
Në zonën e Gjirokastrës, zë polifonisë labe i dha edhe Picari.
Gjithçka e trashëguar nga të parët filloi të merrte vëmendje në vitet ’60-të me aktivizimin e të rinjve të cilët e ngjitën për vite me radhë këngën picariote në skenën e festivalit. Në nëntor të vitit 2001 zëra bilbilash u bënë bashkë për të krijuar grupin “Kurora Labe”.
Kënga labe ka ardhur brez pas brezi që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme. Lebërit në shekuj kanë ditur të ruajnë vlerat dhe trashëgiminë që është sa e bukur dhe e vështirë. Labëria, si burrat dhe gratë i kanë kënduar me mjeshtëri lirikës, epikës, historisë dhe e kanë përcjellë në breza. Ajo ka ardhur herë lozonjare e herë si gjëmim i rëndë në shekuj.
Kënga labe s’të lë dot
Vjen nga shekujt deri sot
Me derte, gëzime plot
Ti më njohe dhe në botë
Të bekoj i madhi Zot!
U këndofsh për jetë e mot!
Në të kaluarën, kultura muzikore polifonike labe, si mbarë arti ynë muzikor popullor, është krijuar, interpretuar e përjetuar kryesisht në mjedise të ngushta, thjesht familjare. Ajo nisi të dalë nga mjedise të tilla vetëm pas gjysmës se dyte të shekullit 20. Kultura muzikore polifonike labe ështe shquar gjithmonë nga një gjallësi dhe densitet i madh.
Si bashkudhëtarë e ditëve të gëzuara e të trishtuara të malësorit të Jugut, polifonia labe simbolizonte vazhdimisht një art tepër të dashur për të.
Polifonia labe gjallon në krahun jugperëndimor të Shqipërisë, duke u kënduar në mënyre të pjesshme ose të plotë nga popullsia e rretheve: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Fier.
Ja si vijnë kujtimet e Çerçiz Vehipit, rritur mes polifonisë labe dhe dashuruar me të edhe pse nuk është një këngëtar i mirëfilltë i saj.
“Kënga labe është e veçantë, sidomos për ne që na është mësuar veshi, sepse është kënduar nëpër dasma. Por sipas të parëve tregohet se dikur mblidheshin 3/4 lebër dhe këndonin labçe, pra hiqnin mërzinë por edhe argëtoheshin. Më pas kënga labe mori të tjera përmasa sidomos pas viteve ’60 ku grupet labe u bashkuan nëpër Vatrat e Kulturës në atë kohë që ishin në çdo qendër fshati. Kjo u kthye dhe në bazën kryesore të argëtimit për zonat, por njëkohësisht solli dhe zhvillimin e këngës labe. Aty u përzgjodhën duke u seleksionuar zëra duke u koordinuar,” tha z. Vehipi për RTSH-në.
ObserverKult
Lexo edhe:
RILINDJA KOMBËTARE/ SHPIRTI ESTETIK I KOMBIT SI EDUKIM NGA DE RADA TE KONICA