Intervistë me drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi
Nga: Vlora Ademi
Jeni ndër balerinët e parë të Trupës të Baletit të Kosovës, a mund të na tregoni se si lindi fillmisht ideja për t;u marrë me këtë art?
Në vitin 2001, kam përfunduar Shkollën e Mesme në vendlindje dhe në po atë vit, jam regjistru në Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”, në degën e Baletit. Në vitin 2005, jam diplomuar si profesionist i baletit dhe prej atëherë jam pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Si ka ecur ndër vite karriera jote profesionale, duke pasur parasysh se nuk kemi ambient miqësor për arte tek ne?
Kam pasur fatin që bashkë me gjeneratën time të balerinëve, qysh në vitin e dytë të inkuadrohemi në shfaqjet e baletit, duke na u dhënë mundësia që në fazat e hershme të shkollimit të dalim në skenë dhe të ballafaqohemi me ngrohtësinë e dashamirësinë e publikut, e që në fakt u përkthye në motiv të jashtëzakonshëm për të gjithë gjeneratën time.
E gjithë kjo u realizua, falë profesorit tonë të baletit z.Ahmet Brahimaj, i cili e kishte të qartë se si duhet ndërlidhet gjenerata e vjetër e balerinëve me gjeneratën e re që po vinte. Me të përfunduar shkollën profesionale të baletit, kam vazhduar karrierën me Baletin Kombëtar të Kosovës, ku ndër vite më janë besuar role të ndryshme në balete klasike të repertorit botëror dhe po ashtu edhe në balete bashkëkohore. Bashkë me Baletin Kombëtar të Kosovës, jemi paraqitur në skenat vendore, rajonale dhe evropiane me balete të ndryshme nga repertori jonë. Sot, mbi supe numëroj mbi 70 premiera baleti të zhanreve të ndryshme të baletit.
Baleti nuk ka traditë në Kosovë, krahasuar me artet tjera. Cili ka qenë e është terreni për ta ushtruar si pasion e edhe si profesion?
Në gjykimin tim, pasioni dhe dëshira për t’u marrë me atë që do, e në këtë rast me baletin, nuk njeh, ose nuk do duhej të njihte probleme rrethanore. Ato ekzistojnë në çdo vend dhe në forma të ndryshme. E kam shijuar gjithmonë atë që kam bërë dhe jam munduar t’i mënjanoj sfidat dhe problemet.
Sa mund “të mburremi” me gjithë çka kemi bërë këtyre viteve?
Baleti Kombëtar i Kosovës, pa modesti e them se është njëri prej institucioneve kulturore, më aktive e më të suksesshme në vendin tonë që prej përfundimit të luftës e këtej. Me gjithë vështirësitë e natyrave të ndryshme, kemi arritur të shfaqemi në qendra të ndryshme evropiane si: Paris, Berlin, Hamburg, Helsinki, Graz, Zurich, Kalabri dhe në vitin 2015, kemi dhënë premierë botërore në “Napoli Teatro Festival” në Napoli, Itali. Fati im si balerin, lidhet me Baletin Kombëtar të Kosovës, prandaj si balerin bashkë me shoqet e shokët e baletit, jemi krenarë për punën që bashkarisht e kemi bërë përgjatë 20 viteve, e sigurisht se meritor kryesor për këto suksese, është profesori, ish-drejtori i BKK, tani i ndjeri z.Ahmet Brahimaj.
Cilat do të ishin shfaqjet të cilat do të përmendeshin si referencë për realizimin?
Lista e preferencave të shfaqjeve të realizuara është bukur e gjatë. Shfaqjet “Dashuria që vret”, “Don Kishoti”, “Dasma”, “Othello” e “Spartaku” do të ishin disa nga shfaqjet që do i potencoja në raport me shijen time individuale, sigurisht nga prizmi i një kërcimtari në këto shfaqje.
Jeni udhëheqës i Baletit Kombëtar të Kosovës, cilat janë ambiciet e juaja menaxheriale?
Baleti Kombëtar i Kosovës, këtë vit feston 50-vjetorin e themelimit. Në aspektin organizativ, ky event do të gravitoj vëmendjen e merituar. Do të jetë një mbrëmje gala, në të cilën do t’i kujtojmë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për Baletin Kombëtar të Kosovës, e që nuk janë më në mesin tonë. Bashkëpunëtorët e BKK, kombëtar e ndërkombëtar do nderohen për kontributin e tyre në ngritjen e BKK. Pra, ky do të jetë nga prioritetet për këtë vit.
Cila është përkrahja institucionale që po i bëhet Baletit në përgjithësi?
Jemi në koordinim me MKRS, për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ballafaqohet Baleti Kombëtar i Kosovës. Uroj që premtimet që janë bërë në raport me BKK, të realizohet shpejt.
Çka do t’mund të presim të realizuar së shpejti nga Trupa e Baletit?
Ne sapo kemi përfunduar premierën e parë për këtë vit. “Romeo & Zhulieta” ka qenë baleti të cilin e kemi vënë në skenë, në bashkëpunim me koreografin, Konstantin Uralsky. Premiera e radhës do të realizohet në muajin qershor.
Dhe në raport me publikun çfarë do të mund të premtonit?
Publiku i BKK, do të ketë mundësinë të shoh përherë e më shumë shfaqje kualitative, të përcjellura me pasionin dhe përkushtimin e balerinëve të BKK, që nuk kursehen asnjëherë në paraqitjet e tyre para publikut.
ObserverKult
Lexo edhe: