Manjola Brahaj: Dashnia e tyne ishte engjëllore dhe e marrë..

kam jetue poezi nga manjola brahaj observerkult

Nga Manjola Brahaj

Buzët e tij kishin shtrëngue randshëm gjinin e saj dhe e thithnin dhe e thithnin pa fund. Nuk kish të ngopun, s’dinte me u ndalë. I ngjitej për kurmi nji kënaqësi e papërshkueshme, e magjishme, e mistershme, e paprovueme ma parë. Ai ia thithte, mandej ia lëshonte, ia miklonte, ia lëpinte dhe prap ia thithte, për me ia kafshue kushedi sa herë rresht.

Ishin të varun prej njani-tjetrit, pjesë e njani-tjetrit. Duert e saj të mëdha mjeshtrisht e ftonin, e përcillnin, si duer eksperteje ledhatonin trupin e tij delikat dhe rrënqetheshin. Kishin fillue me u dridhë e me u djersitë. Ajo dukej sikur kish frikë se mos po e prishte tanë atë magji, tanë atë përjetim, tanë ato ftesa drejt dehjes, se mos ia damtonte atë brishtësi atij, atë mungesë përvoje.

E atë, nji dëshirë e çuditshme qysh prej lindjes, dëshirë për me mbijetue, me u ndie se po jeton, e shtynte drejt saj, e bante që ta kërkonte e ta dëshironte me krejt qenien.
Ajo ia largonte papritmas kryet nga gjijtë e vet, ia kapte me të dy duert, ia shtërngonte, ia kqyrte si me habi, gati-gati mrekullohej prej tij, ia mbante për nji çast, në të cilin ai seç murmuriste lehtë, e ajo e puthte dhe e puthte, në buzë, në ballë, në hundë, në të gjithë fytyrën, në jargët e tij, në kambë, në duer, në… kudo në trup.
E ai? Ai ia prekte flokët, ia kapte, ia shtrëngonte, gati sa nuk ia shkulte.

Mandej binin në rrotullime të pafundme nëpër shtratin e gjanë e ajo prap kthehej në nji krah, prap e ledhatonte, prap e ndjente gojën e tij të ngjeshun mbas gjinit të saj, prap baheshin nji, prap ishin fillimi i gjithçkaje.

Goja e tij ia kish thithë jo vetëm gjinin, po krejt kurmin e shpirtin, krejt qenien e saj. Kurrë ma parë me askend tjetër nuk e kishte ndie nji gja të tillë. As asaj nuk i kishte shkue në mendje se kish me u ba kaq e ndjeshme, se kish me përjetue kësisoj nji moment të tillë, se nëpërmjet trupit do ta kënaqte shpirtin në atë masë. Ajo ishte qendra e ekzistencës së tij; ngjizja aty fillonte. Ai ishte qendra e kënaqësisë së saj; Nirvana nuk ishte ndryshe.

Të lidhun mbas nji lidhjeje të fortë, të pashkëputshme, ajo e kishte kuptue se janë nji qenie e vetme dhe se tashma nuk kishte ndamje as ditën, as natën, as në këtë e as në atë botë. Dashnia e tyne ishte engjëllore dhe e marrë, e ndieme dhe e egër, e bukur dhe e bukur, mrekulli dhe mrekulli.
Ajo ishte gjysë e zhveshun dhe ai po ashtu. Ai nuk fliste, veç lëshonte ca tinguj të rrallë, të rrallë, po shumë të ambël e shumë parakë dhe prap vazhdonin me qenë ma të ngjitun se asnjiherë e fillonin nga e para.

Ajo fliste, herë mbas here i thoshte fjalë si: shpëtimi im, ti je krejt qenia ime, pa ty do të isha e humbun, e shumë tjera si këto. Të due, të due shpirti im, engjëlli im, shqiptonte me tinguj të lëshuem si në gjendje ekstaze.
Mbas atyne fjalëve, ndjeu papritmas se u përfshi nga ngrohtësia e nji langu të bardhë që e squlli në pjesën e parme të trupit, nga nji pakujdesi e tij, e i tha:

– Shih ç’bane. Tash kot që rrimë këtu, hajde të shkojmë në banjë. Me nji rrugë edhe ndërrojmë vend, edhe lahemi. Vdes të jem me njerëzit e mi ma të dashun në banjë, due t’ua shoh imtësitë, t’i due bashkë me të metat e tyne, deri në intimitetin ma të msheftë, ndaj due të jem në vaskë me ty, sidomos me ty.
Ai vetëm e shikonte me ca sy të heshtun dhe i bindej, i shkonte mbas qejfit të saj.

– Pavarësisht të gjithave, të due, – i thoshte ajo – eja dhe ke me më dashtë përjetë, për krejt këto që po baj për ty dhe unë kam me të dashtë përjetë, për krejt gjanat që ke me ba për mue.

Dhe hynë bashkë në ujë. Ndjenin çdo pikë uji mbi lëkurë, mbi çdo pore, tue ua ngjallë nji kënaqësi edhe ma të madhe, nji zjarr dashnie edhe ma të paskaj. Asaj i dukej sikur ishte ngritë prej nji gjumi të gjatë, të gjatë, në të cilin me vite të tana paska qenë e fjetun. Ia fërkonte lehtë tanë trupin, e ndjente dhe ia dinte njomështinë. Kishin nji diferencë të konsiderueshme në moshë, dhe ajo e lante, e ledhatonte pa fund, kambë e krye.
Koha për ta nuk ishte pengesë, nuk ekzistonte, ishte shtangë në vend, i kishte hapë sytë e vet të çapërryem, i shikonte e i shikonte sikur ndjente zili që nuk kishte dhe ajo nji dashni si e tynia, por kish mbetë si nji kurvë kalimtare që të gjithë i ledhaton, pa u ba e askurrkujt përfundimisht, sepse ky ishte dënimi i saj.

Ata vazhdonin punën e tyne, pa ndie kangë zogu a trokitje dere, zhurmë makine a aromë dimni. Sepse ata vetë ishin pranvera dhe dimni, vetë ishin zhurma dhe tërbimi, vetë trokitja dhe hapja e derës, vetë kanga që këndohej që në fillet e njerëzimit. Vetë ishin zgjimi nga nji gjumë i hershëm qetësie, vetë fillimi i botës, vetë fundi i saj.

*

Koha i gjen prap në shtrat. Ishin të këputun, të lodhun. Atë po e zinte gjumi dhe ajo kishte vendosë ta mbulonte dhe t’i rrinte te kryet, tue ia ledhatue flokët e brishtë, të rrallë e të butë.
Mbas pak bjen zilja. Ajo vrapon te dera me e hapë. Përpara i shfaqet nji burrë i gjatë, i veshun në kostum të errët e i thotë:

– Hë shpirt, mirë? Si kalove sot?

– Shumë mirë zemër, – i përgjegjet – a u lodhe ti?

– Çka, – ia kthen ai – po djali si asht?

– Si drita. Eja shihe si po flen, si engjëll. Edhe, e kam la, e kam ba yll, shpirtin e mamit, – shton ajo.

Burri futet në shpi e të dy marrin për nga dhoma e gjumit ku foshnja tashma kish fjetë.


*Titulli i origjinalit: “Fillesa”. Ky tregim është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, Tiranë 2019

ObserverKult

Lexo edhe:

MANJOLA BRAHAJ: T’KAM LYPË

MANJOLA BRAHAJ: KËMBANA TË SHURDHËTA

MANJOLA BRAHAJ: E PARA ASHT DASHNIA