Konferencë për Etëhem Haxhiademin, ndriçohet për herë të parë figura e tij e plotë si krijues

Konferenca shkencore: “Dramaturgu-poet Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare dhe gjuhësore” është mbajtur paralelisht në dy mjedise dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallën “Aleks Buda” dhe tek Libri Akademik.

Konferenca u zhvillua në bashkëpunim me Institutin e gjuhësisë dhe letërsisë, departamenti i studimeve letrare.

Me rastin e kësaj konference u ekspozuan edhe variantet e botimit të veprave e shqipërimeve të E. Haxhiademit (9 vëllime): nga më të hershmet në ato të ditëve tona, përgatitur nga botimet “Poeteka”.

Etëhem Haxhiademi ishte një nga shkrimtarët që u dënua në mënyrë të dyfishtë nga regjimi komunist, jo vetëm me persekutim e burgosje, por edhe me shuarje të emrit dhe veprës së tij, ku siç thotë botuesi i veprave të tij Arjan Leka, emri i Etëhem Haxhiademit nuk u dëgjua as për t’u cilësuar si reaksionar, siç ndodhi me shkrimtarë të tjerë të viteve ‘30, si Koliqi, Fishta e të tjerë.

Sipas një programi me tematika të pasura, figura e Etëhem Haxhiademit është ndriçuar për herë të parë e plotë si krijues, si personalitet dhe si themeltar i traditës së dramaturgjisë shqiptare, por edhe si një nga intelektualët më të përparuar të kohës në formimin e tij ideoestetik.

Seancën e parë të konferencës e përshëndeti Evalda Paci, si drejtuese e seancës me Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe Laura Smaqin.

Shaban Sinani mbajti kumtesën me temë “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit, përmes të cilës argumentoi thyerjen e klishesë që ka bërë Haxhiademi në zbulimin e së vërtetës në tragjedinë e Kainit dhe Abelit, duke përcaktuar fajet dhe padrejtësisë njerëzore që shpallen në emër të një trashëgimie zakonore. 

Laura Smaqi mbajti kumtesën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”.

Tomorr Plangarica foli për prurjet teorike në shkencat e ligjërimit si mundësi për një qasje më shumë në leximin e vlerësimin e dramatikës së Haxhiademit dhe për të zgjeruar mundësitë e komunikimit të tekstit të tij me lexuesin e sotëm.

Plangarica e vlerësoi veprën e Haxhiademit të aftë për të sjellë rikuptimësime që rindërtohen nga dija enciklopedike e lexuesit dhe kapaciteti i tij.

Arian Leka foli për tiparet dhe veçoritë e estetikës dhe stilistikës së Etëhem Haxhiademit, vëzhguar përmes dëshmive të tij.

Leka konsideroi ndër të tjera si dëshmi të rëndësishme parathëniet e Etëhem Haxhiademit, me të cilat ka shoqëruar të gjitha veprat e tij. Ai tha se në parathënie krijohet mundësia për të qëmtuar thëniet e Haxhiademit, në rolin e maksimave mbi artin, dhe karakteret e personave historikë.

Për informacionin e zgjeruar dhe rëndësinë që paraqesin, parathëniet e këtij autori mbeten pjesa më pak e hetuar e veprës së tij, tha Arian Leka. 

Evalda Paci foli për profilin kompleks të një shqipëruesi përmes një varianti të “Bukolikeve të Vergilit”, botuar më 1932.

Në seancën e dytë të drejtuar nga Tomorr Plangarica, Arian Leka dhe Virion Graçi, kumtesat sollën argumente të zgjeruara në karakterin e krijimtarisë dramaturgjike të Haxhiademit, koncepteve dhe qëndrimit të kritikës së kohës ndaj veprave të tij.

Abdulla Rexhepi në kumtesën “Turku si koncept i tjetrit në veprën e Etëhem Haxhiademit”, foli për këndvështrimin e veçantë të figurave historike nga Etëhem Haxhiademi. Tjetri është perceptuar si objekt ndërmjet të cilit individi njeh dhe kupton-kuptimëson veteveten, -tha Rexhepi, -duke e analizuar këtë faktor me personazhët dramatikë të zhvendosur pranë qëllimeve apo interesave të tjetrit.

Virion Graçi foli për figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në përthyerjen e zhanreve letrare të ndryshme; shikim krahasues i veprave “Kështjella”(I. Kadare), “Skënderbeu” (S.Godo) dhe “Skënderbeu” (E. Haxhiademi).

Graçe e cilëson dramën “Skënderbeu” si veprën më të mirë. Ai tha se vepra e Haxhiademit u ndëshkua me heshtje të skajshme gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të në Shqipëri, por në vitet ’30, E. Haxhiademi është pranuar dhe përshëndetur nga autoritet letrare si autor i ri me talent të veçantë, zë i përveçëm dhe i shquar.

Viron Graçi tha se botimi i veprës “Skënderbeu” ka qenë ngjarje e shënuar në në jetën kulturore të kohës dhe tha se nëse do përcaktohej vendi i tij në letërsinë shqipe ai do të quhej themelues i dramaturgjisë shqipe. Grace foli edhe për veçantitë e veprës Skënderbeu të Etëhem Haxhiademit.

Emin Z. Emini foli për aspektet dramatologjike dhe semiotike të personazhit si subjekt i diskursit në dramaturgjinë e E. Haxhiademit.

Gëzim Puka foli për jehonën e tragjedive të E.Haxhiademit në vështrimin e kritikëve të kohës. Ai i bëri një analizë të mendimit kritik të kohës në raport me tendecat e zhvillimeve letrare dhe foli për qëndrimin kritik ndaj veprës më të diskutuar të Etëhem Haxhiademit “Skënderbeu”.

Tragjediografi Etëhem Haxhiademi ka pasur polemika të forta edhe për tekstet e frymëzuar nga dramat klasike si “Akili” “Aleksandri”, “ULisi”. 

Në seancën paralele tek Libri Akademik, Valter Memishaj mbajti një kumtesë për dukuritë e frazeologjisë në tragjedinë e E. Haxhiademit.

Durim Çaça foli për semiocitetin e shoqërisë së diskursit (tragjedia “Skënderbeu” në një vështrim semiolinguistik).

Blerina Harizaj foli për transfigurimin dhe risemantizimin e miteve biblike në tragjedinë e Abelit të Ethem Haxhiademit, ndërsa Irma Bilali për figurat femërore në tragjedinë e Etëhem Haxhiademit.

Seanca e dytë paralele, u drejtua nga Merita Bruci; Mimoza Priku; Valbona Sinanaj. 

Në këtë seancë u fol për studime të veçanta në lidhje me veprën e Haxhiademit si: Ethem Haxhiademi dhe Andon Zako Cajupi, nga Merita Bruci; patosi komunikativ në tekstin poetik të E. Haxhiademit nga Mimoza Priku.

Valbona Sinanaj foli për theksin logjik dhe emocional në tragjedinë “Skënderbeu” të E. Haxhiademit.

Silvana Leka foli çështje të rikonceptimit të termave brenda (neo)klasicizmit. Ndërsa Neli Naço foli për poezitë e Etëhem Haxhiademit dhe veçoritë e “ideografisë” dhe stilit të tij poetik.

Erjena Lamaj iu referua dimensioneve të injoruara dhe vlerave të anashkaluara të një krijuesi dhe të veprës së tij letrare – artistike. Ndërsa Dea Temali-Karakaçi foli për stilin gjuhësor në penën e Etëhem Haxhiademit./shqiptarja.com

LEXO EDHE: Amaneti i Et’hem Haxhiademit: Shkruaj një dramë për vuajtjet e mia