“Lahuta e Malcis”, në interpretim të Armend Balokut, “shfaqje që të lë pa frymë”

Armend Baloku

Nga Nikollë Camaj

Më 15 shkurt 2023, në sallën e QKI “Malësia” në Tuz, para publikut malësorë u prezantua artisti nga Kosova, Armend Baloku, me interpretimin e kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”.

Ishte ky një interpretim që i kalonte kufijtë e një interpretimi siç jemi mësuar t’i dëgjojmë këngët e Homerit tonë. 

Armendi, Lahutës i jep një frymë të re, duke e shndërruar në monodramë, ku artisti krijon efekte të jashtëzakonshme si me karakterin që ka krijuar, ashtu edhe me kombinimin e gjuhës, lëvizjeve, grimasave dhe muzikës që e përcillte.

Artisti Baloku, me një mjeshtri të rrallë zhvillon dialogun, të cilin, në mënyrë të veçantë mund ta kuptojnë njohësit e veprës së Fishtës, por jo vetëm ata.

Nga çasti në çast, shikuesit pësojnë katarsis, sikur të ishin në teatrin e tragjedive greke, apo edhe ato të Shekspirit.

Duhet veçuar se krijimi i një karakterit të këtillë kërkon shumë punë e përkushtim, edhe shumë kohë. Mishërimi me një personazh, përmes të cilit vijnë në shprehje personazhë e karaktere të ndryshme thua se është fjala për dramë, e jo monodramë. Madje me një gjuhë që duhej ‘thye’, është karakteristikë e artistëve që dinë çka duan dhe e arrijnë atë që duan.

Armend Baloku, me këtë interpretim i dha “jetë” Fishtës, por edhe personazheve të tij, të cilët, në interpretimin e tij, duket sikur i sheh ka parakalojnë nëpër skenë. Të veshur e të mbathur, e në armë të ngjeshur, në betime e dyluftime.

Dialogjet brenda monodramës nuk janë dukuri e rrallë, por janë të rralla realizimet sikur patëm rast të përjetojmë në interpretimin e artistit kosovar. Në veçanti dialogu i Ali Pashë Gusis me Orën e Shqipnisë, i Knjaz Nikollës me Lugatin, pastaj dyluftimi i Kërrni Gilës me Jovanin dhe ndërhyrjen e Oso Kukës.

Nga pjesa e interpretuar do të veçoja si momentet më prekëse të dy vajtimet e motrave për vëllezërit e vet.

Njëra (turkina) në Vraninë, e tjetra (Tringa) në Guci, çaste këto të cilat ndikojnë thellë në shpirtin e lexuesit por gjithsesi më thellë pasi që këto dëgjohen në skenë.

Duhet veçuar se përmes interpretimeve të këtilla i bëhet nder kulturës shqiptare në përgjithësi. Kjo sepse vepra të tilla, me një gjuhë pak më të vështirë për ta lexuar, u ofrohen gjeneratave të reja për t’i shijuar veprat e këtij kolosi të madh të letrave shqipe. Por meqenëse ngjarjet në Lahutë lidhen edhe me realitetin e vrazhdë dhe qëndresën shqiptare, i bëhet nder botës shqiptare, sepse këto ngjarje ruhen nga harresa.

Dhe jo vetëm se ruhen nga harresa, por ngulitën thellë në kujtesën e atyre që e dëgjojnë. Në mënyrë që të dinë se cilat ishin sakrificat e gjeneratave për të mbijetuar, të shtypur, të vrarë e të masakruar nga armiqtë me të cilët ishim të rrethuar.

Duhet ditur se shqiptarët akoma kanë nevojë për emancipim “rilindas”, prandaj edhe për shfaqje si kjo, që na tregojnë se kush ishim!

Fakti se ky aktivitet u realizua në vigjilje të 15-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, na rifreskon edhe sakrificat më të reja të kombit tonë për të mbijetuar, me çka na nderoi Armendi dhe QKI Malësia që organizoi këtë aktivitet kulturor.

Në fund dëshiroj të theksoj se shfaqja në fjalë ishte vërtet një kënaqësi për të gjithë ata që ndoqën. Spektatori u nda i impresionuar nga mënyra e interpretimit. Po ashtu nga fuqia shprehëse dhe nga kondicioni i paparë i artistit, i cili për një orë të plotë interpretoi vargjet e At Gjergj Fishtës.

Përndryshe, shfaqja “Lahuta e Malcis” është prodhim i “PM Theater”.

ObserverKult


gjergj fishta - gjûhen

Lexo edhe:

GJERGJ FISHTA DHE TIRANA KOMUNISTE, NGA KRIST MALOKI

“Një aksion për zhdukjen e çdo gjurme të gegnishtes”,- kështu e quan Arshi Pipa ndërmarrjen e vitit 1972 përmes Kongresit të Drejtshkrimit në emër të shqipes së njësuar letrare.

Dhe sipas tij rrënjët e këtij dënimi dhe dhunimi të gjuhës ishin shumë më të hershme, që me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, ku u ndaluan rreptësisht autorë si Fishta, Camaj, Harapi,etj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult