Murtezan Arifi: Të kujtohet, Lili?

Ishte dasëm… Në çdo anë vinte era raki
Qe e dehur edhe koha
edhe koka

Të kujtohet, Lili?
Jashtë kënga e ngjyroste mbrëmjen me kaltërsi.

Në çdo anë vinte era raki.

Era e pranverës qe dehur
edhe lulet: mbrëmja mbahej avllive-
s’e mbanin këmbët… E brenda në mua ishe Ti.
me tërë mbrëmjen, ëndrrat, urimet,
me gjithë britmat e dehura te reve…

Të kujtohet, Lili?
Se nga erdhën yjet para meje
në gota, mbi supe, në barin e njomë
gjetheve të plepit të lartë
me shushurimë.

A të kujtohet, Lili?
Vallja e fundit ishte për ty.
E fundit…
e fundit…

Pastaj mbi yjet ra shi.
Dhe u shymën yjet sepse ra shi.
dhe ikëm që mos na lageshin kujtimet…
E ne ikëm
E Ti ike
duke shkelur në zemrën time
duke shkelur çdo lutje, çdo ëndërr,
çdo shenjtësi.

Të kujtohet, Lili?
Pastaj çdo gjë e humba në harresë…
harrësë…
resë…së…ë,
ë…ëëë!…

E ç’qe gjith’ ajo Lili?
Ç’qe? Ç’qe?

Ja, sonte të pash si kalove pranë kujtimit
e s’ishte veç një hije
pa sy, pa veshë, pa flokun tënd të zi
si ato pikturat abstrakte
pa të zemrës tik-take.

Po,po, ishe Ti
njësoj si atë mbrëmje
e pakapshme
hije…
ishe Ti, ishe Ti, Lili. Edhe sot mbi kujtimet resh shi.

LEXO EDHE:
NEXHAT PUSTINA: KU DO TË JESH TI
FADIL BEKTESHI: DITËN QË BESOVA SE DO VDISJA