Pyetësori i Prustit: Uk Lushi

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisti Uk Lushi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Moslindja. Të mosardhurit në jetë. Jeta është lumturi e sajuar, që u nënshtrohet çasteve extempore dhe për të cilën duhet gjetur modus vivendi me botën gjithherë dhe aty për aty. Pra, që të jesh i, e lumtur përkryeshmërisht duhet të mos lindesh.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika nga frika.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nuk e adhuroj asnjë njeri. Asnjë njeri s’ duhet adhuruar.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk dua të identifikohem me asnjë personalitet. Secila qenie njerëzore do të duhej ta ketë të mjaftueshëm identifikimin me vetëveten. Arsyeja pse kanë jetuar, jetojnë dhe, me probabilitet shumë të madh, do të jetojnë me miliona dhe miliona njerëz është veçantësia e secilit dhe secilës.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Nganjëherë xhindosem bukur shpejt me njerëz që mashtrohen lehtë nga sipërfaqësia simplistike efenomeneve dhe që nuk bëjnë as mundin më të vogël të mendojnë dhe veprojnë për gjerësinë, thellësinë dhe përtejshmërinë e të dukshmes. Xhindosja nuk e vlen dhe është humbje e madhe e energjisë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Vaniteti.

Në cilat gjëra e teproni?
Në tentimin të mundohem të përthekoj dijeni përjashta mundësive të kapacitetit individual njerëzor. Ndonëse jam i vetëdijshëm për këtë, prapëseprapë, nuk do të ndalem kurrë me këtë teprim sepse është një prej gjërave të rralla që jep kënaqësi me amplituda kulmore.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Nëse gënjeshtra do të shpëtonte jetë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Udhëtimi me trenin tim fantastik “Rosebud”. Jetesa ideale për mua është gjallimi në trenin tim, i cili është një bibliotekë me krejt librat dhe materialet e dijenisë njerëzore, dhe, i cili ndalet në stacione të ndryshme përkohësisht, ndërsa ngarkohet me libra dhe materiale të reja, që janë prodhuar në ndërkohë derisa treni ka lëvizur nga stacioni paraprak. Treni im magjik “Rosebud” nuk lëviz vetëm mbi binarë hekurudhorë, por mund t’u bie trup livadheve, mund të ngjitet e të zbresë nëpër kodra dhe bjeshkë, mund të lundrojë nëpër dete dhe oqeane dhe mund, kur është e nevojshme, të fluturojë rreth rruzullit tokësor apo nëpër kozmos me shpejtësi të dritës. Rrugëtimet e rëndomta të përditshme në mjete tjera transporti janë iluzione.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
What the fuck.

Për çfarë iu ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që kam besuar gati plotësisht që nëna ime do të shërohej pasi u diagnostifikua me kancer. Kur vdekja mësyen shpresa është mashtrim. Nën sulmet e vdekjes njeriu duhet të përqendrohet në çastet e të tashmes, jo në perspektiven e çasteve të ardhshme, të cilat nuk do të vijnë asnjëherë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Katër gra. Gjyshja ime nga babai, nëna ime, gruaja ime dhe vajza ime.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E kthjellët, mirëpo ndiej një përzierje zemërimi dhe qetësie për një pyetje të këtillë banale.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Kam akoma të mësoj që njerëzve egomaniakë duhet treguar kartoni i kuq pa u hamendur gjatë. Kur njëmendësohet që një njeri që shitet si mik apo mike nuk është i, e tillë, ai ose ajo duhet të largohet sa më herët nga orbita e miqësisë. Të dhënit e shansave të reja njerëzve të ligj është dënim i tepruar i vetëvetes dhe miqve dhe mikeshave të vërteta dhe meritore.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të kuptuarit e faktit që jeta duhet jetuar si do ti.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do ta kisha trajtuar dashurinë time të parë në jetë shumë më mirë dhe do t’i kisha besuar se më donte sinqerisht. Një ditë ndoshta do t’i tregoj botës për këtë dashuri fatalistike ku mishi nuk do të duhej të ishte në luftë me shpirtin dhe as zemra me trurin.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja të kthehesha si kufi që bëhet urë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Asgjë që mund të posedohet nuk është e shtrenjtë. Bazuar në këtë mund të them që një ndër sukseset e jetës sime është arritja e gjendjes së të kuptuarit të postulatit që njeriu nuk ka nevojë për të poseduar dhe kjo aftësi për t’u mosposeduar nga asnjë posedim është gjëja më e shtrenjtë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Grykësinë.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në secilin cep të planetit. Në secilën qoshe të universit.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Çiltërsia.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Sytë dhe trurin.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Trurin dhe sytë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Nuk mund ta kem vetëm një. Duhet t’i kem 27.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit që nuk e pranojnë varfërinë dhe që nuk qahen, por bëjnë çfarë të munden ta mundin varfërinë.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin muzikor të këndoj dhe të di të luaj me 122 instrumente muzikore.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke mos e ditur që po vdes.

Cila është motoja juaj?
“Homo sum, humani nihil a me alienum puto.”/ Gazeta Observer