Naim Frashëri, poeti me pesë varre

Për pesë varret e Naim Frashërit është shkruar dhe më parë, por me pasaktësi të mëdha. Ky shkrim i studiuesit të njohur Valter Gjoni, botohet me qëllim që lexuesit të njihen saktësisht, sipas dokumenteve dhe fotografive të kohës, me vendet, kohën dhe marrjen e iniciativave për varrimet e poetit tonë kombëtar.

Nga Valter Gjoni

Varrimi i parë, 20 tetor 1900

Ora 7. Arritmë në varri. Këtu na pret një helm i ri: jemi përpara varrit t’Abdul beut, të dy vëllezrit që kanë rrojtur bashkë, kanë punuar bashkë, kanë pasur një qëllim e një mendim, e janë përpjekur tërë jetën e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në varr.

Mitat Frashëri “Atje tutje, në rëzë të sypërfaqes ku bashkohen ca repe, në një varr të mermertë. Ka një gur të stolisur me një bishkrim turçe; njëri prej gurëve të varrit ka ikur nga vëndi dhe nga njëra anë e tij po bijen copa dheu të djegur e të nxirë nga thatësira. Në këtë vend flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu as’ka asnjeri që ja di varrin e tij, për veç një gruaje plakë, e teqes…”

Më 17 të qershorit që shkoi, një grup shqiptarësh nga Kolonija e Istambullit kanë vizituar varrin e Naim Frashërit, që gjendet në Merdiven Koj. Me këtë rast bashkëpunëtori ynë Branko Merxhani na dërgon përshkrimin e trishtuar që botojmë këtu. Zëri i ngjyrur i një gruaje plakë, lajmëtare e vdekjes, ju bërtet nëpër mes të drujve të varresës ku kini hyrë:

-Djelma! Varri që kërkoni është pranë atij varri dhe tamam nënë këmbët t’uaja!

Oh! Tokat që kini përpara, që shkelim me këmbë ne, janë varre, ja kështu të pa-dukurë, pa-gjurmë, pa gurë, pa mbishkrim. Në njërin nga këta vende flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i math që është krijonjësi i parë i shqiptarismës s’onë të re, është bërë flija e mos-mirnjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vëndi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu as’ka asnjeri që ja di varrin e tij, për veç një gruaje plakë, e aratisura e teqes…

Branko Merxhani

Botuar më 1934, revista “Minerva”

Varrimi i dytë, 3 qershor 1937

Mbreti Zog solli në Shqipëri eshtrat e Naim Frashërit

Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së tij, nga viti 1925 deri në vitin 1939, mbreti Zog i kushtoi një vëmendje përkujtimit, vlerësimit e nderimit të shumë figurave e personaliteteve të ndryshme historike, të cilat në të kaluarën kishin dhënë kontributin e tyre në dobi të çështjes shqiptare, duke luftuar me pushkë apo me penë. Në kuadrin e vlerësimit dhe nderimit të këtyre figurave patriotike, në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me nismën e mbretit Zog u bë e mundur sjellja në Shqipëri e eshtrave të Naim Frashërit, poetit tonë kombëtar, i cili që nga viti 1900 prehej në varrezën “Merdiven Koj’’ në Stamboll. Ardhja e eshtrave të Naimit dhe rivarrimi i tij në teqen e bektashinjve, në periferi të Tiranës, u bë me ceremoni madhështore, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe populli i kryeqytetit. “Shqipëria e lirë pret me mallëngjim ligjëronjësin e shqiptarizmës, Naim Frashërin. Erdh Naim Frashëri. Dhe tërë populli i Tiranës dje pasdreke grumbullohej tej legatës amerikane, në mes të disa lëndinave të gjelbëruara, ku vargjet “Bagëti e Bujqësi” ndiheshin si kambanë mallëngjimi në veshët e atyre që qysh në djep kanë dëgjuar emrin “Naim”. Dhe cili shqiptar, sidomos i ri, nuk është ushqyer nga drita atdhetare e këngëve të Naimit? Ja shiko djemtë e rinj, fëmijët e shkollave, ndonëse jo të radhitur, bredhin përpjetë rrugës për të pritur eshtrat e atdhetarit të madh. Shquanin atje autoritetet e vendit. Kryeadjutanti i Mbretit, Gjeneral Serreqi, Kryetari i Parlamentit, Ministri i p. të Brendshme, Ministri i p. të Jashtme, Kryetari i Bashkisë, Prefekti, Gjeneral Mirdashi, Gjeneral Araniti, të tërë deputetët, Kleri, oficera, gazetarë, nënpunës, popull. populli i mbledhur mizëri kishte mbushur anët e rrugës s’Elbasanit, ndërsa bataljoni “Deja” paraqiti armë se automobili me arkivolin e “yllit të idhës shqiptare” po vinte aty nga ora 5. Për nder armë. Tingulli i bajonetave qëndruan gati në atë heshtje kuptimplotë të turmës së madhe e cila me dhembjen mbante vështrimin nga automobili që binte eshtrat e një “shenjtori shqiptar”, nuk u ndie fare se zemra e të gjithëve rrinte pa pritur se Naimi erdhi. Erdh Naim Frashëri! Erdh ai që tha: “Kur më shihni se jam tretur, Mos kujtoni se kam vdekur!..

Gazeta “Shtypi”, dt. 3 qershor 1937

Varrimi i tretë, 9 prill 1940

Jakomoni, mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë, i vendos eshtrat e Naim Frashërit në një varr monumental (1940).

Fashistët synuan t’i “ridimensiononin” figurat tona kombëtare. Kjo ndodhi edhe me Naim Frashërin, madje duke u përpjekur të evidentonin paralelizime, që të argumentonin se në poezitë e tij kishte ide fashiste. Në 9 prill 1940, në vitin jubilar të 40-vjetorit të vdekjes dhe vitin e parë të pushtimit nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë) në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve, në Tiranë, u zhvillua me rregullat e ceremonive fashiste e fetare vendosja e eshtrave në një varr të ri monumental, të ideuar dhe financuar nga Jakomoni, në të cilin kishte dhe një shënim “Dhuratë e Shkëlqesisë së Tij, Mëkëmbësit të përgjithshëm Françesko Jakomoni”. Ceremonia e shpërnguljes së trupit të poetit nga italianët është bërë sipas sipas protokollit ushtarak italian.

Varrimi i katërt, 20 prill 1950

Varri monumental i poetit, në Kryegjyshatën Bektashiane, gjatë viteve të para të regjimit Komunist u çmontua. Atij iu hoqën simbolet dhe shkrimet e vendosura nga italianët, duke e kthyer në një varr pa identitet. Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, u bë në qendër të Tiranës varrimi i katërt i poetit, aty ku sot është “Piramida”.

Varrimi i pestë, 10 qershor 1978

Enver Hoxha rivarros eshtrat e vëllezërve Frashëri (1978)

Në qershor të vitit 1978 u organizuan festime me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast u mundësua sjellja e eshtrave të disa patriotëve, ndër ta edhe të Abdyl Frashërit, si një veprimtar i rëndësishëm i Lidhjes së Prizrenit. Eshtrat e tij u sollën nga Turqia. Qeveria komuniste, e cila kishte ndaluar veprimtarinë fetare të të gjitha komuniteteve fetare, organizoi në sheshin “Skënderbej” një ceremoni të përbashkët varrimi për Abdyl dhe Naim Frashërin. Eshtrat e Naimit u rinxorën nga vendvarrimi i pranë lulishtes së Kryeministrisë. Nga sheshi “Skënderbej” të vendosura në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Frashëri, të shoqëruara nga mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë, u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin dhe Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin. Eshtrat e të cilit prehen në Turqi dhe qeveritë turke nuk kanë miratuar në asnjë rast shpërnguljen e këtij intelektuali të shquar edhe për kulturën turke.

Mund të ketë edhe një rivarrim tjetër

“Rruga e Zotit është e vlefshme për të gjithë, në këtë rrugë merr kuptim jeta. I lutem Zotit të lartësuar të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar, duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë dhe në këtë këndvështrim poeti i besimit bektashi, Naim Frashëri, i solli një kuptim të ri hyjnores. Pranohet nga të gjithë se pikëpamjet e tij iluministe, shpesh të formuluara sipas modelit bektashi, synonin të vendosnin themelet teorike të lëvizjes kombëtare shqiptare, Naimi për ne mishëron binomin Komb dhe Fe, por ky binon nga regjime të ndryshme u prish duke e zhvarrosur dhe rivarrosur. Ne dëshërojmë që këto vlera t’i rikthehen poetit dhe filozofit bektashi, ndaj nuk mohojmë se dëshirojmë dhe po punojmë që ta kemi përsëri në mesin tonë, në Kryegjyshatë, në këtë vend të shenjtë të mbarë kombit dhe bektashizmës.”
Kryegjyshi Botëror Bektashi Baba – Dede Edmond Brahimaj

(fjala.al)

LEXO EDHE: Çfarë u tha Naim Frashëri para se të vdiste dy studentëve në Stamboll?