Kujtim Shabani: Ç’janë këto rrugë, mos qofshin kurrë…

shkrim per librari observerkult kujtim shabani

Poezi nga Kujtim Shabani

Ç’janë këto rrugë, rrugë të gjata –
më të zeza se vetë nata

Ç’janë këto rrugë, mos i zëntë drita –
plot pusi, plot me prita

Ç’janë këto rrugë, larë me gjak –
nisesh burrë e s’bëhesh plak

Ç’janë këto rrugë, mos qofshin kurrë –
nisesh djalë e s’bëhesh burrë

Ç’janë këto rrugë, i ngrëntë mortja –
s’dinë për nëna, s’dinë për motra

Ç’janë këto rrugë, që s’çahen dot –
as në këmbë, as me not

Ç’janë këto rrugë, që hanë kokë –
sa për qiell, sa për tokë

Ç’janë këto rrugë…

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Ç’JANË KËTO RRUGË”


LEXO EDHE: KUJTIM SHABANI: SA TË RRITESH TI…

Sot është ditë e madhe!
E para, bli bukë.
Për secilën motër e secilin vëlla
merr nga një!

Bli edhe kripë.
Ajo shkon nga pak,
me karar,
por duhet shumë.

Pastaj bli vaj,
he ty vaj të shkofshin punët!
Pak yndyrë
bën mirë.

Mollë kemi në oborr,
dhe na jep.

Ullinj,
qershi –
mos bli.
Ato kanë kocka dhe të ngelin në fyt!
Dëgjo nënën.

Na, sot bli mish!
E mishin merre me asht,
shumë asht, thuaji kasapit.
Se ai i jep gjellës shije
E të bën të fortë!

Dhe ne duhet të jemi të fortë, bir,
sa të rritesh ti…