Konceptet filologjike të Ndre Mjedës

ndre mjeda

Nga Begzad Baliu

KUFIJTË E KËRKIMIT

Në kontekstin historik, gjuhësor, letrar dhe kulturor, jeta dhe vepra e Ndre Mjedës, shtrihet në dy periudha të mëdha dhe shumë të vrullshme: gjysmën e dytë të shekullit XIX të Rilindjes Kombëtare dhe gjysmën e parë të shekullit XX të Periudhës së Pavarësisë.

Fjala është për periudhat më të ndritshme të Lëvizjes kombëtare në shumë fusha të dijes dhe të jetës së popullit shqiptar, kur bardët e lëvizjes intelektuale të popullit shqiptar të organizuar në atdhe dhe në koloni të vjetra e të reja identifikoheshin si individë dhe si komb para fqinjëve dhe para Europës për konceptet e të ardhmes së tyre politike, gjuhësore, kulturore dhe etnopsikologjike.

Është koha kur mendjet historike të krijuesve shqiptarë, të organizuar në kolonitë e Lindjes ktheheshin me fytyrë kah Perëndimi, kur ndërdija e zgjuar e romantikëve shqiptarë të Kolonisë së arbëreshëve të Italisë rikthehej në vatrat historike të atdheut të të parëve, ndërsa sytë e krijuesve të brezit të ri në atdhe gjithnjë e më shumë ishin drejtuar në shkollat më bashkëkohore të dijes europiane, e kjo do të thotë në shkollat austro-gjermane të Europës Qendrore.

Ndre Mjeda është njëri nga intelektualët shqiptarë, i cili në këtë kohë do të shkollohet në fushë të teologjisë, do të popullarizohet në krijimtarinë letrare, e do të formohet në fushë të gjuhësisë.

NDRE MJEDA DHE BASHKËKOHËSIT

Duke studiuar në fushë të teologjisë në shkollat e Perandorisë Austro-Hungareze, Ndre Mjeda kishte rastin të njihte edhe zhvillimet më të reja shkencore në shumë fusha të dijes, prandaj edhe në fushë të gjuhësisë.

Ai njihte në mënyrë të shkëlqyeshme shumë gjuhë: latinishten, gjermanishten, italishten, polonishten, serbishten etj., shkëmbente një letërkëmbim shumë të dendur dhe shumë të rëndësishëm me studiuesit më të mëdhenj në fushë të albanologjisë, si: themeluesin e albanologjisë shkencore Gustav Majer; indoeuropianistin e albanologun Holger Pederse¬n; ballkanologun e albanologun më të madh të shekullit XX Norbert Jokli; dialektologun Carlo Tagliavinin, albanologët, që njëkohësisht ishin edhe bashkëpjesëmarrës të një vargu aktivitetesh kërkimore në fushë të ortografisë shqiptare, Rajko Nachtigal dhe Maximilian Lamberc etj.

Njëkohësisht, ai përcillte me kujdes kërkimet e reja gjuhësore të studiuesve më të mëdhenj të kohës, madje jo vetëm në fushë të albanologjisë, si: indogjermanistin Brugmann, ballkanologun (në kuptimin më të mirë të fjalës) Gustav Weigand, etimologun kroat Petar Skok, dialektologët, neolinguistët, tekstologët shqiptarë e të huaj: Fransua Ribezzo, Mateo Bartoli, Mario Roques, Nilo Borgia, Konstantin Kristoforidhi, Gjergj Pekmezi, Justin Rrota, Aleksandër Xhuvani etj .

Në historinë e albanologjisë dhe sidomos në historinë e Rilindjes Kombëtare e të Periudhës së Pavarësisë mund të gjenden shumë personalitete që shkruanin për gjuhën dhe për gjuhën shqipe e të problemeve të saj diskutonin nga këndi i romantikëve apo iluministëve, por në këtë kohë ishin të paktë ata gjuhëtarë e krijues që gjuhën e shkruanin dhe për gjuhën flisnin me kompetencën e gjuhëtarit dhe sidomos me përgjegjësinë e studiuesit të gjuhësisë.

Ndre Mjeda ishte njëri nga ata pak filologë shqiptarë, i cili për gjuhën shkruante në nivel të arritjeve më të rëndësishme në fushë të albanologjisë.

TRADITA E RILINDJES

Ndre Mjeda e ka jetuar dhe e ka njohur Rilindjen Kombëtare me të gjitha dimensionet e pjesëtarit të saj aktiv në këtë lëvizje. Por, ai më shumë se sa disa prej personaliteteve emblematike të Rilindjes ka njohur më shumë dhe i ka kuptuar më mirë prirjet shkencore të gjuhësisë së shkollave europiane.

Në të vërtetë, si gjatë Periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ashtu edhe gjatë Periudhës së Pavarësisë, nuk mungonin krijuesit të cilët përgjithësisht kishin koncepte të drejta për disa nga çështjet më të rëndësishme të filologjisë shqiptare, si: prejardhja e gjuhës dhe vendi i formimit të popullit shqiptar, etimologjia e disa prej toponimeve dhe antroponimeve të Europës Juglindore, ortografia e gjuhës shqipe, dialektet e shqipes dhe madje variantet e saj, trashëgimia etnopsikologjike etj., por ishin të paktë ata që këtë mendim e mbështesnin mbi të arriturat më të reja filologjike të gjuhësisë europiane.

Disa nga filologët arbëreshë gjë në gjysmën e parë të shekullit XIX jo vetëm përkrahnin tezën e prejardhjes ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, por me kërkimet e tyre ndihmonin mendimin e gjuhësisë krahasimtare indoeuropiane për hedhjen e themeleve të metodologjisë historike shkencore për albanologjinë si njëra prej disiplinave të saj.

E megjithatë, romantikët më me ndikim: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Naim Frashëri etj., jo pse nuk ishin të njoftuar, por kryesisht për hir të koncepteve romantike për lashtësinë e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, vazhdonin të përkrahnin, me gjuhën e letërsisë dhe me gjuhën e shkencës, teorinë e prejardhjes pellazgjike të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe.

Ndryshe nga bashkëkohësit e tij të Rilindjes Kombëtare, i njohur me drejtimet e reja linguistike, me rezultatet e reja të gjuhësisë indoeuropiane dhe sidomos me botimet me të arrira të themeluesit shkencor të albanologjisë Gustav Majerit, Ndre Mjeda do t’i qëndrojë besnik konceptit për prejardhjen ilire të popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, jo vetëm në artikujt gjuhësorë, por edhe në krijimet letrare.

Në veprat e tij letrare nuk bëhet përpjekje për të identifikuar mitet e antikitetit grek e romak (qofshin ato antroponime apo toponime), si njësi etnohistorike të popullit shqiptar, por antropo¬ni¬met dhe patronimet ilire-shqiptare me mitet greke apo romake.

Në poezinë Scodra të Mjedës gjendet vargu: “Afërdita për fli Rozafën lypë…”. Kështu autori kujdeset gjithnjë që antroponimet apo ojkonimet historike shqiptare t’i shënojë me trajtat gjuhësore të njohura në dokumentet antike, si: Scodra, Sko-drinon, përkatësisht Skodri-non, Labeatët, Parthinët, Autariatët, Bindi, Peshtriku etj., për të identifikuar gjithë këtë me vargun emblematik: “T’Ilirijes”, kumboi, “â k’tu temeli” .

PARARENDËSI I SHKOLLAVE LINGUISTIKE NDËR SHQIPTARËT

Në gjysmën e parë të shekullit XX, gjuhësia europiane shënon disa arritje të rëndësishme: gjuhësia historike tashti ishte në kulmet e saj, ndërsa objekt studimi i saj tashmë ishin bërë disa herë edhe gjuhët e Ballkanit, andaj edhe gjuha shqipe.

Në ndërkohë ishin shfaqur edhe shkolla dhe drejtime të reja gjuhësore në disa nga qendrat më të mëdha të Europës dhe Amerikës.

Konceptet e avancuara gjuhësore të Sosyrit, Sapirit, Trubeckoit (N. S. Trubetzkoy) etj., jo rrallë vinin në dyshim disa nga arritjet e gjuhësisë historike në përgjithësi. Gjuhësia shqiptare, ndërkaq ende vonohej jo me konceptet e saj brenda zhvillimeve të brendshme, por edhe absorbimin e arritjeve më të reja që shënonin gjuhëtarët më të mëdhenj të kohës: Norbert Jokli, Holger Pederseni, Malte-Brun, Maksimilian Lamberci e të tjerë.

Ndre Mjeda do të kujdeset shumë për tejkalimin e koncepteve të vonuara të romantikëve shqiptarë për lashtësinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe – kryesisht nga pellazgët; do të angazhohet për të plotësuar kërkesat e iluministëve bashkëkohës të tij për një ortografi gjithëkombëtare; si dhe do të bëhet bashkëpjesëmarrës në përgatitjen e teksteve normative brenda një gjuhe të njësuar.

Në të njëjtën kohë Ndre Mjeda do të mbajë qëndrim kritik ndaj rezultateve të reja gjuhësore dhe do të bëjë kërkimet e para gjuhësore në fushë të historisë së gjuhësisë shqiptare.

HISTORIANI I GJUHËSISË DHE ILIROLOGU

Misioni prej pedagogu e shtynte Ndre Mjedën, si edhe shumë bashkëkohës të kohës së tij, që të shkruajë vepra mësimore për nevoja të mësonjëtoreve shqipe, por në të njëjtën kohë, ai ishte njëkohësisht edhe nga ata të paktë gjuhëtarë që merrej edhe me kërkime të thelluara shkencore në fushë të gramatikës së shqipes, e përtej saj edhe me kërkime krahasuese të gjuhësisë shqiptare e të asaj indoeuropiane.

Njohuritë teorike në fushë të gjuhësisë e ndihmuan atë që të ketë mendime të avancuara për ortografinë e shqipes, në standardizimin e disa trajtave gramatikore të varianteve dhe dialekteve të shqipes, të marrë pjesë në përgatitjen e promemorieve për standardizimin e gjuhës shqipe  etj.

E gjithë kjo shihet edhe prej pikëpamjeve që kishte për ortografinë e shqipes: ai duhej të ishte alfabet shkencor me shenja diakritike, në mënyrë që çdo tingull të kishte vetëm një shkronjë.

Ndre Mjeda është njëri nga studiuesit shqiptarë të kohës, që kishte njohuri për letërsinë e vjetër dhe bënte kërkime e studime çdo ditë në veprat e Pjetër Bogdanit e të Pjetër Budit, që bënte polemika për probleme të teksteve të vjetra dhe për botime gjuhësore të kohës. Le të kujtojmë këtu studimet prej historiani të gjuhësisë dhe prej tekstologu në artikujt: Përmbi nji libër të panjoftun të Imzot Pjeter Budit” , Prei librit “Pasëqyra e të rrfyemit” së Timzot Pjetër Budit”, diskutimet prej dialektologu, madje prej etnologu e historianit të dialekto- gjisë për veprën e M. Bartolit Lé reliquie del dialetto albanese dell’ Istria” , vërejtjet prej tekstologu e historiani të gjuhësisë në studimin e Nilo Borgjes “Nji dorëshkrim i moçem e nji kritikë e ré”, vërejtjet prej polemisti në artikullin Shenjime bibliografike: Località, chiese, fiumi, monti e toponimi di un’ antica carta dell’ Albania settentrionale  etj.

Është e kuptueshme, prandaj, pse ai është njëri nga rilindësit e paktë, dhe madje njëri nga gjuhëtarët shqiptarë të kohës, i cili do t’u gëzohet veprave të Gustav Majerit për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar.

Dija që kishte filluar ta zinte në shkollën gjermane nuk e lejonte që prejardhjen e madhe të fjalësit të shqipes nga latinishtja, të cilën e nxirrte Gustav Majeri ta priste me reagime dhe emocione të papërmbajtshme.

Më shumë se sa rezultatet e Majerit, Ndre Mjedën e gëzonte projekti i rëndësisë nacionale dhe shkolla e sforcuar shkencore me të cilën ishte realizuar kjo vepër.

Dhe, pse të mos i gëzohej Mjeda, kur prej dijes që kishte zënë në shkollën gjermane e dinte se shqipja ishte njëra prej gjuhëve të para europiane dhe nga më të parat gjuhë ballkanike, e cila po kurorëzohej me një vepër monumentale madje edhe për kohën tonë “Fjalori etimologjik i shqipes”.

Prandaj nëse poezia përkushtuese për Gustav Majerin shpreh respektin e rilindësit shqiptar për studiuesin që kishte bërë një vepër të tillë për gjuhën shqipe, letrat e tij me qortime për disa ‘lëshime’ të natyrës fonetike – dialektore dëshmojnë për njohuritë e tij në këtë fushë dhe për qëndrimin kritik që do të mbajë edhe më vonë ndaj shumë veprave letrare dhe sidomos gjuhësore .

Për shkak të lidhjeve shumë të afërta me Gustav Majerin, Ndre Mjeda deri në fund do t’i qëndrojë besnik tezës së përhapur për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, ndërkohë që gjuhëtarët vendës dhe të huaj ishin ndarë në tri grupe në pikëpamjet e tyre rreth kësaj çështjeje: ilire, pellazge dhe iliro-trake.

GJUHËTARI DHE ATDHETARI

As brezit paraardhës të shkrimtarëve dhe as bashkëkohësve shkrimtarë e gjuhëtarë të Ndre Mjedës, nuk iu ka munguar atdhedashuria për gjuhën dhe për kufijtë etnografik të saj, por janë të paktë shkrimtarët dhe sidomos ata që kanë provuar të mbrojnë atdhetarinë e tyre edhe me përmasën shkencore të dijes linguistike që mbretëronte në atë kohë.

Ndre Mjeda është nga ata pak krijues, i cili përveç me fjalën artistike dhe me konceptet shkencore mbi prejardhjen e popullit shqiptarë e të gjuhës shqipe, në tekstet e tij gjuhësore, problematizuese e polemizuese, ka sjellë disa fakte të karakterit historik, etnografik, gjuhësor dhe madje politik të rrethanave historike të presionit mbi elementin etnik dhe gjuhësor në hapësirën shqiptare.

Në vitin 1935 Mjeda polemizonte me etnografin Filip Fishta në lidhje me kontributin e prelatit Filgenc Carev në përhapjen e gjuhës serbokroate ne Arqipeshkvinë e Shkupit, të cilin edhe redaksia e “Hyllit të Dritës”, e kundërshtonte në të mirë të shejtanisë së ipeshkëvit Carev. Kjo është arsyeja që Ndre Mjeda jo vetëm të dëshmojë këtë por edhe ta plotësoj me të dhëna të tjera historike e personale, të cilat janë në të mirë jo vetëm të gjuhësisë (toponimisë e antroponimisë) por edhe të etnografisë, të historisë së kishës e të etnisë shqiptare përgjithësisht.

Pasi arsyetonte predikimin e ipeshkëvit Carev në gjuhën serbokroate “meqë këtë gjuhë ia kishte mësuar nëna e tij”, meqenëse, theksonte Mjeda, edhe meshtarët shqiptarë në zonat sllave “predikojnë në gjuhën shqipe, me anë përkthyesish, kur nuk dinë gjuhën e vendorëve”, sillte një varg të dhënash për ndikimin që pati angazhimi i tij në Janjevë dhe për arsyet e largimit të tij, pavarësisht nga popullariteti që gëzonte ai falë angazhimit të tij prej meshtari:

“Mâ së pari vjen përforcimi qi i dha jo veç giûhës por edhè liturgjisë sllave në Janjevë nëpër mjet të dy Boshnjakvet dhe me thane nëpër mjet t’ish-fratit Shishkoviq, të cilin e vêndoi mësues në shkollë t’ati katundi, e të At Frano Brkiq-it Franqeskan prej Bosnjes.

Këta dy vetë jo veç e ndeznë popullin e Janjevës në dashuni për giûhën sllave, sá me i bâ me mohue kombesinë shqiptare, por edhè ja u shtine në zêmrë nji të përbuzun të çuditshëm kundra shqiptarvet, porsi gjind të trashë e të poshtër.

Po tham: sá me mohue kombsine shqiptare pse shumica e madhe e Janjevës âsht fisi shqiptar sikursè atá vetë shum herë e kan dishmue. Bje fjala: Glasnoviqt, të cillët njohen mâ se 100 shpi, janë mbahen Shalnjanë; provë qi deri vonë bashin êmnin “Scialli”, si Arqipeshkvi i Shkupit Imz.

Pieter Scialli, e ndo’j prift asò vllaznije p.sh. Tomë Shali, e Mikel Shali, shokë të mi në Seminàr të Shkodrës: e ky i mbrami e pat mbàjtë ket mbiêmen edhe mbassi u bâ Glasnoviq. I pari qi e ká marrë mbiêmnin Glasnoviq ndër Meshtarë âsht D. Nikoll Glasnoviqi, i cili kje çue në Seminár të Shkodrës prei Carevit, kje çue nder Jezuit nji dialë prej Crngore i nji katundit krejt mysliman e laraman, kû s’ndihei nji fjalë sllavishte.

Deri asaj drite së parë së Fretenvet në Shqipni qi per êmen vllaznije kishte Pergjeçaj, i kje njitë Gjeçeviqë e Gjeçev. E me gjithsej shumica në Janjevë janë fisi shqiptar, mbas ase propagande së rrebtë na ka ra me ndie ndonji Janjevas të zgjuat tui thanë per sllavishten: “e ëmbla giûha e jonë amtare!”.

E nuk âsht e vërtetë shka thotë Redakcijoni, se Imzot Carev u ka predikue sllavisht Janjevsvet, qi tjeter giûhë nuk dishin (nënvizim i N.M.). Në Janjevë në kohë të Timzot Trokshit pleqve e plakave ju vite e vshtirë m’u rrfye sllavisht, e lypshin me i rrfye shqip, si e dëshmon edhe Nd. Zot. D. Pashko Krasniqi, qi n’atë kohë ishte ndihmës i famullitarit në Janjevë” .

Në këtë rrjedhë të gjerë të dhënash Mjeda kujton edhe ‘kontributin’ e ipeshkëvit Carev në përhapjen e gjuhës sllave, duke përforcuar me meshtarë sllavë edhe kishën e fshatit Letnicë, Shkup, Prizren, Gjakovë etj., ku jo vetëm mbahej mesha në gjuhën sllave por edhe kënga e Meshës së Madhe bëhej në sllavishte.

“E pra, – vazhdonte më tutje Ndre Mjeda, – Imzot Carev nuk u hoq prej Shkupit per pleqni, as pers mundje as pse dhe dorëhjekjen. Duel fjala se nuk e dote qeveria turke, por Turkija se kishte mênden atëherë me dbue nji shtetas austriak prei vendi së vet. Por arrësyeja e vërtetë se nuk e dote njajo Fuqi, qi mâ vonëdo të ngulte në parim: Shqipnija e shqiptarëve (nënv. i NM); e prei luftës ballkanike do të delte Shteti Shqiptàr vetëurdhënues e i pàmvarun.

E u pà me’j herë kur mbas Carevit u vû nji Arqipeshkv Shqiptàr, qi prej ditsh nuk ishte pà nder né; e kjo Imzot Ndré Logoreci, i cili me të shpejtë çili shkolla shqipe, tuj sjellë prei Shkodre të nipat e vet; e në Pesrend vûni Mati Logorecin, e të vllàn Pashkon në Jakovë.

E shqiptarë kjenë Imzot Pashko Trokshi, e Imzot Lazër Mjedja qi erdhne shoq mbas shoqit déri sà Argjipeshkvija e Shkupit i kje rrmye tokës shqiptare” .

STANDARDOLOGU

Në studimet gjuhësore, ndonëse jo të shumta, Ndre Mjeda ka treguar njohuritë e tij prej neogramatikani apo sikur shprehej Selman Riza prej rijogramatikani të shkollës gjermane. Ai njihte natyrën deskriptive të gjuhësisë shqiptare.

Ishte filologu, që ndër gjuhëtarët e parë shqiptarë merrej me zhvillimin e brendshëm të fenomeneve gjuhësore të shqipes dhe njëkohësisht linguisti, i cili merrej me gjurmimet komparative të shqipes.

Prandaj kontributet e tij në fushë të gjuhësisë janë referenca jopërgjithësuese, sikur jemi mësuar t’i lexojmë nga tekste të letrarëve shqiptarë që nga Rilindja e deri në fund të gjysmës së parë të shekullit XX, por të veçanta dhe me kompe-tencë.

Shembulli i përkufizimeve intelektuale dhe programatike ndër sprovat e tij është studimi Paraqitje e alfabetit të pranuar në Konferencën e Ipeshkëvet shqiptarë në Shkodër (maj, 1902).

Në këtë studim autori përcakton përmasën intelektuale, metodike dhe problemore të ortografisë së shqi pes, në kontekst të zhvillimit të arsimit në Shqipëri, të trashëgimisë dialektore dhe të përvojave të saj ndër gjuhët dhe kulturat e mëdha europiane.

“Popujt e Europës, – hapte kumtesën e tij në Konferencën e Shkodrës, Ndre Mjeda, – në pjesën më të madhe, në të shkruem të gjuhës së tyne, kanë ndjekë një sistem tradicional të nxjerrun nga populli ose nga gjuha, që kishte ndikue ma tepër në kulturën e tyne intelektuale.

Kjo metodë, që flet për gjuhë motra, fatmirësisht, nuk do të paraqitte çashtje të randësishme; por, në mes gjuhësh krejtësisht të ndryshme, nga të cilat njena ka tinguj që s’i ka tjetra, puna do të ndryshonte.

Kështu, për shembull, n’alfabetin e vjetër, që përdoret në Shqipni të Veriut, të marrun nga gjuha italishte, ndonëse për disa tinguj të veçantë qenë futë disa shkronja të posaçme, megjithatë, për të tjerat u ndoq mënyra italiane, tue u kënaqë me njëfarë afërsie, e tue ia lane lexuesit t’urtë me nxjerrë nga shkrimi mënyrën e të shqiptuesit të drejtë të tingujve” .

Pasi kërkonte një alfabet: për çdo tingull një shenjë të posaçme, – ndërsa ndërmjet sistemit fonetik dhe atij etimologjik zgjidhte të dytin. Përfundimet e tij, sot historikisht dalin të krahasueshme me përfundimet që më vonë pati sjellë Selman Riza, që në vitet ’40 , dhe madje jo vetëm ai deri në prag të Kongresit të Drejtshkrimit,- pavarësisht se rrethanat politike dhe zhvillimet në fushë të standa¬rdologjisë më nuk i takojnë vetëm ortografisë.

“Rregulla ma e parë, në të cilën Komisioni i Ipeshkëvijet Shqiptarë erdh, drejtëpërdrejt në zgjedhje t’alfabetit, qe me bashkue të dy dialektet e mëdhaj: dialektin gegnisht me atë toskërisht; tue mos paraqit qysh tash një gjuhë letrare (studimi i së cilës do t’i përkasë Akademisë, themelue prej tyne), por tue futë një ortografi të përbashkët dhe të përgjithshme.

Do të dëshirohesh një metodë, e cila, tue përjashtue shkronjat e hueja prej alfabetit latin, të riprodhonte përpikmënisht tingujt e ndryshëm të gjuhës sonë dhe të paraqitte lehtësitë ma të mëdhaja didaktike.

Për t’ia mbërrijtë këtij qëllimi, kurrnjë sistem tjetër s’u duk ma i përshtatshëm, se ai i parashtruem, në gji të këtij komisioni, prej D. Ndre Mjedës, dhe që na e paraqesin këtu. Ky alfabet, në përgjithësi, âsht ai i përdorun nga Kristoforidhi, i ndjekun, me pakë ndryshime nga Gustav Meyer, Brugmann, Holger Pedersen dhe nga albanalogë të tjerë të përmendun.

Që ky sistem âsht i vlefshëm për njëzimin e gegënishtes me toskërishten, tue jau bâ gegëvet mas të lehtë të lexuemit e shkrimevet toskërishte dhe anasjelltas, tue lehtësue, kështu, marrëdhënien në mes të dy krahinavet, kishte me mujtë me u nxjerrë a priori, për arsye se ky sistem âsht bazue mbi etimologji, e cila asht e njajtë për të dy dialaktet; kurse ndryshimi, që gjindet në të shqiptuem, tregohet me anë të njëshenji diakritik mbi shkronjën themelore” .

Konceptet e tij gjuhësore për njësimin e gjuhës shqipe dhe të ortografisë së saj autori i ka shprehur edhe në Komisinë Letrare të Shkodrës, brenda të cilit veproi dhe punoi me shumë pasion.

TEKSTOLOGU

Ndonëse ishte koha kur po bëheshin hapat e parë në fushë të filologjisë, kryesisht në leximin dhe transkriptimin e transliterimin e veprave të shkrimtarëve të vjetër, Ndre Mjeda në një moshë mjaft të re filloi botimin e veprës së Pjetër Bogdanit, Çeta e profetëve, për të vazhduar edhe me veprën e Pjetër Budit Pasqyra e të rrëfyemit.

Përkushtimin dhe dijen e tij ndaj kësaj fushe nuk e përcakton vetëm sprova për të sjellë një shembull të mirë të kësaj fare, por përcaktimi i tij fillestar që veprën e Pjetër Budit, bie fjala, ta transkriptojë të plotë, -gjë që për shkaqe të paditura nuk e bëri.

Po i kësaj natyre është transkriptimi dhe transiterimi i tekstit të Perikopesë së Ungjillit të shekullit të XIV Nji dorëshkrim i moçëm e nji kritikë e ré, në të cilin autori dëshmon për një kulturë të gjerë informacioni, për dije të thelluara gjuhësore dhe për koncepte të avancuara të linguistikës historike.

Saktësia e transkriptimit dhe e transliterimit, krahasimet e teksteve në shkallë të leksikut, strukturave gramatikore e sintaksore, njohja e kufijve dialektorë, madje shpesh në kontekstin historik, njohja e teksteve të vjetra gjuhësore për nevoja krahasimi, njohja e gjuhëve të vjetra (greqishtes së vjetër dhe e latinishtes), kritika parimore dhe polemika e kursyer etj., e bëjnë këtë tekst një model shkencor jo vetëm për faktin se është një prej teksteve të para të kësaj natyre në gjuhësinë shqiptare -por edhe për filologët e ditëve tona.

GRAMATOLOGU

Në historinë e albanologjisë janë shkruar mjaft gramatika për nevoja nga autorë me interesime të veçanta dhe me interesime nga më të ndryshmet. Udhëpërshkrues, ushtarakë, misionarë shpirtërorë e politikë, studiues e krijues të ndryshëm kanë shkruar gramatika, kryesisht edhe me ndonjë shtesë fjalësi, për nevoja ushtarake, kishtare, pedagogjike etj.

Këtë pasuri në fushë të gjuhësisë shqiptare e thekson edhe Ndre Mjeda që në hyrje të njërës prej veprave më të njohura të tij në gjuhësinë shqiptare, kur thekson:

“Na kena nâmin me kênë mâ të parët, nder popuj të Ballkanit, qik ena nji gramatikë në giûhë të tânë ç’prej vjetës 1716; e nder këto 218 vjet gramatikat shqipe kane shkue tui u shtue pá mê, vjetë mbas vjetë.

Por me folë vetëm për lakimin e êmnavet, gramatikat e moçme kondêndoheshin me shênjue nji amnore të pácaktueme, e pe rasë tjera nuk kishte ndryshim.

Erdhne mâ vonë gramatikat tjera qi dáne dý trajta lakimi, të pácaktuem e të caktuam; por kerkush nuk duel me zhvillu eshka ishte elementi faktues i êmnavet, pse e shuma ndër auktorë nuk e dishin atà vetë.

Nuk âsht prá çudë se edhè ndër mësues shum nuk i dishin e nuk e dìn endè cillësín e këtyre elementaret” .

 Ndre Mjeda është një nga ata pak gjuhëtarë shqiptarë të kohës së tij (Sami Frashëri, Konstantin Kristoforidhi, Ilo D. Sheperi) që, -pos librave deskriptivë të kësaj natyre, për nevoja të shkollave të para shqipe, me probleme të gramatologjisë merret edhe në interes të kërkimeve teorike dhe historike.

Artikujt Vrejtje mbi artikuj e prèmna pronës të gjûhës shqipe  dhe Në rasë të nji kritike , tregojnë për qëndrimin kritik të Mjedës ndaj rezultateve të kohës dhe për konceptet e reja që mund të sillte mbi këto probleme në gjuhësinë shqiptare, qoftë nga aspekti historik, qoftë nga ai i kohës së tij.

DIALEKTOLOGU E ETNOLINGUISTI

Në historinë e albanologjisë Ndre Mjeda veçohet edhe për një aspekt kërkimi. Së pari ai bashkohet me pjesën më të madhe të studiuesve të trojeve etnografike shqiptare në veri të Shqipërisë, të cilët, jetë të tëra, i kanë kushtuar mbledhjes dhe regjistrimit të elementeve etnografike dhe madje etnopsiko-logjike të banorëve të saj.

Duke regjistruar zakonet krahinore të Shqipërisë Veriore, udhëpërshkruesit, priftërinjtë, misionarët shpirtërorë dhe politikë, duke qëndruar për një kohë të gjatë nga njëra krahinë në tjetrën, të gjithë këta, qofshin vendorë apo të huaj, kanë pasur mjaft njohuri për psikologjinë, veshjet, mënyrën e jetesës dhe madje variantin apo dialektin e vendit. Këto njohuri i ka ‘trashëguar’ edhe Ndre Mjeda, misionari që në tryezën e meshës, krahas biblës në gjuhën latine, mbante edhe Çetën… e Pjetër Bogdanit dhe Pasqyrën… e Pjetër Budit në gjuhën arbërore.

Njohuritë e tij për të folmet e Veriut Ndre Mjeda i ka shpjeguar në disa raste dhe në disa tekste të tij të karakterit historik, etnologjik dhe sidomos gjuhësor .

Por, Ndre Mjeda ndryshe nga studiuesit e mëhershëm dhe bashkëkohësit e tij në këta artikuj fenomenet dhe dukuritë gjuhësore e etnografike do të kujdeset që t’i shpjegojë në mënyrë komplementare, shenja këto të mjaftueshme për të parë etnolinguistin e gjuhësisë shqiptare në kronologjinë e historisë së albanologjisë .

NGA GRAMATIKA HISTORIKE TE SOCIOLINGUISTIKA

Ndër kërkimet dhe studimet gjuhësore Ndre Mjeda ka botuar edhe disa artikuj shkencorë nga fusha e onomastikës: antroponimisë , ojkonimisë  dhe hidronimisë e oronimisë .

Në tre artikujt e tij shkencorë autori ka arritur të sjellë disa veçori të përbashkëta dhe të veçanta. Ata i shquan pjekuria e tij shkencore dhe sinteza e neogramatikanit të shkollës gjermane, një model që vazhdon të provohet edhe në studimet e sotme të shkollës së gjuhësisë historike.

Autori diskuton antroponimin hipokoristik Prênd e Prêndê, ojkonimin me prejardhje ilire Bassania, dhe hidronimin e oronimin Zeta (Zedda, Zenta, Centa, Cetta, Genta, Senta). Në këto studime konceptet e tij gjuhësore shprehen në mënyrë të plotë.

Në kohën që edhe disa nga gjuhëtarët më të shquar bashkëkohës, si Çabej  e ndonjë tjetër, studimet e tyre jo rrallë i përmbysnin me përshkrime etno-folklorike dhe historike, Ndre Mjeda tregohet shumë më i përmbajtur: -Ai njeh mirë fonetikën dhe morfologjinë historike, prandaj objektet e tij shkencore i përvijon sipas ligjësive të tyre; njeh mirë metodën historike – krahasimtare, prandaj sjell dëshmi të mjaftueshme historike të dokumenteve të kohës dhe shembujt e marrë në shqyrtim i bën objekt krahasimi brenda zhvillimeve të brendshme gjuhësore të shqipes dhe në krahasim me gjuhët fqinje të kohës, kryesisht sllavishtes, latinishtes dhe greqishtes; ai njeh mirë kërkesat e gjeografisë gjuhësore, prandaj është shumë i kujdesshëm që të regjistrojë për aq sa është e mundur përmasën e paraqitjes së objektit të tij gjuhësor në gjithë arealin krahinor dhe historik brendashqiptar dhe jashtë tij.

Edhe më parë ishin regjistruar antroponime e patronime hipokoristike, emra vendesh e sidomos antroponime të antikitetit (që nga shënuesit shpjegoheshin si emra ilirë, romakë, trakë e sidomos pellazgo – shqiptarë, varësisht prej pikëpamjeve që mbronin për prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës së tij), por vetëm Ndre Mjeda deri në këtë kohë, ishte nga ata të paktë gjuhëtarë shqiptarë që arriti t’i shpjegonte strukturat e tyre duke u nisur nga metoda të ligjësuara gjuhësore.

Për patroniminë hipokoristike deri në këtë kohë rezultate mjaft me interes kishte sjellë vetëm Maksimilian Lamberci brenda një studimi më të gjerë, por studimi i Mjedës duket shumë më i thelluar për arsye se përimtimi i tij është bërë nga disa aspekte: gjuhësor, historik, kulturor, etnopsikologjik etj.

Po kështu mund të thuhet edhe për ojkonimin e trashëgimisë ilire Bassania, i cili diskutohet duke u nisur nga struktura gjuhësore që mbështetën në fonetikën dhe gramatikën historike të shqipes.

I një përmase po kaq të plotë del studimi për hidronimin, përkatësisht oronimin Zeta. Këtë studim autori e trajton duke u nisur nga përhapja gjeografike e tij, paradigma etnografike e etnopsikologjike, si dhe struktura gjuhësore – historike.

Ne mendojmë se me këtë studim Ndre Mjeda shënon një nga hapat e parë të kalimit nga neogramatikani tek sociolinguisti.

Nga një princip përgjithësisht i poezisë së rilindësve dhe gjuhëtarëve shqiptarë për të shpjeguar toponiminë me etimologji popullore, Ndre Mjeda dimensionin etnolinguistik dhe psikologjik e përdor në kontekstin që përdoret edhe sot në sociolinguistikë, pra në kontekstin linguistik par excellence.

Gjuhësia shqiptare jo njëherë këtë meritë ia ka njohur Eqrem Çabejt  për studimin Disa eufemizma të shqipes . Me këtë rast, ne këtë moshë e çojmë më tej për një dekadë.

NË VEND TË PËRFUNDIMIT

I parë nga ky prizëm, nuk është vështirë të kuptohet se Ndre Mjedën me rilindësit shqiptarë të shekullit XIX e diferencon koncepti për tezën ilire, krahas asaj pellazgjike, e cila mbretëronte jo vetëm te romantikët e Kolonive Lindore (N. Frashëri, Jani Vreto, Sami Frashëri) e të Atdheut (Zef Jubani), por edhe te disa romantikë të Kolonisë së arbëreshëve të Italisë (Jeronim De Rada); me shkrimtarët e gjysmës së parë të shekullit XX e diferencon koncepti për prejardhjen pellazgjike (Gaspër Jakova), ndërsa me gjuhëtarët vendas dhe të huaj (G. Weigand, Nikollë Gazulli) koncepti për prejardhjen trake dhe trako – ilire (arkeologu Karl Paç e nën ndikimin e tij edhe themeluesi i arkeologjisë shqiptare Shtjefën Gjeçovi, si dhe Norbert Jokli – e nën ndikimin e tij edhe nxënësi i tij Eqrem Çabej), Ndre Mjeda ishte i vendosur për tezën e asaj plejade albanologësh shqiptarë dhe të huaj (Hahni, Georg Stieri, Paul Kretschmeri, Matei Logoreci) të cilëve iu printe themeluesi i albanologjisë shkencore, Gustav Majer.

Shikuar nga prizmi i reflektimeve të sotme shkencore, nuk më duket shumë e natyrshme të vëmë në dyshim rezultatet e atyre albanologëve që bënë shumë për albanologjinë, por pozicioni i paraqitjes në rrethe të tilla shkencore, si ky i organizuar nga Universiteti i Shkodrës, më lejojnë të konstatoj se një botim i ardhshëm i “Historisë së albanologjisë”, mendoj jo për një histori deskriptive, por për një histori kritike, çfarë do ta lakmonte edhe Ndre Mjeda, e cila do të dëshmonte se ç’mori, bie fjala Hahni nga De Rada e Zef Krispi, por edhe Zef Krispi nga Nikollë Keta, Malte – Bruni nga Engjëll Mashi, Gustav Majeri nga Thimi Mitko e Ndre Mjeda e kështu me radhë, atëherë do të kuptohej krono¬logjia e historisë së zhvillimit të gjuhësisë shqiptare.

Duke mos parë gjë tjetër veç rezultateve të Hahnit, Majerit, Joklit etj., mendojmë se pa të drejtë i kemi nxjerr nga historia e albanologjisë, apo thënë më drejtë nuk ua kemi dhënë vendin e merituar, disa nga personalitetet e rëndësishme shqiptare, në mesin e të cilëve edhe Ndre Mjedën.

Prishtinë, 2008

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: ME SKËNDER DRININ NË PESË SITUATA

Nga: Begzad Baliu

Situata e parë: Midis dy kohëve

Me veprën e Skënder Drinit jam takuar si nxënës i klasës së shtatë dhe të tetë. Fillimisht pata lexuar romanin Shqipja e kreshtave tona. Ishte botim luksoz i shtëpisë botuese “Rilindja” në dy vëllime.

Pastaj lexova botimin e dytë të romanit Shembja e idhujve, i cili qe botuar në serinë e romaneve të zgjedhura të atij viti dhe në bibliotekën familjare për shkak të cilësisë së lartë të shtypit, e patëm vendosur në radhën e botimeve të zgjedhura të rilindësve dhe kompletit të Profesor Çabejt e Kadaresë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult