Manjola Brahaj: Nanës!

Nanë!
Ami ato duer të dangosuna prej lodhjes,
t’i puthi me tanë dashninë time prej bije,
të ndiej lodhjen e tyne kur mue më kanë
mbajtë
në terr e në dritë, –
-Liman dashnie i mbushun prej vitesh.

Nanë!
Ama atë krye tash do vjet të filluem me u thíjë,
ama se e due ngat!
Me e pa, me e prekë, me e puthë.
E me e dashtë, e me e dashtë, e me dashtë…
Ma këndo nji kangë nanë e vnom në gjumë.
Due me pushue, e me pushue, e me pushue…
Në krahët e tu.
Ma jep krahnorin të ngjeshem aty –
Strofkulla ime ma e nxehtë,
Dashnia me të cilën harrnohem
Kroni ku jam la e jam ngi ujë të bekuem
nuk më duhen krahë të tjerë,
jam Aguliçe e pranverës së sapoleme mbramë,
due me më lidhë në djep edhe njiherë.
E burgueme qenies tande si e marrë,
jam e strukun.
Sytë e tu i due – dritë parajsash që shpesh s’i
shoh.

Nanë!
Zotit ditë e nat’ kam me iu lutë me të rujtë,
për dhé kam me ra e me t’i puthë gjujt.

Nanë!
Më kap si dikur n’grykë
e prekmi flokët e mi të pabindun,
të ngatërruem sot prej lotësh e malli blu.
Kryet m’asht ba arë me lule e gurë,
në të cilët fytyra jote asht e skalitun me
nji daltë dashnie të naltsueme
dhe rrin e kapërthyeme n’kupë të qiellit
prej lulesh që ia zanë frymën.
Randë asht me qenë edhe grue edhe burrë,
edhe shkamb edhe dhé i hedhun zguerve të
vështrimit
të nji mali t’errët!

Nano!
Kanga jonë asht nji përqafim ernash
të bardha, të njoma, shumë të njoma,
ku mbytet cegëmi i fjalës së thanun me tepri,
andaj kam me ardhë e me këndue,
e me këndue, e me këndue…
Kangën tonë.
Në altarin tand kam me rrnue sa të kem frymë,
mbajem me veti, nuk due me u rritë.
Vetëm prehni yt më nxjerr prej hutimit t’lyem
me brymë.
Shpirti yt asht gjella që më ngop e më mban
gjallë,
asht kanga e zjarmit – furrë.

Nanë!
Për ty kam me i thirrë e me i lutë perënditë,
nuk kam me t’u nda kurrë…

ObserverKult


Piktura nga Roberto Ferri

Lexo edhe:

MANJOLA BRAHAJ: ÇKA TË BAJMË ME TRISHTIMIN?

Poezi nga Manjola Brahaj

Me çka ta veshim trishtimin tonë,
që na asht varë për qafe si nji fëmijë i llastuem?
Çfarë emni t’i vemë,
në ferrkun e heshtjes kur zgjohemi si mos me qenë dy vetë,
apo kur si gurë të randë biem në fundin e shtratit,
me fjetë?

Me çka ta pijmë e ta pshtyjmë pa e përtypë,
që të mujmë pa u mbytë me dalë hijes së tij t’zezë
edhe kur të jemi të mardhun
me gacat e fikuna të zjarmit pa ndezë?

Si me e fshi e me e hjekë ajrit të dhomave tona
kur hyn pa u ftue
ani pse dera asht e mbyllun me rezë,
e dritaret janë errësue?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult