det, Ende nuk jemi në det, Jemi mbi ujë, Besoja se në lundrim janë dy mësues të vërtetë, njëri është deti e tjetra është barka, E qielli, po e harroni qiellin, Po, natyrisht, qielli, Erërat, Retë, Qielli, Po, qielli.

Për gati një çerek ore iu sollën tërë anijes, një anije me vela, madje e ndryshuar, nuk lejon ecje edhe aq të gjata. Është këndshëm, tha burri, por nëse nuk mund të gjej mjaft pjesëtarë të ekuipazhit për ta vënë në lëvizje, duhet të kthehem te mbreti e t’i them se nuk e dua më, Sinqerisht, pengesa e parë që hasni e të ligështohet zemra, Pengesa e parë ishte të priturit tri ditë për mbretin dhe atëherë nuk u dorëzova, Nëse nuk mund të gjejmë marinarë të gatshëm të vijnë, atëherë duhet t’ia dalim vet, Ti je e çmendur, dy njerëz nuk mund të lundrojnë në një anije si kjo, Pse, Do të duhet të jem tërë kohën në timon e ti, epo, madje as që mund të filloj të ta shpjegoj, është çmenduri, do ta shohim, tash shkojmë e hamë. Shkuan lart në kuvertën e pasme, burri ende duke kundërshtuar atë që e quajti çmenduri të saj e atje pastruesja e hapi paketën që ai kishte sjellë, një copë bukë, djathë të fortë dhie, ullinj dhe një shishe verë.

Hëna tash ishte një dorë mbi det, hijet e hedhura nga shulica dhe direku kryesor zgjateshin të shtrira deri te këmbët e tyre. Anija jonë është përnjëmend e këndshme, tha gruaja, pastaj e korrigjoi veten, Mendova anija jote, Mendoj se nuk do të jetë e imja edhe për shumë kohë, E lundroni a jo, është e jotja, mbreti ty ta dha, Po, por e luta të ma jepte ashtu që të shkoj në kërkim të një ishulli të panjohur, Por, këto gjëra nuk ndodhin thjesht nga një çast në tjetrin, merr kohë, gjyshi im gjithmonë thoshte se kushdo që shkonte në det, së pari duhet t’i bëjë përgatitjet në tokë, e ai madje nuk ishte as detar, Pa pjesëtarë të ekuipazhit nuk mund të lundrojmë, Ashtu thatë, Dhe duhet ta pajisim anijen me një mijë e një gjëra që duhen për një udhëtim si ky, duke pasur parasysh se nuk e dimë ku mund të na çojë, Natyrisht, dhe duhet të presim stinën e duhur dhe të lundrojmë në rrymë të mirë dhe të ketë njerëz që do të vijnë në mol për të na uruar udhëtim të mbarë, Po tallesh me mua, Aspak, kurrë nuk do të tallesha me personin që më bëri ta lë pallatin te dera e vendimeve, Më fal, Dhe, nuk do të shkoj në atë derë më, çfarëdo që të ndodhë. Drita e hënës po binte drejt e në fytyrën e gruas, Bukur, përnjëmend bukur, mendoi burri dhe këtë herë nuk e kishte për anijen me vela. Gruaja nuk mendonte ndonjë gjë, ajo duhet t’i ketë menduar të gjitha gjërat atyre tri ditëve gjatë të cilave do ta hapte derën herë pas here për të parë nëse ai ishte aty jashtë, duke pritur.

Nuk kishte mbetur asnjë thërrime buke apo djathë, asnjë pikë verë, ata kishin hedhur bërthamat e ullinjve në det, moli ishte i pastër që kur pastruesja e kishte fshirë me leckë herën e fundit. Sirena e një anije me avull lëshoi një hungërimë të atillë që duhej ta kishin bërë leviatanët dhe gruaja tha, Kur të na vijë radha, nuk do të bëjmë kaq shumë zhurmë. Ndonëse ishin ende në liman, uji llokoçiti lehtësisht kur kaloi anija me avull dhe burri tha, Por do të lëkundemi sigurisht shumë më tepër. Qeshën të dy, pastaj heshtën, pas një kohe, njëri nga ta propozoi se mbase duhej të shkonin të flinin, Jo që po më merr gjumi posaçërisht dhe tjetri u pajtua, Jo, as mua, pastaj prapë heshtën, hëna u ngrit dhe vazhdoi të ngrihej, në një çast gruaja tha, Ka krevate marinari poshtë, burri tha, Po, dhe u ngritën e shkuan poshtë te moli, kur gruaja tha, Shihemi nesër, po shkoj këtej dhe burri ia ktheu, Unë po shkoj këtej, shihemi nesër, nuk thanë as majtas, as djathtas, mbase për arsye se të dy ishin të rinj në këtë art. Gruaja u kthye, Oh, harrova dhe nxori dy qirinj nga xhepi i përparëses, i gjeta teksa po pastroja, por nuk kam shkrepëse, Unë kam, tha burri. Ajo mbajti qirinjtë, nga një në secilën dorë, ai ndezi një shkrepëse, pastaj, duke e mbrojtur flakën nën kubenë e gishtërinjve, e ngjiti në fitilat e vjetër, flaka filloi, u rrit ngadalë si dritë-hëna, ndriçoi fytyrën e pastrueses, nuk ka nevojë të themi se çfarë mendoi ai, Ajo është e bukur, por gjëja që mendonte ajo ishte, Ai me sa duket ka sy vetëm për ishullin e panjohur, ky është thjesht një shembull se si njerëzit mund të keqinterpretojnë shikimin në sytë e tjetërkujt, gjë që ndodh posaçërisht mes atyre që posa njihen. Ajo ia dha njërin qiri, tha, Shihemi nesër, pastaj, flefsh mirë, ai deshi ta thoshte të njëjtën gjë, vetëm se ndryshe, Ëndrra të ëmbla, ishte fraza me të cilin shkoi, pas pak, kur ishte poshtë, shtrirë në krevat, fraza të tjera do t’i buronin në mendje, më të zgjuara, më joshëse, fraza të tilla që do të duhej të përdoreshin kur një burrë është i vetëm me një grua. Ai pyeste nëse tashmë ajo kishte fjetur, nëse i ishte dashur gjatë kohë për të fjetur, pastaj imagjinoi se ishte duke e kërkuar dhe nuk mund ta gjente askund, se ata të dy kishin humbur në një anije të madhe, gjumi është magjistar i shkathtë, i ndryshon proporcionet e gjërave, distancat mes tyre, ndan njerëzit kur ata gjenden të shtrirë pranë njëri-tjetrit, i bën bashkë kur ata mezi e shohin njëri-tjetrin, gruaja është duke fjetur vetëm disa metra larg tij e ai nuk mund ta arrijë, megjithatë është aq lehtë të shkohet nga ana e majtë te ana e djathtë e anijes.

Ai i kishte uruar asaj ëndrra të ëmbla, por ishte ai që kishte ëndërruar tërë natën. Ëndërroi që anija e tij me vela ishte larg në dete, me tri vela trekëndëshe lavdiplota, duke çarë mes valëve, teksa ai mbante timonin e ekuipazhi pushonte nën hije. Ai nuk mund të kuptonte se çfarë po bënin ata marinarë aty, të njëjtit që kishin refuzuar të hipnin me të për ta kërkuar ishullin e panjohur, me gjasë ishin penduar për ironinë e ashpër me të cilën e kishin trajtuar. Mund të shihte gjithashtu kafshë që silleshin nëpër kuvertë, rosa, lepuj, pula, bagëti të zakonshme shtëpiake, duke çukitur kokrrat e misrit apo duke brejtur fleta lakre që një marinar po ua hidhte, nuk mbante mend t’i kishte marrë me vete në bord, por sido që të ketë ndodhur, ishte thjesht e natyrshme që ishin aty, meqë, çka nëse ishulli i panjohur ishte ishull i shkretë, siç kishte ndodhur shpesh në të kaluarën, më mirë të siguroheshin dhe të gjithë e dimë se t’ia hapësh derën e kotecit lepurit dhe ta nxjerrësh jashtë për veshëve është gjithnjë më lehtë sesa t’i qepesh pas nëpër kodra e lugina. Nga thellësia e hambarit të anijes mund të dëgjonte korin e hingëllimave të kuajve, palljen e qeve, pëllitjen e derrave, zërat e kafshëve fisnike, aq vitale për të bërë punën e rëndë, si kishin ardhur aty, si mund të përshtateshin në një anije me vela që mezi ka hapësirë për ekuipazhin njerëzor, papritmas era ndërroi drejtimin, vela kryesore u përplas dhe u valëzua dhe prapa ishte diçka që ai nuk e kishte vërejtur më parë, një grumbull grash, të cilat, pa i numëruar, duhej të ishin po aq sa marinarët, të zëna me punë grash, ende nuk kishte ardhur koha të merreshin me gjëra të tjera, është e qartë se kjo duhet të jetë ëndërr, askush në jetën e vërtetë nuk kishte udhëtuar kështu. Burri në timonin e anijes po shikonte për pastruesen, por nuk mund ta shihte, Ndoshta është në krevatin e anës së djathtë, duke pushuar pas fshirjes së kuvertës, mendoi ai, por po e mashtronte veten, për shkak se e dinte fort mirë, ndonëse megjithatë nuk e dinte se si e dinte, që, në çastin e fundit, ajo kishte zgjedhur të mos shkonte, se kishte kërcyer në mol, duke bërtitur, Mirupafshim, mirupafshim, meqë ti ke sy vetëm për ishullin e panjohur, unë po ik, por kjo nuk ishte e vërtetë, pikërisht tani sytë e tij po e kërkonin e nuk po e gjenin.

Në këtë çast, qielli u nxi dhe filloi të binte shi dhe, meqë binte shi, bimë të panumërta filluan të mugullojnë nga të çarat e thasëve të mbushur me dhé, të renditur përgjatë skajeve të anijes, nuk ishin aty për shkak te frikës se nuk do të kishte mjaftueshëm dhé në ishullin e panjohur, por për shkak se në atë mënyrë mund të fitohet kohë, ditën që mbërrijmë, krejt çka duhet bërë është të mbëltojmë pemët frutore, të mbjellim farat nga fushat e vogla të grurit të pjekur këtu dhe të dekorojmë lehet me lulet që do të lulëzojnë nga këto sythe. Burri në timonin e anijes i pyet marinarët që po pushonin në kuvertë nëse po shihnin ishuj të pabanuar dhe ata i thanë se nuk po shihnin asnjë ishull, të pabanuar ose të banuar, por po e shqyrtonin zbarkimin në copëzën e parë të tokës së banuar që do të shfaqej, po pati liman kur anija mund të ankorohej, tavernë ku mund të pinë dhe shtrat ku mund të argëtohen, meqë aty nuk kishte hapësirë për gjëra të tilla, me aq shumë njerëz, grumbull së bashku. Por, çka u bë me ishullin e panjohur, pyeti burri në timonin e anijes, Ishulli i panjohur nuk ekziston, pos si ide në kokën tënde, gjeografët e mbretit i hulumtuan hartat dhe deklaruan se kishte me vite që nuk kishte më ishuj të panjohur, Duhej të kishit qëndruar në qytet, në vend se të ma pengonit udhëtimin, Po kërkonim një vend më të mirë për të jetuar dhe vendosëm ta shfrytëzonim udhëtimin tënd, Ju nuk jeni marinarë, Nuk kemi qenë kurrë, Nuk do të jem në gjendje ta lundroj këtë anije fillikat i vetëm, Duhej ta kishit menduar para se ta lusnit mbretin t’jua jepte, deti nuk do t’ju mësojë si të lundroni.

Pastaj, burri në timonin e anijes pa tokë në largësi dhe u përpoq të lundronte në të kundërtën e saj, duke u shtirur se ishte mirazh i një toke tjetër, imazh që kishte udhëtuar përmes hapësirës nga pjesa tjetër e botës, por burrat që nuk kishin qenë kurrë marinarë protestuan, thanë se donin të zbarkonin atje, Ky ishull është në hartë, gërthitën, do të të mbysim nëse nuk na çon atje. Pastaj, në vullnet të vetin, anija me vela u kthye drejt tokës, hyri në liman dhe u avit pranë molit, Mund të shkoni, tha burri në timonin e anijes dhe ata ikën menjëherë, në grup, së pari gratë, pastaj burrat, por nuk ikën pa gjë, morën rosat, lepujt dhe pulat, i morën qetë, gomarët dhe kuajt, madje edhe pulëbardhat, që fluturuan njëra pas tjetrës, lanë barkën prapa vetes, duke bartur zogthat me sqepa, diçka e paparë më herët, por gjithmonë ekziston hera e parë. Burri në timonin e anijes e shikoi i heshtur eksodin, nuk bëri asgjë për t’i ndalur ata që po e braktisnin, së paku ata ia lanë pemët, grurin dhe lulet, po ashtu bimët kacavarëse që përdridheshin përreth direkëve dhe zbukuronin anët e anijes. Në ngutjen për të ikur, thasët e dheut ishin grisur dhe derdhur, ashtu që tërë kuverta ishte bërë fushë, e mihur dhe e mbjellë, me vetëm pak shi e do të kishte të korra të mira.

Që kur kishte nisur udhëtimi për në ishullin e panjohur, burrin në timonin e anijes nuk e kemi parë duke ngrënë, kjo duhet të jetë kështu meqë ai po ëndërron, thjesht po ëndërron dhe nëse në ëndrrat e tij do të imagjinonte një copëz bukë apo një mollë, kjo do të ishte shpikje e kulluar, asgjë më shumë. Rrënjët nga pemët tash po i depërtojnë brinjët e anijes, nuk do të shkojë gjatë e këta çikrikë të velave nuk do të duhen më, era thjesht do të duhet të fryjë mbi kurorën e pemëve dhe anija me vela do të niset për në cakun e vet. Është pyll që lundron e hidhet mbi valë, pyll ku, ashtu siç askush nuk e di se si, zogjtë filluan të cicërojnë, duhet të kenë qenë diku të fshehur dhe papritmas vendosën të dalin në dritë, mbase për shkak se gruri është pjekur dhe ka nevojë të korret. Pastaj burri e bllokoi timonin e anijes dhe shkoi poshtë te fusha me një drapër në dorë dhe kur këputi kallinjtë e parë, pa një hije pranë hijes së tij. U zgjua me krahët rreth gruas dhe krahët e saj rreth tij, trupat e tyre dhe krevatet u shkrinë në një ashtu që askush nuk mund të thoshte nëse ishin në anën e majtë a të djathtë të anijes. Pastaj, si doli dielli, burri dhe gruaja shkuan të shkruajnë me shkronja të bardha, në të dy anët e anijes, emrin që anija me vela ende nuk e kishte. Rreth mesditës, me baticën, Ishulli i panjohur më në fund doli në det, në kërkim të vetes.

Nga anglishtja: Gëzim Aliu
ObserverKult