“Kambana e qelqtë” me titullin origjinal “The bell jar” është novela e vetme e shkruar nga Sylvia Plath. Si fillim, libri u publikua nën pseudonimin “Victoria Lucas” në 1963 dhe u njoh nën emrin e saj vetëm në 1967.
Çdo personazh te Kambana e qelqtë përfaqëson dikë, shpesh në formën e karikaturës, që Sylvia e ka njohur, secili prej tyre i ka kushtuar asaj kohë, dashuri, madje dhe ndihmë financiare në atë periudhë të vështirë të jetës së saj më 1953.
Ky është romani i vetëm që ajo shkroi dhe nuk paraqet karakterin tipik të saj, ajo madje ishte e frikësuar për botimin, duke iu shprehur të vëllait se “ky (libri) nuk duhet botuar kurrë në Shtetet e Bashkuara”, nga frika se si do të reagonin personazhet kur të njihnin veten në faqet e librit të saj.
Vetë titulli, Kambana e qelqtë, nënkupton atë që vetë Sylvia ka shprehur, por është në dorë të lexuesit të vëmendshëm se çfarë do kuptojë prej tij.
Ester Greenwood, personazhi kryesor që rrëfen dhe ngjarjen është një vajzë e re, inteligjente dhe ambicioze, që ka arritur çdo gjë që ka dashur në jetë. Por në një verë në New York ajo e gjen veten të humbur dhe çdo ëndërr që ka arritur i duket si një vegim distant. Humb kuptimin e asaj që bën, vuan një “presion” për t’u martuar apo e çorodit jeta e natës… çfarë do të ndodhë me të?
Një libër që të bën pjesë të mendimeve të Plath dhe të tregon se si njeriu mund të ndihet shumë i izoluar dhe pse i rrethuar me njerëz. Libri gjithashtu tregon dhe anën tjetër të ambicies: Esteri që nis nga asgjëja, arrin shumë dhe më pas e gjen veten në New York ku ka humbur dhe të gjithë ambicien e pasionin. Nuk lexon apo shkruan dot më, dhe është e lodhur me gjthçka që arrin: edhe pse notat janë të shkëlqyera, nuk arrijnë të mbushin boshllëkun në të.
Një temë tjetër që mbulon është dhe roli i gruas dhe vajzave në shoqëri. Shpesh ndërtohen pritshmëri që të ushtrojnë presion për të ndërtuar një version jo real tëndin. Gjithashtu prek edhe në disa momente çështjet e virgjërisë dhe seksualitetit.
“Kambana e qelqtë” është një novelë që do ju mbajë të mbërthyer ta lexoni, pasi në fragmente të veçanta e sigurtë që do gjeni pjesë të vetes suaj. Edhe pse duket shumë i trishtë për t’u lexuar, marrë dhe nga fakti që vetë autorja vret veten një muaj pas publikimit të librit, është një libër me plot kuptim.”
“Kambana e qelqtë” e Sylvia Plath është është përkthyer në shqip nga Davjola Ndoja dhe është botuar nga Shtëpia Botuese “Pegi”, 2017.
Prej botimit “Kambana e qelqte” ka shitur me miliona kopje ndërsa në vitin 1979 u ekranizua për herë të parë
Sylvia Plath (1932 -1963) ishte një poete dhe shkrimtare amerikane. Ajo lindi në Boston dhe studioi në Smith College dhe në Universitetin e Cambridge-it, para se të njihej ndërkombëtarisht si një nga poetet dhe shkrimtaret e reja më premtuese. Në vitin 1956 u martua me poetin Ted Hughes, me të cilin jetoi derisa u ndanë në shtator të vitit 1962. Jetuan së bashku në ShBA dhe në Angli dhe patën dy fëmijë, Frieda dhe Nicholas. Në pjesën më të madhe të jetës së saj, Plath-i vuajti nga depresioni patologjik dhe u trajtua disa herë me terapitë e elektroshokut. Ajo i dha fund jetës në vitin 1963. Plath-i njihet si një nga poetet më të rëndësishme në zhanrin e lirikës vetërrëfyese dhe njihet kryesisht për dy përmbledhje me poezi, The Colossus and Other Poems dhe Ariel. “Kambana e qelqtë”, proza e saj e vetme, gjysmë autobiografike, u botua pak muaj para vdekjes. Në vitin 1982, ajo u nderua me çmimin Pulitzer për të gjitha poezitë e saj.