Ç’marrëzi
E si mund të presësh të sajohet diçkaja nga asgjëja,
një të qarë fëmije nga autogjeneza,
me gjithë çarçafët e larë dhe të hekurosur,
veglat e distiluara, jodin, grykën e gatshme të koshit për
zanoret e mia biologjike
dhe mjekun e turnit të tretë që kotet në karrige,
si e zonja e shtëpisë kur pret të shoqin t’i kthehet duarbosh
nga gjahu?!
Gjysma ime e trupit, e drejtuar si katapulë drejt murit të
larë në insekticide,
e ka të vështirë të marrë një nxitje nga jashtë,
të zgjojë pakënaqësitë e tre brezave, si të vetmin motiv për
vazhdimësi,
një peng, një kauzë,
po aq të vështirë
sa klithma e një zogu nate
mund të zgjojë një ortek.
Një dritare përplaset, kopshtet e mbjella me duhan
harkohen,
përkulen me nderim ndaj shpirtit që shpiku pikëllimin. E
qara vjen.
Le të shohim se cila nga gjyshet apo stërgjyshet e mia ka
rënë në atë kurth,
se cila prej tyre ka zgjedhur trupin e sime bije
si dëshmitare për të treguar atë që pa, atë që dëgjoi, atë që
preku,
por kurrsesi atë që mendon;
një dëshmitareje nuk i lejohet të mendojë,
pasi ka bërë betimin mbi kopertinat e rreshkëta të së
vërtetës,
me pëllëmbën e saj analfabete.
ObserverKult
———————
Lexo edhe: