Në Podujevë u mbajt “Ora Letrare e Pavarësisë”

Shoqata e Shkrimtarëve e Llapit, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, në ambientet e bibliotekës së qytetit në Podujevë, organizoi orë letrare.

Me këtë rast, disa ekzemplarë të veprave të Lutfi Lepajës, Syhejl Havollit, Mexhid Havollit, Shkurtë Kadriu Çitakut, Muhamet Çitakut, Vjosa Osmanit, Fadil Halimit, Imer Topanicës, Jonida Shehollit e Abdullah Blakçirit, iu dhuruan bibliotekës së qyteit.

«Orës…» i parapriu njoftimi mbi themelimin e Sh.Sh.Ll-së.

Iniciatori për themelimin e kësaj organizate, njëherësh Kryetari i saj, Fadil Halimi, tha që «shoqata synon të shndërrohet në një strehë për të gjithë shkrimtarët llapjanë».

Theksi kryesor u vu mbi qëllimin kryesor të saj, i cili sipas tij është: «identifikimi dhe prezentimi i vlerave të mirëfillta artistike, përkatësisht ringjallja e jetës kulturore në qytet».

Më pas, shkrimtarët Lutfi Lepaja, Syhejl Havolli, Mexhid Havolli, Shkurtë Kadriu Çitaku, Imer Topanica, Fadil Halimi, Jonida Sheholli, Abdullah Blakçori, bashkë me aktorët Sabit Zeneli e Gani Hamza, lexuan poezi e fragmente nga krijimtaria e tyre.

Kryetari Halimi paralajmëroi aktivitetin e radhës, i cili sipas tij do të jetë promovimi i veprave të autorëve llapjanë. Veprave të autorit të pazakonshëm Lutfi Lepaja, do t’u bëhet një promovim “i pazakonshëm” – tha ai.

I tërë ky aktivitet, gëzoi mbështetje edhe nga Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit Avni Fetahu, i cili qe prezent dhe e përshëndeti iniciativën, premtoi se përkrahja nga ana institucionale, tash e tutje, nuk do të mungojë./ ObserverKult