Gjarpërushe, poezi nga Lasgush Poradeci
Haj të mirremi për dore,
Nep-ma zemrën që ma more,
Gjarpërushe pikëlore.
M’u vrapo q’andej matanë,
më qëndro në zemër pranë,
M’i vështro sa lot më lanë.
Të fjalosemi ngadalë,
të pushtohemi pa fjalë,
Plot me afsh e duf të valë.
Me atë vetull-vetulluar,
Atë shtatin-gjarpëruar,
Me ato kraha-fluturuar
Vetullo, moj vetullushe!
Gjarpëro, moj gjarpërushe!
Fluturo, moj fluturushe!.
ObserverKult
Lexo edhe:
LASGUSH PORADECI: KUR TË MË JESH E ZEMËRUAR
Ti m’u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un’ ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m’u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj! shkretëtirë-e-zemrës s’ime! Dhe haj! e zeza jetë, haj!
Posi një yll i perënduar më pate humbur gjith më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n’ërgjënd e në flori,
O, vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt’ e mi.
Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije, ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t’ënd të llaftaruar m’a lerë mëndjen t’a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir’ e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t’im;
Se gazi-i-kthjellt’ i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, me shpirt të vrarë-e varfnjak,
N’e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t’ënd s’do heq aspak;
S’do psherëti n’e lënc të vdesë, a në m’a thënç, në mos m’a thënç:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s’ate, që të më bësh të prishem menç.
Per poezi dhe tekste të zgjedhura, vizitoni faqen tonë në Facebook: ObserverKult