Maksimilian Lamberci ishte albanolog austriak. Ai ka lënë rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj.
Lamberci, që nga viti 1906, kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike.
E nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913–1914 gjatë një udhëtimi studimor në Itali. Qëndroi katër muaj në fshatrat arbëreshe. Aty regjistroi një lëndë të pasur dialektologjike e folklorike.
Fryti i parë i kësaj pune është skica “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike të bie në sy puna e thelluar që ka bërë M. Lamberci për të njohur dhe përdorur gjithë botimet e arbëreshëve dhe për arbëreshët.
Ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë. Tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë për mbledhjen dhe studimin e të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbetjet e fundit të shqipes mesjetare.
Nga studimi i këtyre të folmeve Lamberci arrin në përfundimin se djepi i arbëreshëve të Molizës ka qenë Shqipëria e Mesme dhe e Jugut dhe se ata, të ardhur prej krahinash të ndryshme, formuan aty gjatë shumë brezave një ligjërim të ri, të përbashkët, prandaj të folmet e fshatrave arbëreshe janë mjaft të ngjashme.
Kjo tezë është rimarrë edhe më pas për të folmet e ngulimeve arbëreshe në vise të tjera të Italisë. Duke gjykuar nga këto të folme, M. Lamberci shpreh këtu mendimin se disa tipare dialektore të shqipes nuk kanë pasur në mesjetë shtrirjen e tyre të sotme, d.m.th. kufijtë e disa dukurive dialektore të shqipes kanë lëvizur në shekujt pas Skënderbeut. Pas botimit të kësaj skice, M. Lamberci iu rikthye materialeve të mbledhura dhe hartoi një monografi të gjerë që u botua në vitet 1923-1925.
Në këtë punim autori trajton me hollësi veçoritë fonetike të të folmeve arbëreshe të Molizes, u kushton kujdes të veçantë veçorive fonetike, sidomos ndërrimeve të zanoreve e diftongjeve, duke dalluar dukuritë e trashëguara nga atdheu mëmë nga ato që janë përftuar në atdheun e ri si zhvillim i brendshëm a si ndikim i mjedisit dialektor italian.
Në pjesën për morfologjinë trajtohen kryesisht format e sistemit emëror e foljor. Krahas përshkrimit të saktë të tyre, autori ka bërë edhe një varg vërejtjesh me karakter historik (për mënyrën lidhore, për format e së pakryerës etj.). Në pjesën e sintaksës ka vëzhgime për përdorimin e kategorive gramatikore, si dhe për disa tipa fjalish, si fjalia qëllimore, kushtore, lejore, pyetëse dëftore e urdhërore.
Pjesa e tretë e punimit përmban tekste popullore të mbledhura drejtpërdrejt nga goja e popullit, ndërsa pjesa e katërt një glosar të pasur, ku M. Lamberci nuk kufizohet të japë vetëm kuptimet e fjalëve në ato të folme, por bën edhe një varg krahasimesh me të folmet e tjera arbëreshe, me fjalorët e shqipes të botuar deri në atë kohë, jep mendime për etimologjinë e një vargu fjalësh dhe për zhvillimet fonetike e morfologjike të tyre.
Pas shumë vjetësh M. Lamberci u kthye edhe një herë te studimi i të folmeve arbëreshe në punimin për Jul Varibobën dhe veprën e tij. Në maj-gusht 1916 u dërgua Shqipëri për një hulumtim shkencor nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Vjenë. Në këtë kumtim për herë të parë bëhet një ndarje shkencore e trevës së gegërishtes në krahina dialektore, duke treguar se si kalohet shkallë-shkallë nga një e folme tek tjetra.
Ai dallon grupin e të folmeve të Kosovës (ku përfshin edhe të folmen e Gjakovës) nga të folmet e Malësisë së Madhe; në jugperëndim të tyre dallon të folmen e qytetit të Shkodrës me rrethina; një grup më vete përbëjnë me trajtat e tyre fonetike të folmet e Mirditës, Kthellës, Lurës dhe Matit, ndërsa më në jug dallon grupin e të folmeve të Krujës, të qytetit të Tiranës e të Malësisë së Tiranës. Këto të folme e grupe të folmesh përkojnë pak a shumë dhe me ndarjen etnografike të trevës gege. Temës së ndarjes dialektore të shqipes M. Lamberci i është rikthyer disa herë në artikujt dhe punimet e veta.
Përfundimisht dialektin gegë e ndan në katër grupe të folmesh: gegërishtja veriore (d.m.th. veriperëndimore), gegërishtja verilindore, gegërishtja e mesme dhe gegërishtja jugore, duke dhënë një paraqitje të saktë të shtrirjes së të folmeve shqipe deri në kufijtë më veriorë e lindorë të tyre.
Në dialektin toskë, duke zbritur nga veriu në jug, dallon dialektin e Manastirit e të Pogradecit, të Korçës, të Kolonjës, të Myzeqesë, të Beratit, të Mallakastrës, të Kurveleshit, të Himarës, të Tepelenës, të Gjirokastrës, të Zagorisë e të Çamërisë.
Të folmet e arbëreshëve të Italisë e të Greqisë i përfshin në toskërishte. Bigëzimin dialektor të shqipes, d.m.th. ndarjen në dy kryedialekte: gegërishte e toskërishte e sheh të kushtëzuar historikisht nga tri arsye kryesore:
- a) orientimi kishtar i ndryshëm: Veriu i lidhur me katolicizmin, Jugu me ortodoksinë;
- b) fatet jo të njëjta historike të trevave (Veriu ka shkuar më shumë me shtetet fqinje serbe e bullgare, ndërsa Jugu ka shkuar me Bizantin dhe Greqinë);
- c) organizimi i ndryshëm shoqëror (rendi fisnor në Veri, sistemi feudal në Jug) dhe niveli i ndryshëm kulturor. Këto rrethana, kanë ndihmuar në krijimin dhe veçimin e dy grupeve të mëdha dialektore në të majtë e në të djathtë të Shkumbinit, por dallimet mes tyre, – thekson ai, – s’janë aspak aq të thella sa ç’është pohuar disa herë, për arsye joshkencore, nga pala e joalbanofilëve.
Duke e shprehur këtë në mënyrë të figurshme, M. Lamberci pohon se ndërtimi i dy grupeve dialektore (gegërisht e toskërisht) nga pikëpamja fonetike, morfologjike e sintaksore është kaq homogjen, sa në të vërtetë vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme; dallimet ndërmjet dialektit më verior, të Grudës, dhe atij më jugor, të Çamërisë, janë më të vogla se ato ndërmjet dialektit të Torinos e të Palermos ose dialektit të Meklenburgut dhe atij të Tirolit.
ObserverKult
Kliko edhe: