Hajnrih Hajne: Kisha dikur një të bukur…

Hajnrih Hajne

Nga Hajnrih Hajne

Kisha dikur një të bukur atdhe
Ku lisa kish
Të lart gjer në re dhe vjollca kryepërdhe.
Një ëndërr ish.

Ai më puthte dhe më fliste gjermanisht.
Ti s’mund ta dish
Sa ëmbël tingëllojnë fjalët “Të dua !…”
Një ëndërr ish.

Përktheu: Petraq Kolevica

ObserverKult

Hajnrih Hajne

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA HAJNRIH HAJNE: UNË QAVA NË ËNDËRR…

Bridh!

Kur një femër të del tradhtare,
Gjej një tjetër vrik e vrik;
Bile, më mirë lëre qytetin fare –
Ngjeshe trastën edhe ik!

Një liqen të kaltër do ta gjesh pastaj,
Rreth me shelgje helm e pikë;
Aty hallin e vogël qaj
Dhe shtrëngimin tënd në grykë.

Malit përpjetë duke u ngjitur,
Sa fort që do të rënkosh;
Po majë shkëmbit kur t’kesh mbërritur,
Zë shqiponjash do dëgjosh.

Atje bëhesh vetë shqiponjë madje,
Je sikur ke lindur qëparë,
Ndihesh i lirë, e ndien që poshtë atje
Nuk ke humbur pale çfarë.

Unë qava në ëndërr

Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur ike në paqe.
Kur u zgjova pashë si ende
Loti më rridhte për faqe.

Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur më dole besëprerë.
Kur u zgjova qava gjatë
I hidhëruar pikë e vrer.

Unë qava në ëndërr,
Ëndërrova sikur më doje shumë.
Kur u zgjova dhe akoma
Lotët më shkonin lumë.

Ti ke diamante e xhevahire

Ti ke diamante e xhevahire,
Ç’ka vetëm dhe një mbret,
Dhe i ke sytë më të bukur –
E dashur, më tepër ç’pret?

Për sytë e tu të bukur
Kam thurur alamet
Këngësh të paharruara –
E dashur, më tepër ç’pret?

Me sytë e tu të bukur
Më ke munduar kiamet,
Dhe më ke shkallmuar përtokë –
E dashur, më tepër ç’pret?

Asrai

Nur i madh bijë e sulltanit
Përditë vjen edhe shkon
Nga kohë akshami te shatërvani,
Ku ujtë e bardhë gurgullon.

Nga kohë akshami te shatërvani
Përditë qëndron ai skllav i ri,
Ku ujtë e bardhë gurgullon;
Dhe zbehet e zbehet si qiri.

Një mbrëmje princesha
Befas ç’i foli me gojë:
Pa më thuaj si e ke emrin,
Nga ç’vend je dhe nga ç’soj!

E i gjegji robi: Quhem Mohamet,
Vatanit tim Jemen i thonë,
Unë jam nga njai fisi asra,
I cili vdes kur dashuron…

ObserverKult