Lul Beshaj: Është vend i mallkuar ky yni… vend që ha njerëzit e vet…

gabrielë aeroport babi te do fort, poezi nga Lul Beshaj

Nga Lul Beshaj

Isidori u koll fort dhe nisi të rrotullohet në shtrat me shqetësim. Këtu edhe vdekja kushton kaq lirë, tha dhe hodhi sytë si në paqe nga dritarja. Është vend i mallkuar ky yni. Vend që ha njerëzit e vet. Pshurrja maa në katër cepa. Pastaj u ligsht.

Kuptoi se dhimbja nuk ishte për shkak të atdheut. Atdheu nuk shpik sëmundje. Ç’është Atdheu nisi të vramendet. Si zë nga një qenie pa formë erdhi i klithi në fytyrë. Unë jam Atdheu. Jam Mëmëdheu. Jam balta që ti ke veshur mbi kockat e tua. Jam shqetësimi dhe meraku i atyre që ty të sollën në jetë.

Jam nusja me fustanin e grisur nga historia. Jam fëmija i plakur nga meraku për ëndrrat e atyre që ishin, janë dhe do më vijnë në gjirin tim. Jam toka e thatë me gjemba ku t’i mëson ç’është vuajtja që të bën Njeri. Jam shpina e keqe për Njeriun që i bën të tjerët të vuajnë.

Jam ati i rreptë që të bërtet në fytyrë: Kujdes!, se bota është një vend jo aq i bukur sa ç’mund të duket. Se poshtë lules më të bukur fshihet gjarpri helmues. Unë jam Atdheu, ai që ty të jep të hash, flesh. Jam ai që ti do t’a duash edhe kur vuan, edhe kur është mirë.

Isidori nisi të shqyej sytë dhe zuri veshët. Pastaj zëri i vinte nga të gjitha anët e qenies së tijë. Ti mbyll veshët, por unë t’i njoh të qarat e tua foshnjë. Sa herë ke kaluar mbi shpinën time me këmbë e s’të jam ankuar sikur edhe njëherë? Sa çibane u ngritën e u shembën mbi lëkurën e dheut tim e unë s’bëzajta?

Unë jam Atdheu i mbushur me gurët më të shtrenjtë, e edhe pse m’i marrin nga gjerdani im, unë nuk jam ankuar. Isidori mblodhi duart në shenjë faji dhe sikur të shihte veten në sy, e kapi habia.

Zëri dëgjohej edhe me i fortë në honet e qenies së tij. Ju vriteni me njëri-tjetrin dhe unë e ruaj gjakun njësoj se ju jeni fëmijët e mi. Ju vini e shkoni e unë mbetem. Por ja që edhe unë po lodhem e sfilitem nga kokëngrënia juaj.

Një Atdhe sado i mallkuar qoftë, asnjëherë nuk lind fëmijë të mallkuar. Unë ju jap jetën dhe ju them, ja tokat e mia, punojini, ja lumenjtë e mi, pijini, ja malet e mi, hipni e prekni qiellin.

E ju? Ju uleni aq poshtë e hani njëri tjetrin. Po ti Isidor bëhesh dot unë? Bëhesh dot Atdhe?!

Isidori ishte i gjithi i mpirë. Parada kokash të prera i kalonin para syve. Fëmijë të braktisur. Gra klithëse. Burra si malet të mundur nga vetja. Dhe një nuse pa gjymtyrë e ende gjallë. Ja kështu i erdhi atij Shqipëria. Dhe në vesh i ushtonte nga pakohësia: Bëhesh një çast Atdhe?

*Titulli i origjinalit: “Isidor, ç’të mundon?”

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA ARBEN PRENDI: MES SHIUT TË NATËS TOKËSORE