Poezi nga Marsel Lela
Ishte një plak i padukshëm që e shihja veç unë
Përmes syve të fëmijës
Si profetët e lashtë që në frymë shihnin Zotin
Me duart e rrahura nga kamzhiku i kohës
Shtrëngonte kapotën e lodhur që të ndërmendte luftën
Katër erërat e dheut mbante nën të,
E dhëmbët i kërcisnin dimër, verë
Po t’i lëshonte ai erërat, detet do të dilnin nga shtrati
Yjet do të binin si të dehur
Qielli do të arratisej si një ikanak.
Erërat e acarta turfullonin për të dalë nga kapota e vjetër
Herë ulërinin si bishë e tërbuar, e herë qanin si foshnje gjiri
Të nënshtruara tërësisht nën krahët e regjur betejash
Por plaku nuk epej, edhe pse pesha e acarit e kërruste përditë
E dhëmbët i kërcisnin dimër, verë
Një ditë, plaku i erës nuk u duk më
As të nesërmen, e asnjë prej të nesërmeve pas saj
Ku kishte shkuar? Ku dergjej bashkë me vetminë e tij të murgët?
Askush nuk e dinte veç meje, se ai qe bërë erë
E frynte i lirë në të katër cepat e dheut
Në kërkim të pleqve luftëtarë, të padukshëm nga bota.
ObserverKult
Lexo edhe:
MARSEL LELA: SHTËPIA ËSHTË STREHA KU KA GJITHMONË NJË VEND PËR TY
Poezi nga Marsel Lela
Shtëpia është vendi ku kthimi është gjithmonë në plan;
Është koka e kthyer gjithmonë pas;
Është rehatia e trupit dhe e shpirtit;
Është rriska e bukës së kafshuar me ëndje;
Është aroma e mollëve dhe ftojve ndër rroba;
Është thesari imagjinar në baulen e vjetër
dhe të mistershme të gjyshes;
Është brumi i zënë nga duart e nënës;
Është kolla e babait kur kthehet nga puna;
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult