Poezi nga Marsela Neni
Thonë se të dyzetat janë porta
e një fillimi të ri.
Ajo portë është hapur
dhe unë qëndroj në prag
duke kundruar shtegun e parrahur.
Nuk shqetësohem më se si dukem
në sytë e të tjerëve
jetoj çdo ditë duke zhveshur
komplekset e mia.
Di se sa vlej e nuk rend më
pas lumturisë, pas zhgënjimeve,
si pas aromës së një luleje
që më ka djegur xhanin.
Destini e di se ku banoj
dhe unë armiqtë në shtrat
nuk kam për t’i pritur.
Lutem çdo mëngjes,
sa hap sytë,
për kurajo, forcë e një dozë humori.
Kam pranë njerëzit që dua
e ca dhoma i kam boshatisur
për bekime të reja.
Thonë se të dyzetat janë porta
e një fillimi të ri:
Të jetosh për shpirtin, unë e quaj liri.
ObserverKult
lexo edhe:
Marsela Neni: Nëna ime kishte dhjetë duar
Marsela Neni: Procesi i krijimit i ngjan pasionit të Krishtit, është përvujtni!
Marsela Neni: Erdha, por nuk të gjeta, Tiranë