A ju kujtohet Monologu i Plakës Nicë: Nuk duhet të vije në këtë dasmë…

Aktorja Roza Anagnosti në rolin e Plakës Nicë

Nga Ismail Kadare

Unë nuk e di i cilës ushtrie je ti, sepse asnjëherë nuk i kam njohur rrobat e ushtrisë dhe tani jam shumë plakë për t’i mësuar, por që ti je i huaj dhe që je i një prej atyre që na kanë vrarë, kjo duket që larg.
Ti ke zanatin e mallkuar të luftës dhe je një prej atyre që më kanë bërë mua gjysmënjeri, një copë plakë të shushatur, që vjen në këtë dasmë të huaj dhe rri në qoshe dhe lëviz buzët, duke biseduar me ty. Asnjeri nuk e di ç’them unë, sepse të gjithë janë shumë të gëzuar dhe unë nuk dua t’ua prish gëzimin të tjerëve.

Ngaqë nuk dua të prish gëzimin, po rri këtu në qoshe dhe lëviz buzët, duke mallkuar ngadalë, që të mos dëgjojë njeri. Dua të di përse erdhe ti në këtë dasmë dhe si të bënë këmbët që erdhe. Po nuk të pyes dot, se nuk dua të shqetësoj njeri.
Pse nuk ngrihesh, të hedhësh kapotën krahëve dhe të ikësh në shi andej nga erdhe? Nuk e kupton që je i tepërt këtu, o i mallkuar? Ti e kupton vetë që je i tepërt këtu. Ti e ndien që një njeri po të mallkon në këtë dasmë, se mallkimi i nënës nuk vete dëm kurrë. Megjithëse të nderojnë, ti e kupton se nuk duhet të vije këtu. Mundohesh të fshehësh atë që kupton, por nuk e fsheh dot.

Të dridhet dora kur ngre gotën e rakisë dhe në sy të kalojnë hije plot frikë.Thonë se ti mbledh të vrarët e vendit tënd. Mbase ke mbledhur shumë dhe do të mbledhësh akoma shumë të tjerë, mbase do t’i mbledhësh të gjithë, por dije se njërin nuk ke për ta gjetur kurrë në jetë të jetëve, ashtu si në jetë të jetëve unë nuk do t’i gjej më kurrë vajzën time dhe burrin tim. Sa do të doja të tregoja për atë që ti nuk do ta gjesh dot kurrë, por nuk e bëj, sepse nuk dua t’u kujtoj të zezat e luftës këtyre dasmorëve. Shi binte atë natë, më tepër se sonte. Uji buronte nga nata. Megjithatë, unë e hapa gropën. Po nuk do të tregoj asgjë, për të mos prishur gëzimin e të tjerëve, qoftë dhe gëzimin tënd, i mallkuar.

Më thanë se ti pyete veçanërisht për të. Siç duket keni kohë që e kërkoni dhe nuk e gjeni dot. Po përse ke pyetur dhe e ke kërkuar kaq shumë atë kolonel të zi?

Mos vallë e ke pasur mikun tënd? Me siguri e ke pasur mik, përderisa e kërkon kaq shumë. Gjithë mbrëmjen nuk lanë njeri pa pyetur në fshat. Sepse të gjithë e dinë se ai dergjet në dhe, diku këtu rrotull, por asnjërit nuk ia merr mendja ku ndodhet ai.
Do të ikësh pa e marrë mikun tënd, mikun tënd të zi, që më sterrosi jetën. Të ikësh sa më parë, sepse edhe ti je i mallkuar si ai. Tani rri i urtë si një qengj, dhe të qesh buza tek shikon se si kërcejnë njerëzit, por unë e di se ç’ke në mendje. Ti mendon si do të vijë dita që të sulesh në anët tona me ushtri dhe të na djegësh e të na pjekësh dhe të na vrasësh, siç bënë shokët e tu.
Nuk duhet të vije në këtë dasmë. Të të dridheshin gjunjët kur të niseshe për këtu. Së paku për hirin tim, të mua plakës së shushatur, të mua gjëmëzezës. Por ç’bëhet kështu? Ty po të ftojnë në valle? Dhe ti guxon të ngrihesh? Po vë buzën në gaz! Po ngrihesh! Daleni! Ç’bëni kështu! Kjo është e tepërt! Gjynah nga zoti…

(Shkëputur nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë)

Përgatiti: T.K/ObserverKult

Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: FUND VJESHTE