Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari Marsel Lela.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Është e vështirë të flasësh për të përkryerën në një botë të papërkryer. Termin ‘e përkryer’ do e zëvendësoja me ‘e plotë’. Unë besoj se njeriu nuk mund të jetë kurrë plotësisht i lumtur, përderisa ekziston vdekja dhe ajo që na tremb më tepër është vdekja e njerëzve që duam. Ndjenja e të përkohëshmes na kthen menjëherë me këmbë në tokë, pas çdo çasti të lumtur, duke e ditur se edhe ky është i përkohshëm. Madje e keni vënë re se si ne shqiptarët prej së lashti u druhemi çasteve të lumtura? Nuk duam ta teprojmë shumë me lumturinë, duke e lidhur me shprehjen “pas çdo të mire përgjon e keqja” dhe anasjelltas. Dhe është më mirë kështu. Jeta është e bukur në kompleksitetin e saj, me të mirat dhe të këqijat. Ajo është si një puzzle me copëza lumturie, trishtimi, dashurie, dhimbje, triumfi dhe humbje. Ta jetosh jetën në plotërinë e saj, kjo do të thotë të jesh i lumtur.
Cila është frika juaj më e madhe?
E kam përmendur edhe më lart, frika më e madhe është humbja e njerëzve që do. Kur bëhesh prind kjo frikë rritet edhe më shumë, pasi e gjithë qenia jote është e dhënë me mish e me shpirt pas asaj krijese të vogël që ta ka kthyer botën përmbys dhe do mbetet i tillë edhe kur të plaket. Unë dhe bashkëshortja ime, Denila, kemi një djalë që s’i ka mbushur akoma tre vjeç, Davidin. Që kur ka ardhur në jetën tonë, zgjohem gjatë natës kur të gjitha janë në gjumë dhe shoh nëse po merr frymë. Kjo nuk është diçka që e bëj vetëm unë, pasi besoj se është fiksimi i çdo prindi. Por është shembulli më i mirë për të përshkruar frikën më të madhe.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Pa e menduar fare, nënën time. Ka rritur pesë fëmijë në kushtet nga më të vështirat duke bërë sakrifica të mëdha për edukimin dhe arsimimin tonë, e njëkohësisht duke falur një dashuri të pakushtëzuar. Për mua ajo është simboli i gruas dhe malsores së vërtetë: e fortë si lahuta, e brishtë si çiftelia, por gjithmonë me një zemër plot tinguj të pashlyeshëm.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Ka shumë dhe e kam të vështirë të zgjedh vetëm një. Do të thoja Abraham Linkoln. Presidenti amerikan që luftoi për t’i dhënë fund skllavërisë, edhe pse këtë ju desh ta paguante me jetë. Pa liri dhe të drejta njeriu nuk mund të bëjë asgjë, madje as të ëndërrojë. Më së pari Linkolni luftoi që njeriu të kishte mundësi të ëndërronte, pa qenë skllav i ëndërrimit. Ky është edhe kuptimi i “ëndrrës amerikane”. Nëse do të identifikohesha me dikë, do të doja që ky të ishte njeriu që e arriti diçka të tillë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Nuk më pëlqen që nga nganjëherë i zvarris gjërat, duke mos e vlerësuar kohën dhe punën që nuk duhet lënë për nesër. Do të doja të isha pak më i organizuar.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dyfytyrësia është tipari më i neveritshëm që mund të ketë një njeri. Një njeri i tillë është i aftë për të gjitha të zezat, ndaj përpiqem që t’i skanoj mirë ata që kam përreth. Kjo më ka bërë të kemë shumë të njohur, por vetëm një grusht miqsh.
Në cilat gjëra e teproni?
Tek librat. Blej jashtëzakonisht shumë libra. Kryesisht bredh nëpër qoshet e rrugës ku rrinë ata që shesin libra nëpër tezga, sepse aty mund të gjej jo vetëm libra me çmim të lirë, por edhe vepra të rralla, të përkthyera nga mjeshtra të përkthimit. Gjithashtu aty mund të gjesh edhe libra të vjetër me shumë vlerë. Bashkëshortja ime, një dashamirëse librash po aq sa edhe unë është kritikja ime më e madhe për këtë, pasi thotë që edhe pak dhe nuk do të kemi vend ku të vëmë më asgjë nga librat e shumtë. Kam një bibliotekë me njëmijë tituj që do rritet gjithnjë e më shumë. Për mua nuk ekziston diçka e tillë si ‘shumë libra’.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
I vetmi rast në të cilin do të gënjeja është për t’i shpëtuar jetën një njeriu.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Jam ca natyrë ëndërrimtari dhe më kanë magjepsur gjithmonë malet, pyjet dhe çdo gjë që lidhet me natyrën. Por gjithashtu edhe vendet që kam lexuar nëpër romanet e letërsisë evropiane të shekullit 19. Anglia është vendi që dua më shumë. Sa herë kam qenë në Londër më ka pëlqyer të shëtis nëpër rrugët dhe lagjet e vjetra të saj, duke shmangur zonat e zhurmshme dhe moderne të qytetit. Duke ecur nëpër ato rrugica më dukej sikur ndillja edhe një herë frymën e një kohe kur shpirtërorja, fisnikëria dhe thjeshtësia e jetës kishin vlerë. Sot jetojmë në një epokë ku teknologjia dhe shkenca kanë avancur shumë, duke na krijuar shumë lehtësira. Kjo është vërtetë diçka e mirë. Por njeriu është kthyer në një skllav makinerish. Vërtetë jetojmë në epokën e telefonave me touch, por njeriu ka humbur magjinë e prekjes, të bisedës dhe dashuria është ftohur. Kurrë nuk kemi pasur më shumë gjëra, por kurrë nuk kemi qenë më të vetmuar dhe pa njerëz me të cilët t’i ndajmë ato.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
‘Shiko’. Nuk e di se pse, ndoshta është thjeshtë diçka që më mbetur ashtu kot. Ose mund të jetë dëshira që tjetri të përqendrohet tek ajo që po i them.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Në një poezi timen them, “njeriu është i përbërë prej kohe dhe uji”. Më vjen keq dhe pendohem për çdo moment të jetës të shkuar dëm, ose të mbushur me gjëra pa vlerë. E di që kjo është një përgjigje e përgjithëshme, por koha është ajo të cilës i kushtojmë më pak vëmendje dhe njëkohësisht është gjithçka që realisht kemi. Ndërsa për të dhënë një përgjigje më specifike, do të thoja se pendohem dhe më vjen keq për çdo herë që mund të kem lënduar dikë.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Në hierarkinë time të gjërave më të shtrenjta dy të parat janë Zoti dhe familja. Këto janë dy dashuritë e mia më të mëdha, të cilave përpiqem t’u përkushtohem më shumë.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Vendi ynë sapo ka kaluar një tërmet të frikshëm dhe jam akoma nën trysninë e frikës, kaosit dhe dhimbjes për humbjen e shumë jetëve nën rrënoja. Por me gjithë këto ndjesi të përzishme, shpirtin dhe mendjen e kam në paqe. E di që nuk mund t’i kem anjëherë gjërat plotësisht nën kontroll, se gjëra të tilla ngjasin dhe se gjëja më e rëndësishme është të vazhdosh të kremtosh jetën, duke dhënë dashuri dhe përkujdesje ndaj të tjerëve. Dashuria dhe përkujdesja e shqiptarëve dardanë gjatë kësaj kohe, ka qenë dora e ngrohtë vëllazërore që të ledhaton kryet e të ndihmon të ngrihesh pas rrëzimit. Kjo është shpresdhënëse.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Ia kam bërë vetes shpesh herë këtë pyetje dhe përgjigjja ka qenë gjithnjë e njëjta: nuk dua të ndryshoj asgjë. Më pëlqen vetja kështu siç jam, me virtyetet dhe të metat. Ndoshta ca kile më pak nuk do të ishte keq.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Nuk jam rritur kurrë mjaftueshëm sa për të vrarë fëmijën që kam brenda vetes.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të udhëtuarit në kohë më ka intriguar gjithmonë dhe këtë e bëj nëpërmjet librave zakonisht. Por jo i të ndryshuarit të gjërave. Sigurisht, kanë ndodhur shumë gjëra që do të donim të mos të kishin ndodhur, por gjërat, edhe ato më të rëndat, ndodhin për një arsye dhe do të vazhdojë të jetë kështu gjithmonë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Mendoj se kjo jetë nuk ia vlen të jetohet më shumë se një herë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Një fletë nga Bibla e Gjenevës, e para Bibël në Anglisht e botuar në vitin 1560. Është dhuratë nga një profesor teologjie nga Anglia.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Më mjerojnë fëmijët pa fëmijëri. Ata që lypin nëpër rrugë, në kazanet e plehrave, të mardhur e të uritur mes një barkderrizmi të majmur nga pasuri të padrejta. Nuk ka pak të tillë në Shqipëri, por askush nuk flet për ta, veç rasteve kur farisejt e bamirësisë i nxjerrin në foto a video, për të korrur klikime dhe hosanarat e njerëzve.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Angli, për historinë, arkitekturën dhe natyrën që ka. Jam person që më pëlqen dimri dhe grija me të cilën vishet ai vend nuk më krijon problem. Nuk më pëlqejnë metropolet e mëdhë dhe të zhurmshme. E imagjinoj veten në një shtëpi guri në fshat, pranë një oxhaku, duke shkruar një novelë, me ca gështenja të pjekura dhe një gotë verë, i rrethuar nga mure librash, fëmijët dhe krahët e gruas që dua.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin për të qenë burrë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Mençurinë për të qenë grua.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Meqë kam folur deri tani vetëm për Anglinë mund të jetë krijuar përshtypja se pëlqej letërsinë angleze, çka është e vërtetë. Por jam i apasionuar më shumë pas letërsisë ruse dhe i pari ndër shkrimtarët e mi të preferuar është Fjodor Mihajlloviç Dostojevski. Ai ka qenë shkrimtari që i ka dhënë trajtë më shumë se kushdo karakterit tim me anë të personazheve, narrativës dhe frymës që përcjell vepra e tij. Dostojevski është një minator i shkëlqyer i shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të rrëmuar edhe në galeritë më të thella të ndërgjegjes më mbushte me trishtim kur mbaroja së lexuari veprën e tij, sepse më dukej e vështirë për të gjetur diçka tjetër kaq të arrirë. Gogoli, Çehovi, Tolstoi, Shollohovi, janë të tjerë kolosë rusë që i përpija. Dëshirën për të shkruar e kam sërish nga rusët. Deri në moshën 17-18 vjeç nuk e kam menduar kurrë se mund të qullosja gjë në letër dhe as e kam provuar të shkruaja. Pas leximit të poezive të Sergej Eseninit nisa të hedh vargjet e para.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Raca e heronjve duket se është shuar ka kohë në shoqërinë e sotme. Madje edhe heronjtë që kemi pasur po përpiqen t’i çmitizojnë. Duke u bazuar tek realiteti shqiptar do të thosha se heronjtë e vërtetë janë ata që nuk zgjedhin ta lënë këtë vend, jo sepse nuk kanë ku shkojnë, por sepse e duan dhe janë mirënjohës për këtë tokë të mirë që u ka dhënë Zoti. E ardhmja u takon atyre që e duan atdheun e tyre pa kushte.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Më pëlqen muzika klasike dhe nëse nuk do të kisha talent të shkruarit do të doja të isha pianist. Më ka tërhequr gjithmonë si instrument, nuk e di përse dhe më ka mbetur peng që nuk e kam mësuar. Shpresoj që këtë dëshirë ta ketë edhe im bir dhe besoj se po, pasi e pëlqen shumë muzikën dhe është goxha i intonuar kur i këndon këngët, ashtu, gjysma-gjysma.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Sa hap e mbyll sytë, duke qeshur, me librin që më bie nga dora.
Cila është motoja juaj?
Besnik në të voglat, besnik në të mëdhatë./
2019
ObserverKult
Lexo edhe: