Mulaj: Lakmia është tipar që i paraprin çdo vesi dhe veprimi dashakeqas…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Liridon Mulaj.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nuk besoj të kem një imazh apo ndjesi të vazhdueshme të këtij veprimi apo përjetimi paksa utopik dhe abstrakt. Lumturia është përjetim i papërballueshëm për njeriun nëse projektohet si realitet i përhershëm, kështu madje do të humbtte dhe kuptimin e saj. Por kam disa imazhe dhe portrete të prera, të vockla brenda të cilave më përshfqet kjo lumturi. Fytyra e nuses sime kur buzëqesh është një imazh i lumturisë së përkryer. Ndërkohë në kokë me feks shpesh imazhi i mamasë dhe portreti i saj që dyzohej mes të qarës dhe të qeshurës, kur mori vesh se ishte bërë gjyshe për herë të parë, pra këto janë imazhet e mija të lumturisë, të cilat më bëjnë ta besoj (dhe pse me rezerva) ekzistencen e saj.

Cila është frika juaj më e madhe?

Humbja e njerëzve të dashur dhe ikja ime nga kjo jetë pa shkruar ato që dua të shkruaj. Kjo ide mund të ngjajë arriviste por ja që frikërat nuk i kontrollojmë ashtu siç nuk kontrollojmë dhe vendosim për fundin tonë. Kjo lidhet me vdekjen, e cila sërish është frika ime e madhe, është pikëpyetja më e madhe mbas asaj që ia kam bërë vetes kur nisa të kuptoj jetën pra pyetja: Pse jam në këtë botë? pasohet nga : Pse duhet të iki nga kjo botë? Dilema të cilat kanë karakterizuar përherë qasjen time të thellë ekzistenciale, e cila shpesh e tejkalon masën arsyen duke më shndërruar në një fëmijë që qurravitet, ngaqë nuk do ta pranojë vdekjen si destin.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nuk është një person, janë disa. Por po e nis me një heroinë, jeta e së cilës e kalon dhe fiksionin letrar, nëna ime. Bashkëshortja ime Anxhi, një krijesë e mahnitshme e cila i dha kuptim jetës sime në një moment kur vetëm kuptim nuk kishte. Motrat e mija, bashkëshortja e vëllait tim dhe të gjitha ato femra të jetës sime, të cilat më bënë të besoj në dinjitetin e thellë të gruas shqiptare. Pra dominojnë gratë, sigurisht.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Gjergj Kastrioti, strategu i cili i dha kuptim sakrificave të një populli të vuajtur siç jemi ne. Absolutisht shaiptari më i madh që ka jetuar ndonjëherë, simbol i bashkimit, rezistencës dhe shtetformimit. Për një moment imagjinoni historinë tonë pa të, sa e varfër dhe e pakuptimtë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Ngutja për të reaguar dhe vepruar në raste të caktuara kur gjërat duhet të liheshin të rridhnin natyrshëm.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Lakmia, tipar që i paraprin çdo vesi dhe veprimi dashakeqas.

Në cilat gjëra e teproni?

Mendoj shumë, dhe pothuajse gjithmonë janë mendimet e mija që me kanalizojnë në një gjendje stresi dhe ankthi. Kjo vjen për shkak të natyrës sime realisto-pesimiste, kjo vjen dhe për shkak të pritshmërive të mija për njerëzit, për jetën, për botën , për gjithçka që më rrethon. Se di nëse kjo është diçka e pahijshme por shpesh e gjej veten pre e orëve të gjata të cilat i kaloj duke menduar.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Nëse dikënd që i rrezikohet jeta, do e shpëtonte gënjeshtra ime. 

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Ekziston një rrugë magjike mes disa kodrinave të Belshit, që përfundon në bregun e liqenit të Seferanit. E kam bërë atë udhëtim me Anxhin një pasdite pranvere dhe e mbaj brenda përjetimin  dhe paqen që më fali ajo copëz rrugë. I rikthehem pyetjes së parë, ja ky është një copëz imazhi lumturie e përkryer. 

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Është pyetja në fund të çdo ligjërimi apo bisede: A kupton? si një pyetje sigurie që kërkon konfirmimin e asaj çka kam thënë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Jam penduar për shumë gjëra në jetë, padyshim. Jam penduar për faktin se një periudhë goxha e gjatë e jetës sime ka humbur mbas kotësirave dhe frikërave për të qenë ai që doja të isha, pra më mungonte guximi të ndërmerrja nisma për të mirën e jetës sime. Kam qenë dhe jam person me sedër të fortë, tipar i cili më ka penalizuar në momente kur mbase kam heshtur, pikërisht atëherë kur duhej të flisja, apo kam qënduar në vend atëherë kur duhet të nisesha. Sot jam në një moshë që kur kthehem pas e pranoj jetën time më të gjitha etapat e saj, dhe jam koshient se ato mirë apo keq janë pjesë e formimit tim të sotëm, por ndjej gjithashtu se kam humbur shumë nga frika se mos humbisja.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Anxhi, Tonja dhe librat. Tre elementët që përbëjnë lëndën prej së cilës përbëhet Liridoni sot.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

I trazuar, jam në një fazë përplotësimi dhe përmbushjeje dhe te një person si unë, kjo gjendje është normale.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Të shqetësuarit, gjendja ime e përhershme mbi gjithçka që më rrethon. Do doja të isha më i qetë si natyrë, ta merrja jetën më lehtë.
 
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Ndoshta fakti se ia kam dalë të kapërcej situatat e vështira të jetës sime, dhe t’u dedikohem ëndrrave të mija, të qenit shkrimtar i pranuar së pari, i lexuar dhe më pas i vlerësuar. Për mua kjo do të thotë shumë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Marrëdhënien time me veten, vetëvlerësimin dhe këndvështrimin e të parit të vetvetes në raport me sfidat dhe të tjerët. Jam dorëzuar shpesh pa ia nisur. Kjo gjë duhet të bëhej ndryshe.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Ndoshta si një libër, ku si subjekt do të kishte jetën e një njeriu të mirë.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?

Bibloteka ime, kursimet e shumë viteve janë shpenzuar në libra.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Babëzia për të pasur para dhe llogari të shumta bankare të cilat ndoshta nuk do të përdoren kurrë, ndërkohë që miliona njerëz në botë lindin dhe vdesin pa realizuar së paku një dëshirë, një udhëtim, një shtëpi për të jetuar të qetë, një festë ditëlindjeje apo një shkollim dinjitoz. Kjo është ana e errët e demokrsacisë dhe parimeve të kapitalizmit.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Kudo ku respektohen së paku parimet e të jetuarit me dinjitet. Ku respektohen të drejtat themelore të njeriut, dëshirat dhe nevojat për të jetuar i qetë në harmoni me natyrën,  urbanistikën dhe arkitekturën e hapësirës ku jetoj. Kaosi urban dhe shëmtia arkitektonike më plogështojnë, ma mpijnë trurin.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Vullneti dhe dëshira për të ndihmuar njerëzit me aq sa kam në dorë dhe zotëroj.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Aftësinë për të bërë një grua të lumtur.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Aftësinë për ti krijuar vetes një jetë të lumtur dhe dinjitoze, pa u varur tek një burrë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Ernesto Sabato.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Prindërit dinjitiozë të cilët kanë sakrifikuar ëndrrat e tyre për ato të fëmijëve të tyre dhe vazhdojnë e bëjnë ditë pas dite pa u ankuar.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Kam dashur shumë të këndoja që i vogël. E provova vetëm një herë duke iu referuar këshillës së një shoqes sime e cila përtej këngëtarit, shihte në mua një të dashur ideal. Dështova dhe prej asaj dite nuk kam tentuar më edhe pse ende sot e kësaj dite vazhdoj të besoj se mund të isha një këngëtar. Muzika është magji.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Në gjumë, pa e kuptuar.

Cila është motoja juaj?

Nuk kam një moto të caktuar por kujdesem shumë që përgjatë rrugëtimit tim në këtë  jetë, të jem i aftë të kuptoj në kohë se çfarë më përket dhe është e imja, dhe së çfarë s’më përket. Të kuptoj masën e atyre që më nevojiten pa u shndërruar në pengun atyre që nuk i kam.

ObserverKult

——-

Lexo edhe:

LEON LEKAJ: SINQERITETI ASHT’ ARMA MA E FORTË NË DUART E NJI TË NDERSHMI!