Zbardhet dosja: Martin Camaj u mor me detyrim në Sigurimin e Shtetit, por i dezinformoi

martin camaj deshta
Martin Camaj

Botimi i një artikulli nga Auron Tare, ku shkrimtari Martin Camaj përmendej si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në komunizëm dhe shihej nën hije dyshimesh mbi bashkëpunimin e tij me agjenturat e huaja, ngjalli shumë reagime në rrethet intelektuale të vendit.

Arsyeja qe e thjeshtë, për ta, shkrimtari nuk mund te prekej, as të ç’mitizohej, sepse miti nuk qe i rremë. Por mes studiuesve të letërsisë, dosja e tij nuk njihej. Në fakt, të paktë qenë ata që e kishin konsultuar dosjen, ku Camajt i mvisheshin ‘dritëhije’.

Mes tyre, Ardian Ndreca, që në krye të herës, tha se në dosje nuk ka asnjë dokument të vetëm që ai të ketë punuar për Sigurimin. Në lamin e mendimeve kundërthënëse, me vend u gjet pikërisht shqyrtimi i dosjes së Camajt, në bashkëpunim me Institutin e Historisë. Çka bie në sy në të është dallimi prej dosjeve të tjera.

“Dosja e Camajt, jo e zakonshme. Nuk eshte dosje bashkëpunëtori, por të përndjekuri”, thotë historiania Sonila Boçi.

Mes fletëve të para, del i qartë plani i Sigurimit të shtetit për ta rekrutuar 23-vjeçarin, pjesë e një grupi antikomunist.

“E kanë arrestuar që ta përdornin”, shton ajo.

Ndonëse sipas dosjes rezulton se ka pranuar të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit, një prej dokumenteve që nuk është përmendur deri me tash, tregon edhe mënyrën se si Camaj pranoi. Në tërësi, fletët për Camaj në Shqipëri, janë krejt pak. Nga viti 1948 ato kalojnë në heshtje direkt në vitin 1957, duke lënë 9 vite në një terr, për të cilat më vonë ka shumë aludime.

“Camaj bashkëpuntor nën detyrim”, thuhet në dosje.

“Dosja nuk flet per torturë, thuhet u mor me force”, thekson Boçi.

I marrë me detyrim, çka nënkupton torturë ose presion, rioshi Camaj, do të niste lojën e vet të mbijetesës për ditët e mbrame në atdhe. Edhe kjo, nëse sot në liri, ne ia japim të drejtën të ketë kërkuar mbijetesën. Vetëm 10 fletë janë jeta e tij në Shqipëri, mandej është përndjekja e tij kudo. Arratisja do të ishte e shpejtë.

“Dosja tregon që Camaj e dezinformoi Sigurimin”, vijon historiania Boçi.

Se çfarë kishte ndodhur me Camajn, kur i ktheu shpinën përgjithnjë vendit, ku la shpirtin, e që lartësoi në gjithë veprën e tij letrare a studimore, mund ta mësojmë më vonë, kur të kemi përgjigje të konfirmuara për pyetjet që mund të ngremë. Sipas Sonila Boçit, për aq dokumente sa kemi mbi figurën e tij, nuk mund të hidhet baltë.

“Komiteti i Prizrenit? Nuk del roli i Camajt atje. Përmendja e Camajt dhe roli janë gjëra të ndryshme”, shprehet ajo.

Pasi e kishin arrestuar, rekrutuar me detyrim, ai do te arratisej per te shkuar në Jugosllavi, Rome e mandej në Gjermani. Në dekadat e mallit për atdheun, çka dëshmohet në letërsinë e mbërritur vonë, ai ruajti një profil intelektual, duke e përjashtuar politikën, çka shpjegon mërinë për aludimet ndaj tij dhe njëherit e shfajëson. Kjo e dhënë përmendet edhe nga dosja e sigurimit, ku madje thuhet se do përpiqen të përdorin dashurinë e tij për vendin që ta afrojnë.

“Camaj zero marrëdhenie me politikën. Camaj agjent? Do të ishte krejt atipik!”, thotë Boçi.

Besueshmëria e dosjeve në vetvete është marrë gjithëhere me rezerva. Ish të dënuar kanë rrëfyer se dëshmitë nënshkruheshin me dhunë. Petro Marko rrëfente se si i vdiq në dhomën e burgut inxhinieri Stanislav Zuber, po prej dhunës së hetuesve. Në anën tjetër, po aq, duket se mund t’u besohet vetë informatorëve dhe dozave ideologjike të përcjella prej tyre.

“Në dosje ngaterrohen faktet me opinionet. Dosja e Camajt nuk ka fakte, duhet vërtetuar”, thekson historiania.
30 vite pas rënies së regjimit, autorët dikur të ndaluar, rikthehen në vëmendje, vetëm kur ka përvjetor a kur dokumente të kësaj natyre dalin në pah. Kësisoj, trashëgimia e tyre, që dikur qe e mohuar, serviret here e manipuluar e herë e gjykuar, e në tërësi e copëzuar. Dhe nëse i rikthehemi sërish retorikës së vjetër, me patriotë e tradhtarë, më së paku duhet të biem dakord, për atë që ishte dhe do të duhej të ishte shpjegimi i termave në vetvete.

“Ç’mitizim? Atdheu e partia ishin një. Po te ishe kundër partisë, ishe tradhtar”, shton ajo.

Dosja e Camajt shpërfaq nëse u referohemi dokumenteve, mënyra presioni dhe rrekjeje për ta demaskuar para shqiptarëve të mërguar. Vetë Sigurimi përmend asgjësim fizik, letra anonime drejt tij dhe shqiptarëve që e njohin, si edhe plane për të izoluar mes bashkëkombasve. Narrativa e kahershme rizgjohet. Asgjë mangut prej saj. Nëse dikur i pamë si tradhtar, e tani si agjent, a po i përjashtojmë përgjithnjë të mërguarit?, transmeton ‘konica.al’

Ose atëherë, pse shteti shqiptar nuk u dha vendin e munguar, qoftë për të plotësuar më shumë boshin e vet të pamatë? Në mos asgjë, a vlejnë tashmë fonde e projekte të mirëfillta për jetën e veprën e tyre, që hijet e drita të ndahen? Camaj e kish njohur mospërfilljen, si mallin dhe harresën. Më e shtrenjtë për të qe liria. Iku duke marrë me vete Shqipërinë dhe studimet e letrat u bënë rrufeprojsa e tij. Ai e dinte se poetët vriten, ndaj mbijetoi duke kërkuar Itakën. Tashmë duhet përfshirë ai që më herët që fshirë.