N’ikje je valixhe e palosun mirë, që i mungon si përherë diçka. Je me mija porosi t’dhanuna për me i kry, je vetja e dikurshme që qan për ty. Je dera e mbyllun me kërcitjen e ftohtë, që duket sikur n’zemër t’hap nji gropë. E bahesh dorë e ngritune n’ajër për me thanë lamtumirë, shpindë e kthyme për mos me i shfaqë lotët, për me mbetë edhe n’ikje, dëshirë.
N’ikje je zgjim bashkë me aurat e mëngjesit, je përqafim i padhanun i motrës, prej frikës se i prish gjumin, je shikim i nanës që rrin e pret deri sa t’humbësh bashkë me udhën, përtej malit, je përcjellja e pamundun e vëllait, je prania e mungueme e babës për me e ndie shtërngimin e dorës. N’ikje je krejt kujtimet e tua që ty t’shkundin, si pylli i naltë flokët e borës.
N’ikje këndohen kangë heshtje për hapin tand, dhe ti bahesh shputë e ngjeshun pas dheut, tue lanë gjurmë; n’mishin e zi të tokës, n’fatin e mjegullt tandin, n’andrrat e atyne që i le mbas veti.
N’ikje bahesh varkë e nji lundrimi drejt s’di kuhit, tue u ndie si zog shtegtar, i vramë e i mbushun rrast me shpresë, tue u ndie ma fort se kurrë që nuk je i ktuhit, n’ikje, ma shumë se gjithçka, je pendesë.