Mario Benedetti: Pauza e gushtit

Madridi është zbrazur krejt
Veç neve të paktët kemi mbetur
E për këtë pikërisht
Prandaj arrijmë ta ndiejmë sërish
Praninë e lulishteve dhe shatërvanëve

Dhe neve mëkatarëve fatmirësisht
Pemët gjithaq janë bërë përsëri
Protagoniste të ajrit të çlirët
Si dikur
Atëherë kur ekologjistët
Akoma nuk ishin të pazëvendësueshëm

Edhe zogjtë po harbojnë
Rrahin flatrat mbi një qytet
Që befasisht është shndërruar
Në diç të jetueshme, të fluturueshme

Madrilenët ia kanë mbathur tutje
Nëpër male dhe në Marbella
Në Ciudadela dhe Benidorm
Në Formentor dhe Tenerife

Duke na lënë në dorëzim pavetëdijshëm
Neve të tjerëve që tashmë
Më në fund ndihemi vetvetja
Një Madrid kaq marramendës
Thuajse të lirë, pastërtisht
ë çliruar nga tymnajat, fort mikpritës
Ku bredhim pareshtur si zotërit e tij
Të ngazëlluarit e Botës së Tretë

Shkelim shëtitoret e dëlira
Plot solidaritet
Të djersitur në afsh
Shtatë palë këmishë

Vera nuk është kohë zhurmimesh
Veç paqe gjelbërimesh

Të nginjur nga mëritë e pagjuma
Ndihemi si asnjëherë
Të gatshëm për pajtim

Ndër çastet verore
Vetë historia ndalet
E të gjithë zbulojmë një jetë të mpirë
Por kur mbarojnë pushimet
Përsëri do të kumbojnë
Bori makinash, klithma, sirena
Vdeksh në vend, rrofsh e qofsh
Bombat e shpërthimet
Dhe tingujt e kambanave të ëmbla metodike
Përgjatë tre stinëve pjellore
E askujt nuk do t’i bjerë mendja më
Për zogjtë apo pemët.

Poezi e shkruar në Madrid, në vitin 1986.

Përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri