Marsel Lela: Ju që jeni larg

Marsel Lela

Për të gjithë ju që jeni larg
Ka një mungesë bojëtrëndafili
Në zemrën e këtij trualli,
Që malcohet e fryhet çdo ditë në pritje.

Ka fjalë se jeta që bëni andej
Nuk ia hedh më as sytë këtij oborri të vjetër
Ku piqet një limon, fëmijëve të lagjes
Që mbushin oborret me jetë,
Apo çentrove të gjyshes në dritaret e drunjta;

Por askush nuk thotë një fjalë për kokën dhe zemrën
Që shtrydhet në morsën e mallit tuaj,
Duke u rrekur me mundim të ruajë
Hijet e kësaj jete të shkuar.

Për të gjithë ju që jeni larg
Ka nga një pritje erëmyshku
Në çdo rrugë qyteti ku keni lënë hapat
Dhe pritjet,
Në çdo kafene ku keni ndarë ëndrra e puthje,
Në çdo faqe libri ku keni shënuar me plagë të verdha
Pasazhet që ju kanë pëlqyer,
Në çdo ballkon të mbarsur me vështrime
Dhe në çdo pemë që bleron gjethe, emra e data.

Jeta këtu nuk kalon, shtyhet,
Hiqet zvarrë periferive
Dhe zhurmon në qendër të qytetit.

Ajo blihet dhe shitet çdo ditë në tregun e zi,
Vritet në pritë,
Zhgënjehet njëzetekatër orë,
Agon plot e përplot me ëndrra
Dhe ngryset me një thes “ah, sikur” në shpinë.

Megjithatë,
Për të gjithë ju që jeni larg
Bie diku përmallshëm një çifteli, apo një iso
Me motivet e bukës, kripës e të zemrës së bardhë,
Shkëputet zemre një “ah”,
Çative u janë thinjur tjegullat nga pritja
Dhe fotografitë
E kërrusin murin me peshën e mallit.

Dashuria është anije e ngarkuar me mungesë
Dhe shtëpitë këtu flenë me sytë nga deti.

ObserverKult


Marsel Lela

Lexo edhe:

MARSEL LELA: NJË GRUA SHKON RRUGËS

Një grua shkon rrugës
E zhveshur me sy,
E puthur me sy,
E kafshuar me sy.

Me sy e masin,
E peshojnë,
I marrin masat e belit,
Vitheve,
Gjoksit,
Qafës.

Me sy i flasin,
Syrin i shkelin,
Me sytë katër
E kundrojnë
Atë që për ta parë
S’mjaftojnë një mijë sy.

Një grua
Shkon rrugës
E veshur
Sipas modës së saj.

Ndërron moti
Prej ndjesive
Që i shëtisin
Nëpër buzë,
Sy e faqe.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult