Lawrence Ferlinghetti: Kush janë barbarët?

Unë jam senator grek
duke pritur barbarët
për të na çliruar nga fatet tona
dhe për të na i zgjidhur të gjitha problemet tona

Ama kush janë barbarët?
A janë ata tifozë lakmues
që ulërojnë e kërkojnë gjak
në ndeshjet e kikboksit
apo djemtë dhe vajzat e bukura
të obsesionuar pas kompjuterave dhe telefonave celularë
apo xhentellmenët flokëshkurtër me kostume
në rrokaqiejt e qendrës së qytetit
apo të uriturit në kufijt tanë?

O vëlla, mos kërko diku tjetër
Ne jemi ata që na patën paralajmëruar etërit tanë
për mendjendriturit
të lindur për të sunduar botën
përmes kompjuterëve që sigurojnë
izolim dhe vetmi totale
Mos më thirrë ti. Të thërras unë ty
Nuk ka nevojë për biseda më
Cinizmi i përciptë është në modë
dhe sundimi i twitterit

Një gjumë i madh
ka pushtuar të gjithë
në aparatet tona të dorës

Violina e vjeshtës
dëgjohet nëpër pemë
derisa kuajt e bardhë të detit
ende ia mësyejnë rërës tonë
me ulërimë të madhe të humbur.

Përktheu: Fadil Bajraj


Lexo edhe:

ALLEN GINSBERG: HUM BOM!