Manjola Brahaj: Çka të bajmë me trishtimin?

manjola brahaj t'shtifsha

Poezi nga Manjola Brahaj

Me çka ta veshim trishtimin tonë,
që na asht varë për qafe si nji fëmijë i llastuem?
Çfarë emni t’i vemë,
në ferrkun e heshtjes kur zgjohemi si mos me qenë dy vetë,
apo kur si gurë të randë biem në fundin e shtratit,
me fjetë?

Me çka ta pijmë e ta pshtyjmë pa e përtypë,
që të mujmë pa u mbytë me dalë hijes së tij t’zezë
edhe kur të jemi të mardhun
me gacat e fikuna të zjarmit pa ndezë?

Si me e fshi e me e hjekë ajrit të dhomave tona
kur hyn pa u ftue
ani pse dera asht e mbyllun me rezë,
e dritaret janë errësue?

Me çka ta zëvendësojmë që ditët tona të marrin tjetër ftyrë,
të mos ia ndjejmë mungesën
as në kornizat e peizazheve pa ngjyrë?

Ku t’ia bajmë nji vorr të gjanë diku larg nesh,
e ta mbyllim në harresën e ftohtë të dheut,
te kryet t’i mbjellim nji qiparis
pa epitaf ta lëmë,
anonimin e blusë që na pushton shpirtrat sërish e sërish.

ObserverKult


Lexo edhe:

FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS / PROGRAMI…